Partia Socialiste duket e vendosur që të vijojë fushatën elektorale të 30 Qershorit, pavarësisht vendimit të presidentit Meta për të shtyrë zgjedhjet.

Pas një pauze dy ditore nga fushata për shkak të axhendës në Bruksel, kryeministri Edi Rama do t’i rikthehet sot takimeve elektorale, në orën 18 do të jetë në Divjakë dhe 2 orë më pas në Lushnje.

Nga ana tjetër PS sot feston 28 vjetorin! Socialistët do të fëstojnë në çdo qark! Në Tiranë festimet nisin në orën 18:00 në Amfiteatrin i Parkut të Liqenit dhe në orën 19:00 kokteil tek oborri i PS.

Paraditen e sotme burime nga presidenca bënë me dije se Meta do të nisë sot konsultimet me partitë politike për një datë të re për zgjedhjet lokale, ndërsa nuk dihet ende qendrimi që do të mbajë deri në fund PS.

Rama dhe Meta do të jenë sot të dy në Kosovë, ku do të marrin pjesë ne festimet e 20 vjetorit të Çlirimit të vendit nga forcat serbe, në sajë të ndërhyrjes së NATO-s, me vendim të presidentit amerikan Bill Clinton, i cili po ashtu ndodhet në Prishtinë.

Nga ana tjetër KQZ ka nisur me printimin e fletave të votimit, duke mos iu bindur vendimit të presidentit Meta, dhe duke marrë në këtë mënyrë funksionet e Gjykatës Kushtetuese, që ka atributet e vlerësimit të dekreteve presidenciale.

(E.K/Faxweb.al)