Ndeshja mes Vllaznisë dhe Tiranës tashmë ka përfunduar, megjithatë ajo vijon të “luhet” ende jashtë fushës së stadiumit. Pas fitores së bardhebluve 2-0 në stadiumin “Loro Boriçi”, tifozët kanë nisur debatet në rrjetet sociale për atë që ndodhi pas sfidës në Shkodër.

Situata u agravua tej mase duke u dashur ndërhyrja e uniformave blu për të shmangur incidentet mes tyre. Në një lajm të publikuar ditën e djeshme nga newsport.al, ku mbështetësit shkodranë ironizonin tifozët bardheblu për mënyrën e sjelljes në “Loro Boriçi”, reagimet ishin të shumta. Në sy binin komentet negative, por nuk mund të mungonin as ato pozitive.

Madje tifozët e vjetër të dy klubeve që kanë bërë histori në kampionatin shqiptar mundohen të vënë “paqe” duke kujtuar kohën e viteve më parë kur lojtarët e skuadrave respektive flenin në shtëpitë e miqve shkodranë apo anasjellas.

Në fakt ajo panoramë që dhuroi post-ndeshja mes Vllaznisë dhe Tiranës nuk i ka aspak hije një përballje sportive. Një nga tifozët më të zjarrtë të bardhebluve, Alban Berisha së bashku me ata shkodranë që kanë kontribuar për vite me radhë në shkallët e stadiumit replikojnë së bashku duke kujtuar kohën, kur pas 90 minutave si futbollistët ashtu edhe tifozët ishin vëllezër me njëri-tjetrin.

Kauza e tyre duket e drejtë sepse tashmë ka ardhur koha që gjithçka të lihet brenda ndeshjes dhe jashtë saj të gjithë t’i gëzohen ose respektojnë fitoren e kundërshtarit.