Bedri Islami

Rrallë herë kam njohur një qytet të mençur si Shkodra. Kam shkruar më herët se Shkodra është kryeqyteti i mendjes. Në qytetet e ndryshme të Kosovës kam dëgjuar shpesh herë se, si thoshin të vjetrit, perëndia kur i ndau mendtë njerëzisë, tre hise i la në Shkodër dhe pjesën tjetër në të gjithë dynjanë.

Shkodra është e bukur gjithnjë, sidomos në pranverë. Ndoshta ka dhuntitë e falura bujarisht; tre lumenjtë që e rrethojnë e pak më tej liqeni, të gjitha nën gjelbërimin e stinës të duken se kanë bërë rrethimin e gjelbër; ndërsa Maranai e Cukali, ende të zbardhur kanë ende pjesën e tyre në ditët e pranverës.

Të gjitha këto ia dhashë vetes këto ditë në Shkodër.

I thashë edhe shumë gjëra të tjera, por fjalën nuk e kam për një reportazh. Ndoshta koha ia përpiu hapësirën reportazheve.

Është budallaqe Shkodra që ndryshe nga shumë qytete të tjera vazhdon të quajë veten bastion i vetëm një force politike, apo si ndodh rëndom kjo është një sëmundje politike e budallenjve të Shkodrës?

Vërtet është Shkodra skajmërisht e djathtë, e pa lëvizur nga e djathta, strehë e çdo lëvizje politike në të kundërtën e saj, apo një dorë jashtë saj, e barazlarguar nga “ Sheshi i Dëshmorëve” e kërkon këmbulshmërisht këtë qytet si një peng i mendimit të shumëllojshëm, të lirë dhe plot dritë?

Ky nuk është një mendim i tashëm. E kam bluar prej kohësh: më saktë e kam pasur në vete që nga 2 prilli i vitit 1991, kur në njërin nga sheshet e qytetit mbetën të vrarë katër vetë, tre djem të rinj dhe një burrë, dy nga të cilët i kisha njohur e njërin prej tyre, Arben Brocin i kishim dritaret ballë njëri- tjetrit; më saktë, dritaret e fisit të Brocërve binin në oborrin e shtëpisë ku unë banoj edhe sot e kësaj dite, ashtu si fisi i tij banon ende aty.

Në 2 prillin e vitit 1991 isha një kohë në atë shesh. Jo si demonstrues, sepse edhe ata që e quajtën veten të tillë vetëm demonstrues nuk ishin. Asaj dite pata njohur nga afër Ded Kasnecin, i cili i tha të njohurit të tij se “o do e djegim sot Komitetin e Partisë, ose unë do të varrosem”. I njohuri i tij, Shaqir Vukaj me të cilin isha, i pat thënë se nuk është nevoja as të digjet dhe as ai të varroset, se gjërat mund të zgjidhen me mend e jo me zjarr, por fitili ishte ndezur me kohë dhe pritej vetëm shpërthimi.

Në këtë 2 prill isha përsëri në Shkodër. Megjithëse zakonisht nuk jam njeri i kafeneve, isha ulur në mjediset luksoze Grand Hotel Europa, pronë e deputetit të LSI-së, Agron Çela. Isha ulur dhe nuk e dija se pas pak aty do të mbahej një meting, ritual i çdovitshëm dhe se do të kisha “fatin” të ndiqja nga larg “liderin” pëdëist, Basha.

2 prilli i këtij viti ishte një suroggato e 2 prillit të vitit 1991. Një pamje e turpshme e mjerimit politik dhe e braktisjes. Një shesh që nuk ishte mbushur as në një të dhjetën e tij, përgjithësisht njerëz të lodhur, të shtyrë nga një tufë deputetësh, që tashmë nuk kishin as forcën dhe as energjinë për të përkrahur liderin e ardhur nga Tirana.

I shihja ata njerëz që prisnin në shesh, ishte vapë e parakohshme, por gjithsesi asgjë nuk i ngrohte. As zëri i sforcuar i Bashës, që u premtonte se, ja, edhe pak ditë qeveria Rama do të përmbyset, se , ja, edhe pak do të duronin…se Shkodra ishte themel e shkuar themelit, se nga Shkodra ka nisur gjithnjë fitorja e revolucioni dhe se, ja…mbaroi.

Kujt i fliste ai njeri me atë zë të lodhur nga padija? Jam i bindur se menjëherë pasi ka kaluar urën e parë të qytetit as nuk është kujtuar më për Shkodrën e as për heronjtë e demokracisë, ashtu si jam i bindur se nëse dikush e pyet sot për emrat e tyre, shumë – shumë, ai mund të sjellë ndër mend vetëm dy prej tyre.

E megjithatë, ai e grishte qytetin të ngrihej, të shpallte revolucionin e tij, të marshonte drejt Tiranës, ku rrinë këllqet e lodhura të tij dhe të plakut politik renegat; ai kërkonte rishtas nga Shkodra kurbanët e tjerë, të tjerë emra, dhe, përmes tyre, si ndodhi me të rënët e 2 prillit, të ndërtojë pushtetin e tij.

Shkodra e mençur qëndronte nën hijen e blirëve, një tufë metingashësh, mes tyre deputetët metingashë, kërkonin budallallëkun e saj.

Kisha qeshur me vete kur kisha dëgjuar një drejtues të deleguar komune, pas përmbytjeve, se Shkodra duhet të veprojë si Katalonja. Të jetë e mosvarme nga pushteti dhe, ai, karabush i thonë në Shkodër, kishte renditur se, Shkodra ka hidrocentralet, sikur të ishin në xhepin e tij, ka minierat, sikur të jenë korpusi i pasurisë së tij. Kisha qeshur, sepse kudo mund të gjesh të tillë. Në prillin e vitit 1991, kur kisha dëgjuar thirrjet , “Shkodra –Republikë”, që filmoheshin vetëm nga kamarat e mediave malazeze e serbe, nuk kisha qeshur. Kam pasur brenda vetes një peng dhe shtrëngim, pasi e dija se në atë çast, numri metingash po sundonte mbi mendjet e zgjuara të Shkodrës. Kisha pritur gjatë që kjo dalldi e paguar jo keq…pas 2 prillit lindën shoqata të fuqishme pro serbe….të kisha fundin e saj dhe jo rastësisht qesha me vete, kur dëgjova se një anamalas donte ta bënte Shkodrën si Katalonja.

Dhe kur mendova se mençuria ishte më e fuqishme se sa mediokriteti, dhe në fakt është, pashë në qendrën e qytetit një grusht njerëzish, ndoshta 50 vetë a diçka më shumë që të mbledhur rreth deputetësh dhe Zonjës së Parë të Bashkisë, bërtisnin “Rama ik”, kur ai ende nuk kishte ardhur, dhe në fund xhevahiri bashkiakes se “ Shkodra e ka shpallur Edi Ramën përson non grata”.

E dëgjuar në rrugë nga të mllefosur edhe hahet. Mllefi është këshilltar i keq, por vjen një ditë dhe bie. E thënë nga kryetarja e Bashkisë, me atë seriozitetin e budallshëm në të tilla raste, e ngrefosur sikur kishte dhënë gjëmën për pushtetin, më erdhi keq. Jo për qytetin tim, i cili përmes bojkotit, e kishte shpallur “ non grata” kryetaren e tij, por për vetë atë, Zonjën, që e kisha marrë në mbrojtje publikisht në një debat të saj me shefin e qeverisë.

E di se tani në pragun e zgjedhjeve bashkiake, duhet dëshmuar besnikëri, por, pyetja e parë që i bëhet: kush jeni ju që, për hir të politikës, me cilin tagër , shpallni “nën grata”, shefin e qeverisë?

Cilët qytetarë keni pyetur? Cili referendum është bërë?

Matematika e thjeshtë e dy zgjedhjeve të fundit parlamentare ka nxjerrë forcë të parë linjën e së majtës në hartën elektorale të Shkodrës, por edhe nëse do të ishte ndryshe, cilën krrabë tërheq pas vetes?

Thirrjet halucionante për t’ ia mbyllur dyert shefit të qeverisë, se mos iu pyet njeri se kur vjen e kur shkon, ngazëllimi se ja nuk po vjen, sonetat nën dritën e hënës për fitore, cilën?, përpjekja e dëshpëruar për të krijuar për banorët e qytetit imazhin e njerëzve antishtet, të gjitha janë me një fillesë të vitit 1991 dhe katër vrasjet ende të mbetura nën hijen e dyshimit.

Thirrjet për të ndarë veriun nga jugu, krijimin e një ndasie të re, jo vetëm politike, nuk janë pjesë e qytetit. Ka qenë gjithnjë një qytet i mençur që e ka ditur të vërtetën.

Vërtet Shkodra ju ka zgjedhur, por që të jeni me mend, jo të bëni një lojë faqekeqe deri sa edhe harresa do të ishte e largët.

Shkodra nuk është budallaqe. Edhe nëse ajo një ditë, që nuk do të vijë kurrë, do të votonte e gjitha për të djathtën, përsëri ajo mbetet një rilindje e mendimit të hapur.

Budallenjtë duan ta tërheqin pas vetes. Të zemëruar se gropa e hapur në vitin 1991 është drejt mbushjes, duan me çdo kusht, ta përplasin edhe një herë mendjen e qytetit me budallallëkun e verbërisë së tyre.

Do të jetë e kotë. Ujërat nuk rrjedhin dy herë në të njëjtin vend.

Vetëm budallenjtë dhe të shiturit rrahin në të njëjtin ujë.

Shoh edhe tani, në këtë çast, lulet e qershive që kanë çelur.

Shkodra nuk është e vitit 1991. Asaj kohe ishte derdhur dufi i një epoke që pritej ndaj asaj që po shkonte.

Shkodra atëherë bëri zgjedhjen e saj. Nuk kishte qenë as qyteti më i vuajtur, as më i prangosur, as më antikomunisti, as më desidenti, as më hekakeqi.

Kishte qenë një qytet nën diktaturë, si e gjithë Shqipëria.

Tani, 27 vite më pas, raportet kanë ndryshuar. Kush nuk e di këtë të vërtetë, ka ende rrugë për të bërë drejt mendjes.