Presidenti Ilir Meta do të ketë pasditen e sotme, rreth orës 17:00, një tjetër konferencë për median në godinën e presidencës, fill pas përfundimit të seancës plenare në Kuvend, ku do të diskutohet lidhur me dekretin e tij.

Kjo është konferenca e tretë që Meta mban pas vendimit të tij për të shtyrë zgjedhjet lokale, dhe ku është pritur me kundërshti të forta nga ana e socialistëve.

Në Kuvend gjatë ditës së sotme pritet të ketë 5 orë debate lidhur me kundërshtitë që kanë socialistët për dekretin e Metës për shtyrjen e zgjedhjeve.

Pikërisht në seancën e sotme do të ketë fjalën e tij dhe kryeministri Rama, ndërsa duket se të majtët janë tërhequr nga propozimi i tyre për shkarkimin e presidentit Meta.

Rama në daljet e tij publike në vijim të fushatës është shprehur se data 30 Qershor është e panegociueshme, ndërsa presidenti Meta nga ana tjetër nisi dje konsultimet me partitë e vogla të së djathtës për vendosjen e një date të re për zgjedhjet lokale.

Ende nuk dihet nëse PS do të pranojë që të ulet në një tryezë të thirrur nga presidenti i Republikës sa kohë që aktin e tij për shtyrjen e zgjedhjeve e konsideron nul.