Siguria ushqimore vijon të jetë një nga problemet më të mëdha në vendin tonë, pavarësisht se herë pas here ndërmerren fushata nga AKU për kontrollin e bizneseve.

Ndonëse gjobat janë të larta, një pjesë e bizneseve tregohen ende të pakujdesshëm, kur vjen fjala te datat e skadencës apo kushtet e ruajtjes së produkteve.

Gazetarja e Fax News Ervina Shehaj, ka denoncuar në profilin e saj në Facebook atë që ndodh në qytetin e Gjirokastrës, ku çokollatat tregtohen në markete, edhe një javë pas afatit të skadimit, çka përbën një rrezik për shëndetin e konsumatorëve.

Për ironi të fatit thotë Shehaj, një ditë më parë ajo ka kryer dhe një bisedë me drejtorin e AKU-së në Gjirokastër, i cili ka deklaruar se kontrollet nga institucioni që ai drejton kanë qenë të shpeshta në marketed he dyqane, madje ka pasur dhe gjoba të shumta për subjektet.

“Si për ironi fati sot bëra një lajm lidhur me AKU në qarkun Gjirokastër dhe ky është rezultati. Çokollata e blerë ditën e djeshme në Gjirokastër ,skadenca 17.07.2019 . Faleminderit shteti im,kështu na vrisni nga pak…cdo ditë”, shkruan Shehaj në Facebook.

Duket se edhe njëherë tjetër, siguria mbetet në dorën e vetë qytetarëve, të cilët duhet të ‘’bëjnë sytë katër” në markete, në mënyrë që të mos përballen më pas me pasoja për shëndetin e tyre.

Përtej deklaratave dhe retorikës, AKU ende ka shumë punë për të bërë në kontrollin e bizneseve, e ndoshta strategjia e kontrolleve duhet rishikuar, dhe duhet bërë një analizë e thellë e pasojave që kanë qytetarët nga këto neglizhenca.

(E.K/Faxweb.al)