VIDEO/Shqiptarët i japin një jetë të re, Franko operohet me sukses

0
121

“Shqiptarët për shqiptarët” në News24 solli emisionin e kaluar historinë e Frankos 17-vjeçarit nga Kavaja. Fatkeqësitë nuk i janë ndarë nga mosha 5-vjeçare kur u aksidentua duke luajtur para shtëpisë së tij. Prej asaj ditë ai ka pasur shumë vështirësi në të ecur. Adoleshenti prej kohësh vuante edhe nga deformimi në shtyllën kurrizore. Sëmundja po agravonte nga dita në ditë. Franko u mbyll në vetvete por një ditë guxoi që të kërkonte ndihmë nga mësuesit e tij.

Operacioni i Frankos shkonte në mijëra euro por ajo që bën me emergjente është se Franko Çerri, 17 vjeç, rrezikon të mos shkojë më në shkolle e më pas të mbetet i paralizuar për gjithë jetën.
Elvis Naçi nga studio e “Shqiptarëve” bëri thirrje të premten e kaluar që shqiptarët t’i qëndronin pranë Frankos dhe familjes së tij. E ëma e Frankos nuk po e përballon dot më pasi djali tjetër i saj Vangjeli, 25 vjeç, nuk ka ecur asnjëherë. Franko ka bërë gjashtë operacione tek këmbët, por nuk mundet dot të ecë siç duhet. Por kjo nuk është e gjitha, një vit më parë Frankos fillon t’i deformohet shtylla kurrizore, shumë shpejt pamja e trupit të tij do të bëhet e frikshme ndërsa dhimbjet janë të padurueshme.


Çdo ditë e më shumë ai tha para kamerave se ndjen dhimbje tek krahu i djathtë aq sa nuk mund të flejë dot. Sotiri babai i dy djemve është shumë i dëshpëruar por nuk ka asnjë mundësi për t’i shëruar. Familja nuk ka asnjë mundësi ekonomike për të kryer operacionin, i cili kushton shumë shtrenjtë. Babai është i papune, vetëm Genti djali tjetër 21 vjeç punon dhe ndihmon familjen.

Por gjatë kësaj jave thirrja e Elvis Naçit është dëgjuar dhe historia e djalit ka prekur shumë shikues. Me gjithë zemër shqiptarët kontribuuan që Franko të operohet dhe t’u shpëtojë dhimbjeve të tmerrshme që ka çdo ditë.

Vëllai i tij Genti thotë se Franko është i fortë dhe do ta përballojë me sukses operacionin. “Presim që të dali shumë mirë. Kishte frikë, më kërkoi mos të qaja për të para se të futej në operacion. Pritja është e vështirë për ne, lutem të dali mirë”, thotë ai.

Babai tha se Franko do bëhet mirë pas këtij operacioni. “Ka vuajtur shumë pasi ka bërë 6 operacione të tjera”. E ëma tregon fjalët e të birit. “Më tha se nuk kishte frikë, e dimë që operacioni është shumë i vështirë, këtë gjë nuk ia thamë”.

Mësuesja e Frankos ishte në spital ku takoi familjen e tij duke pritur pas derës se operacionit. Mjeku iu dha lajmin familjarëve. “Franko është mirë, operacioni përfundoi, çdo gjë është mirë. Ai është në rregull”.

Djali u operua me sukses nga ekipi i mjekëve të specializuar. Tashmë Franko ka një shans tjetër për jetën. Dëshira e nenës por edhe e vëllait që la shkollën për të mbajtur familjen u bë realitet.

Pas operacionit Franko po rehabilitohej në dhomën e tij kur papritur Elvis Naçi dhe Sidrit Bejleri tek “Shqiptarët për Shqiptarët” në News24 i bënë një surprizë duke e vizituar.
“Ne do të jemi gjithmonë pranë teje”, i tha Elvisi duke i dhënë kurajë.

Franko shprehu dhe emocionet e para. “I dua shumë prindërit, vëllezërit, u thashë mos qani kur u futa në operacion”, tha ai.
E ëma e Frankos nuk resht së shprehuri mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan. “Falënderoj gjithë shqiptarët ata bënë një mrekulli. Unë kurrë nuk do ta shëroja dot Frankon. Operacioni ishte shumë i shtrenjtë”, thotë nëna.

Sidriti i jep shpresë familjes. “Ju do ta shikoni Frankon duke ecur drejtë ashtu si shokët. Do i bëheni krah familjes”.
Elvisi thotë se ky është shembulli i dashurisë së vëllait për vëllain. “Ne bashkohemi dhe kjo është derë që u hap. Rasti i Frankos është i veçantë keni përjetuar sprova. Zemrën dhe shpirtin e keni të mirë por dashurinë e keni shumë të madhe. Djali juaj e ka zemrën e butë. Zoti para ne mbrapa. Franko ne do të vizitojmë sërish, do jesh si gjithë bashkëmoshatarët e tu, duam që të jesh shembullor. Ti rrezaton mirësi të jesh i mirë për shqiptarinë. Nesër do ndihmosh dikë tjetër ashtu si shqiptaria të ndihmoi sot”, tha Elvisi.
Franko falenderoi te gjithe shqiptaret.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here