Skandalet me ushqimet nuk kanë të mbaruar. Disa ditë më parë u gjet një magazinë ku mes miellit kishte minj të ngordhur, ndërsa sot është bllokuar 27 ton mish pule nga Brazili, pa dokumentet e domosdoshme se ato mund të konsumohen nga qytetarët.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka njoftuar se, “në Pikën e Inspektimit Kufitar Durrës nga ana e inspektorëve të AKU u ushtrua kontroll në një ngarkesë me sasi totale 27 ton “mish pule” me origjinë nga Brazili dhe destinacion Shqipërinë, e cila rezultoi se nuk plotësonte kërkesat ligjore të sigurisë ushqimore pasi kishte mangësi në dokumentacionin shoqërues (pavlefshmëri të certifikatës veterinare).

Për rrjedhojë u arrit në përfundimin se ngarkesa me produkte importi është e pasigurt për konsum njerëzor dhe u vendos kthimi i saj në vendin e origjinës”.

Në total nga ana e AKU-së është njoftuar sot se janë bllokuar 27.642 ton produkte të pasigurta në Fier, Korçë, dhe Shkodër, përfshirë këtu edhe 27 tonët e mishit të pulës.

Një rast tjetër flagrant është një subjekt me aktivitet “Njësi prodhim, tregtim buke dhe mëngjezore” në Bërdicë të Shkodrës, që ushtronte aktivitetin i parregjistruar në QKB (shkelje për të cilën u bë njoftimi i strukturave të Tatim Taksave Shkodër), pa sistem gjurmueshmërie, si dhe me kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare (pajisjet e punës të papastra dhe me prani ndryshku, muret të dëmtuara, tualeti me dalje të drejtpërdrejt në ambjentet e punës dhe pa analiza të ujit të pijshëm).