Kryeministri Edi Rama i cilëson një furtunë në gotë reagimet e opozitës dhe jo vetëm, pas publikimit të raportit final nga OSBE-ODHIR për zgjedhjet lokale të 30 Qershorit.

Rama këmbëngul se zgjedhjet kanë qenë legjitime, dhe tashmë duhet të punohet mbi rekomandimet e OSBE-ODHIR për reformën elektorale, që do ti shërbejë vendit për zgjedhjet e 2021-shit.

Kreu i qeverisë shton se dora e shtrirë e bashkëpunimit vlen dhe për opozitën jashtëparlamentare, po bashkëpunimi duhet të arrihet sa më parë, pasi i intereson shqiptarëve.

“Përpjekja për të ngritur një furtunë në gotë mbi Raportin e OSBE/ODHIR-it është e kotë, e gabuar dhe e dëmshme për vendin,e në radhë të parë për opozitën joparlamentare! Raporti ka çertifikuar zgjedhjet si krejt legjitime e ka dhënë rekomandime në shërbim të reformës që na duhet!

Zgjedhjet e 2021 nuk janë larg për kohën që duhet për adresimin e rekomandimeve në funksion të Reformës Zgjedhore. Prandaj le të fokusohemi tek kjo reformë themelore dhe të përgatisim me frymë DIALOGU e BASHKEPUNIMI, zgjedhjet e ardhshme. Dora jonë është e shtrirë për të gjithë.
Çdo vonesë e kotë sot e bën më të vështirë arritjen e një rezultati domethënës, në adresimin e problematikës së evidentuar përmes rekomandimeve. Ne presim, po koha nuk pret qytetarët tanë pa dallim, presin prej nesh të hapim një faqe të re DIALOGU e BASHKEPUNIMI për Shqipërinë” shkruan Rama nw Twitter.

Pjesë nga raporti:

“Deklarata e gjetjeve paraprake dhe përfundimeve të lëshuara nga MOM i ODIHR më 1 korrik konkludoi se “Zgjedhjet lokale të 30 qershorit u mbajtën me pak kujdes për interesat e elektoratit. Opozita vendosi të mos marrë pjesë, dhe qeveria vendosi të mbajë zgjedhje pa të. Në klimën e një bllokimi politik dhe të polarizimit, votuesit nuk kishin zgjedhje kuptimplota midis opsioneve politike. Në 31 nga 61 bashki kandidatët për kryetarë garuan pa kundërshtarë.

Kishte pretendime të besueshme për qytetarët që po bënin presion nga të dy palët. Konfrontimi politik çoi në pasiguri ligjore, dhe u morën shumë vendime të administratës zgjedhore me objektiv politik për të siguruar zhvillimin e zgjedhjeve. Votimi u zhvillua në përgjithësi në mënyrë paqësore dhe të rregullt dhe numërimi u vlerësua pozitivisht në përgjithësi, megjithëse disa procedurat nuk janë ndjekur gjithmonë si duhet ”, thuhet në fillim të raportit i cili përbëhet nga 34 faqe.

Në këtë raport OSBE/ODHIR vlerëson se dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht paqësore, megjithë tensionet dhe përplasjet e izoluara nga në një numër i vogël të komuniteteve.

Sa i përket debatit për numrin e pjesëmarrësve në votime, duke referuar në Raport shifrën e KQZ, në raport thuhet: “Votuesve jo gjithmonë ju kontrollua gjurma e bojës apo jo gjithmonë u shenjua me bojë përpara dhënies së fletës së votimit. Në listat e zgjedhësve u konstatuan nënshkrime dukshëm identike, që janë provë e votimit me përfaqësim nga të tjerë. Në listë janë nënshkrime identike për llogari të disa personave, apo mos shënjimi me bojë, ngre dyshimin e madh se numri i votuesve është rritur artificialisht, nëpërmjet votimit të një personi ne emër të disa personave”.

Duke mos lënë pa bërë edhe rekomandime për këtë çështje, në lidhje me depolitizimin e administratës zgjedhore, ODIHR shkruan se “ligji ofron mundësi që partitë politike të përfaqësohen në mënyrë të barabartë në të gjitha nivelet e administratës zgjedhore”.

ODIHR ka rekomanduar që këto emërime të bëhen në mënyrë të depolitizuar, por në këto zgjedhje, emërimet u përdorën nga partitë për manovra politike në kurriz të paanshmërisë.

Refuzimi i opozitës për të emëruar anëtarët e tyre, e kombinuar me interpretimin e ligjit nga KQZ në mënyrë të tillë që anëtarët mund t’i emërojnë vetëm partitë që kundërshtojnë zgjedhjet, e la administratën zgjedhore pa ekuilibra politikë. Si rrjedhojë, vëzhguesit e ODIHR-it shprehën që pati mungesë besimi në komisionet e të gjitha niveleve./Faxweb.al