Aktorja Marjana Kondi në një reagim në mediat sociale i është përgjigjur Kryeminsitrit Edi Rama, në lidhje me debatin për Teatrin Kombëtar. Kondi shkruan se Rama i ka keqpërodur dhe keqcituar fjalët që ajo ka thënë dikur për Teatrin Kombëtar.

Në reagimin e saj Kondi shkruan se ajo është pushuar nga puna në Teatrin Kombëtar dhe pse është me e duartrokitura. “Jam distancuar nga debati për teatrin dhe do të përfshihem kur të shoh që mendimi i artistit vërtetë vlen për teatrin dhe jo për përdorim politik”, përfundon Kondi.

REAGIMI I PLOTË

Unë vlej! Jam aktorja dhe punonjësja e parë e cila në vitin 2014 reformoi Teatrin Kombëtar duke më larguar nga puna ( arsyet e së cilës i di vetëm drejtuesi i institucionit) Jam aktorja që Shteti Shqiptar dëmshpërbleu me XX000000 lekë për largimin tim të padrejtë nga puna. Jam aktorja që sot Kryeministri i Shqipërisë më dedikon një status në faqen e tij.

Jam aktorja që konsiderohem nga një Kryeministër Artist si një ndër artistet që ka mbledhur më shumë duartrokitje në skenën e Teatrit Kombëtar. Shoh që jam cituar por jo plotësisht, zakon i vjetër i politikës që në rastin më të mirë e thotë të vërtetën përgjysmë dhe kjo e bën atë të gënjeshtërt. Kryeministri apo çdo palë politike duhet t’i citojë dhe referojë artistët në gjithë të vërtetën e tyre dhe e verteta ime është që pasi kam kërkuar kushte, më kanë larguar nga puna në teatrin kombëtar, pikërisht unë që Kryeministri thotë që jam duartrokitur shumë. Jam distancuar nga debati për teatrin dhe do të përfshihem kur të shoh që mendimi i artistit vërtetë vlen për teatrin dhe jo për përdorim politik. Unë vlej! Vlej sa gjithë duartrokitjet e publikut tim.

Kryeministri Edi Rama në vazhdën e nxjerrjes së deklaratave të aktorëve që sipas tij janë pro shembejs së Teatrit, sot publikoi mendimin e Marjana Kondit. Rama shkruan se Kondi është një nga aktoret më të duartrokitura dhe është rreshtuar krah artistëve që kërkojnë ndërtimin e një teatri të ri. Ndërkohë që Rama ’lufton’ në Facebook, artsitët vijojnë protestën e tyre natë e ditë në oborrin e Teatrit Kombëtar, për të ruajtur godinën.