E para është xhubleta!

0
117

“A rrezikon të humbasë kjo vlerë materiale?!”

“E para ishte fjala! Në trashëgiminë materiale shqiptarë, e para ishte xhubleta!” Kjo shprehje e studiueses dhe etnologes së njohur Afërdita Onuzi duket se i jep përgjigje, rëndësisë që ka veshja tradicionale e Shqipërisë së Veriut, në tërësinë e vlerave tona shpirtërore. është vërtetuar ndër vite nga studimet e bëra se, xhubleta përfaqëson veshjen më të hershme në Shqipëri dhe në Ballkan. Ajo sjell pikërisht mesazhe nga qytetërimi ilir në kulturën popullore shqiptare.

Luljeta Dano, koleksioniste dhe studiuese e xhubletës, e cila i ka kushtuar jetën kësaj vlere materiale, tregon për portalin “Pozitivi.org” se kostumi po rrezikon zhdukjen, pasi ka pushuar së prodhuari në fund të viteve ‘50. “Prodhimi i xhubletës tradicionale, me të gjithë parametrat e saj, ka ndaluar në vitet 1950 apo 1960. Të prodhohet një xhubletë kërkonte 6-8 muaj. Më pas nuk janë prodhuar më. Natyrisht që në logun e bjeshkëve shikojmë xhubleta për vajzat e vogla, që nuk kanë lidhje me prodhimin e dikurshëm të xhubletës”, shprehet Dano.

Kjo është arsyeja pse koleksionistë dhe studiues si Dano, kërkojmë prej disa vitesh tashmë, që xhubleta të regjistrohet në UNESCO, me qëllim mbrojtjen dhe ruajtjen e saj. Por, që ky artefakt i rrallë e 4 mijë vjeçar, i trashëgimisë tonë materiale të regjistrohet në UNESCO, si fillim duhet të kalojë një filtër serioz të inventarizimit në bazë komuniteti. Thënë ndryshe, sa xhubleta origjinale ka sot të ruajtura dhe dokumentara në Shqipëri? “Rreth qindra” thotë Luljeta Dano, duke ju referuar koleksioneve private dhe disa muzeuve në vend. “Unë kam parë edhe në shtëpitë malësore që në qilarë kanë arka që janë me xhubleta të paprekura. Pavarësisht se shumë xhubleta kanë dalë nga tregjet e Shkodrës, Milotit edhe Krujës, është për t’u gëzuar që shumë xhubleta janë edhe nëpër familje. Mendoj se edhe arkivi shtetëror ka rreth 33 xhubleta. Koleksionet private shkojnë nga disa dhjetëra në qindra”, shprehet koleksionistja.

Po pse nuk prodhohen më sot xhubletat? Ndërtimi i saj është mjaft i sofistikuar, ndaj edhe e kthen realizimin e këtij kostumi popullor në sfidë të madhe. “Gruaja malësore duhet të ketë një “tabelë logaritmesh” në kokën e saj që ta thurë kokërr për kokërr sythi dhe ta montojë në një mënyrë të tillë që të marrë formën e duhur të kambanës dhe të rrijë në këmbë.” tregon koleksionistja Luljeta Dano. Mjafton kjo arsye, për të kuptuar pse xhubleta nuk prodhohet më dhe pse regjistrimi për t’u mbrojtur është domosdoshmëri.

Modeli i Xhubletës

Veshja me xhubletë e merr këtë emër, nga një lloj fundi në formë këmbane të valëzuar. Veshja është mbajtur në të gjithë malësitë e Alpeve të Shqipërisë, përfshi edhe pjesën e alpeve në Malin e Zi. Xhubleta shoqërohet edhe me disa pjesë të tjera prej shajaku me ngjyrë të zezë, të cilat quhen grykës, mangë, dhe krahol. Pjesë tjetër është edhe brezi i gjerë i zbukuruar me rruaza dhe gajtana, i cili në të folurën krahinore quhet kërrdhokëll. Në kokë mbahej një shami e bardhë, e lëshuar mbi shpatulla. Këmbët mbroheshin me këllçi shajaku ose me çorape të gjata si dhe me opinga lëkure. Veshja peshon rreth 15 kilogramë.

Kuriozitete mbi xhubletën

Xhubleta bëhej besnikërisht në vijë familjare dhe çdo vajzë që e vishte mbarte përmes saj statusin familjar. Një shembull është xhubleta e bardhë, apo xhubleta e gruas së divorcuar. Xhubleta e bardhë, vishej nga vajzat deri në momënrin që martohej. Kjo xhubletë dallohet nga qëndisja, cilësia e punimit dhe simbolet e fertilitetit që ka. Xhubletat e bardha janë shumë të rralla në ditët e sotme.

Ndërsa xhubleta e gruas së divorcuar, njihet ndryshe edhe si “e thakut të premë”. Ajo i përket zonës së Dukagjinit dhe në bajrakët e Mirditës apo dhe të Dukagjinit, ka qenë ligji që kur burri divorconte gruan, i priste thekët ose të xhubletës ose të xhokes së bardhë të Mirditës. Simboli më i hasur në xhubletë është shqiponja me dy kokë, me tipare dragoi dhe shumë here gjendet dhe me flakën që dragoi nxjerr nga goja. Gruaja varrosej me xhubletën që martohej. Xhubleta më e mirë, i shërbente asaj në këto dy momente të rëndësishme të ndërrimit të statusit civil të saj, nga vajzë në grua e martuar dhe kalimin në jetën tjetër.

“Gjithçka e universit të xhubletave, tregon një alta modë. Çdo element, që nga çorapja çizme, përparëset e mbivendosura, grykashkat, pa folur për trungun e veshjes që është mrekullia arkaike.” shprehet koleksionistja Luljeta Dano. #Pozitivi #Internews #Albanian+

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here