Champions League, UEFA zyrtarizon stadiumet e finaleve për tre sezonet në vazhdim

0
143

Liga e Kampionëve ka pak ditë që ka nisur fazën në grupe.

Megjithatë kuriozitet janë të shumta në lidhje me skuadrat që mund të kalojnë më tej, apo edhe fituesin e këtij sezoni.

Ashtu siç është bërë e ditur kohë më parë, finalja e këtij viti do të luhet në Turqi.

UEFA ka shuar kuriozitet edhe për të ardhmen, ku sot janë përcaktuar edhe 3 stadiumet për sezonet në vazhdim.

Kështu, finalja e vitit 2021 do të zhvillohet në Rusi, në stadiumin e Shën Peterburgut ku luan ndeshjet skuadra e Zenitit.

Do të jetë hera e dytë për Rusinë që do të presë finalen e Champions, teksa në vitin 2008, Mançester Junajtid triumfoi me penallti në stadiumin Luzhniki të Moskës ndaj Çelsit.

Ndërkaq, finalja e vitit 2022, do të luhet në stadiumin e Bajern Mynih.

Në atë stadium është zhvilluar më parë finalja mes Bajern dhe Çelsi, e cila përfundoi me suksesin e Bluve të Londrës nga pika e bardhë.

Ndërkohë, finalja e vitit 2023 do të mbahet në stadiumin mitik, Uemblej të Londrës.

Dy herët e fundit që është luajtur një finale në Uemblej ka qenë në vitet 2011 dhe 2013 ku kanë triumfuar respektivisht Barcelona dhe Bajern Mynih.

Gjithashtu në këtë stadium do të luhen edhe ndeshjet gjysmëfinale dhe finalja e UEFA EURO 2020.

/Egi Çabeli-VipSport.al/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here