Krahas larmishmërisë se informacionit që gjenerohet në rrjetet sociale, qëndrimi pa orar i përdorimit të rrjeteve sociale ka një ndikim jo dhe aq pozitiv sidomos te fëmijët.

Një gjë të tillë e pranon dhe psikologia, Adelina Pjetra, e cila bën përgjegjëse prindërit.

“Ka efekte të shumta negative. Fëmijët zhyten në rrjete sociale sepse nuk kanë një komunikim të shëndetshëm me prindërit e tyre, ndihen të vetmuar, nuk pyeten për nevojat e tyre dhe psikologjike,”-shpjegoi Adelina Pjetra.

Hapësira kohore e përdorimit të rrjeteve sociale shpesh i kalon limitet duke i kthyer fëmijët në vartës dhe pëlqyer të një game të gjerë fotosh e videosh.

Për Ora News, prindërit e pranojnë që fëmijët e tyre kanë varësi ndaj rrjeteve sociale.

“Përgjegjësi kanë prindërit që në moshë parashkollore i mësojnë me celularë.”

“Shumë herë prindërit për të qenë të lirë ata vetë u japin telefonin.”

“Jo vetëm fëmijët e mi, por të gjithë në telefon.”

“Duhet të edukohen prindërit njëherë dhe pastaj të edukojnë dhe fëmijët.”

Psikologët sugjerojnë që prindërit duhet të bëjnë një axhendë për fëmijët e tyre, ku në rrjetet sociale ti lënë vetëm një herë në javë për vetëm dy orë.