Sa të paedukatë janë të famshmit shqiptarë?

0
35

Në një kohë kur gjithnjë e më tepër bëhen thirrje për të ndryshuar terminologjinë nga “persona me aftësi të kufizuar” në “persona me nevoja të veçanta”, për të shmangur çdo konotacion negativ, në komunikimet e personazheve të njohur shqiptarë nëpër media – ku përgjegjësia për kodin e etikës supozohet të jetë dyfish e lartë – vihen re deklarata me natyrë ofenduese dhe diskriminuese ndaj një kategorie të caktuar njerezish, në këtë rast ndaj personave me nevoja të veçanta.

Së fundmi, në një intervistë në rubrikën “Bermuda” në emisionin “Treshat”, Erik Lloshi u pyet “nëse vazhdon depilohet tani që është martuar” si një mënyrë për të thënë që “a kujdeset sërish për veten si në kohën kur ishte beqar”. “Të kuptosh diçka, unë jam martuar, nuk jam invalid,” përgjigjet Eriku duke qeshur më pas së bashku me Romeo Veshajn.

PHOTO COURTESY OF DOSJA.AL

Në fund të gushtit, teksa mbronte ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj pas skandalit me faturat e kripura nëpër hotele luksoze, deputeti Myslym Murrizi iu drejtua një qytetari: “Ik qërrohu se më vjen të vjellë kur shoh që një dawn komenton në Facebook-un tim.”

Në nëntor të 2018-s, deputeti i Partisë Socialiste, në një status kundër ish-kryeministrit Sali Berisha, iu drejtua atij me termin “autik” si një mënyrë për ta ofenduar. Pas reagimit të ashpër të qytetarëve dhe anëtarëve të shoqërisë civile, Hyseni e zëvendësoi termin nga autik në “i çartur”. Asokohe, themeluesja e Down Syndrome Albania, Emanuela Pepkola Zaimi, u shpreh se “politikanët nuk duhet të përdorin gjendjen e fëmijëve për fyerje”.

Kryebashkiaku Erion Veliaj, në një takim me banorët e Unazës në nëntor të 2018-s, si për të thënë se polices Ina Nuka – që u godit me kapsollë dhe dëmtoi gishtërinjtë – iu shkatërrua jeta, u shpreh: “Jemi të gjitha burra, i shkojnë sytë të martohet një burrë me një vajzë pa gishta?”.

Po kështu, në qershor të dy viteve më parë, kryetari i Bashkisë së Pukës, në një video të bërë publike asokohe, i drejtohej një mjekeje me fjalinë “ti je invalide nga trutë”.

Figurat e njohura shqiptare dhe kushdo tjetër kanë të drejtën e fjalës. “Mund të mos bie dakord me atë që po thua, por do ta mbroj deri në vdekje të drejtën tënde për ta thënë,” theksonte dikur Volteri. Por citati nuk vlen gjithmonë dhe shembujt e mësipërm e vërtetojnë këtë.

Një pjesë e mirë e deklaratave fyese ndaj një kategorie të caktuar janë bërë në media, ku qartë Kodi i Transmetimit e ndalon një gjë të tillë. Në Kodin e miratuar nga Autoriteti i Medias Audiovizive saktësohet qartë se ndalohet diskriminimi me bazë seksi, race ose origjine etnike, kombësie, moshe, besimi, feje, paaftësie ose orientimi seksual.

Thënë e gjitha kjo për t’i mëshuar faktit se duhet treguar kujdes dhe përgjegjësi me deklarata të tilla, pasi gjuha kocka s’ka, por kocka thyen.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here