URT-ja e Durrësit është e njohur në të gjithë vendin për radiot dhe televizorët. Prodhimet e saj u shpërndanë në të gjithë Shqipërinë dhe për shkak të cilësisë së tyre flitej gjithandej si për një nga uzinat më të mira.

Uzina e Radios dhe Televizorëve në Durrës ka nisur të funksionojë fillimisht si një punishte me prodhime artizanale dhe produkte të ndryshme. Ajo shërbeu për prodhime elektronike të konsumit të gjerë dhe për sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Punishtja e parë daton në vitin 1963 si një repart më vete i Uzinës Elektromekanike. Vetëm diku rreth viteve 1973-1974 mori fizionominë e saj të plotë dhe filloi të funksionojë si uzinë.

Vit pas viti ajo u përsos në pajisje e teknologji të kohës duke bërë që të hapen linja prodhimi me teknologji të përparuar. Kështu u hap linja e përpunimit të qarqeve të stampuara, e prodhimit të kasetave, si dhe ajo e prodhimit të një varg detalesh metalike dhe plastike.

Në vitet 1980 për herë të parë u prodhua televizori me ngjyra i markës “Blaupunkt”. Në pikun e kapacitetit të prodhimit URT hidhte në treg 9 mijë radio dhe 6 mijë televizorë.

UZINA

Uzina mori emërtimin e saj të plotë vetëm në vitin 1973, pasi për më shumë se 10 vite shërbeu si punishte. Hapat e para të saj janë hedhur nga Ali Çitaku, i cili punonte në shtëpinë e pionierit si drejtues i repartit të elektronikës.

Thuajse asgjë nuk ekzistonte në ato vite. Punishtja e viteve 1965 u hap afër stacionit të vjetër të hekurudhës.

Ata që kanë punuar në atë kohë aty e kujtojnë se si punishtja u transformua në pak vite në një repart cilësor dhe në shkollë për shumë vajza e djem që më pas do të jenë edhe një nga kolonat e Uzinës së Radios dhe Televizorëve.

Sipërfaqja ishte diku te rreth 30 m² dhe tri dhomat, në të cilat kishte disa pajisje të thjeshta të linjave të drurit, përbënin të gjithë inventarin e saj.

Në vitet 1965, Ali Çitaku dhe Agim Fishta marrin disa vajza, që sapo kishin përfunduar shkollën e mesme dhe i përgatitën për të prodhuar bobina në bobinazhin me thurje.

Ata gjetën mbështetje te drejtori Hysen Ballhysa, i cili u kërkonte specialistëve të bënin ç’ishte e mundur për ta zgjeruar aktivitetin, pasi ai merrte përsipër të siguronte fondet e duhura.

Bobinatriçet ishin të vogla e të thjeshta. Me kalimin e kohës në këtë punishte modeste u vendosën oshiloskopë, aparate të kolaudimit etj.

Këtu, në këtë vend, u prodhua radio e parë nga Çitaku e Fishta, emri i të cilëve u bë shumë shpejt i njohur jo vetëm në Durrës.

Kjo shtoi volumin e punës, ndërsa repartet u zgjeruan pasi në pak muaj u morën edhe 65 të rinj të tjerë.

Njëherësh vihet re interesimi i ndërmarrjes për të kërkuar specialistë të zotë. Kështu në atë uzinë në miniaturë u punësuan mjeshtrat e prodhimit Mirban Kadiu, Kristaq Ekonomi e Maksim Prifti.

Dy-tre vite më pas, në sajë edhe të përkushtimit e aftësive të veçanta të inxhinierit të elektronikës Lulzim Topçiu, u prodhua televizori i parë bardhezi. Për shkak të zgjerimit të reparteve u pa e arsyeshme të krijohej uzinë më vete për radiot e televizorët.

Reparti, së bashku me pajisjet dhe aparaturat, u transferua në vendin që sot qytetarët e njohin si zona e URT-së. Ndërtimet për uzinën pasuan njëra-tjetrën. Atje u vendosën pajisje elektronike për automatizimin e proceseve industriale.

Në kapanonet e mëdha e të larta u sistemuan makineritë e importuara nga jashtë dhe në një kohë të shkurtër uzina u bë qendër shumë e rëndësishme.

Në rreth 20 vjet të veprimtarisë së saj u prodhuan disa dhjetëra tipe radiosh, televizorësh, magnetofonësh, stabilizatorësh e aparatesh të tjera matjeje, kontrolli, komandimi etj., duke plotësuar gjerësisht nevojat e vendit.

Në më shumë se 5 mijë m² shtrihej uzina në të cilën u punësuan 1500 teknikë e specialistë. Uzina gjatë gjithë kohës së ekzistencës së saj prodhoi vetëm për tregun e brendshëm, ndonëse radiot e televizorët e saj patën sukses dhe rezultuan cilësorë.

URT-ja ishte një nga uzinat më të rëndësishme të asaj kohe, me një eksperiencë 25-vjeçare në këtë fushë.

PRODHIMI

Prodhimi i parë daton në vitin 1965. Mjeshtrat e prodhimit Ali Çitaku, Agim Fishta dhe Kristaq Ekonomi me pjesët që gjetën në disa ndërmarrje bënë radion e parë. Kjo pasoi prodhimin e pesë të tjerave brenda muajit.

Veprimi zgjoi interesimin edhe të qeverisë ndaj një vit më pas punishtja u vizitua nga Mehmet Shehu, asokohe kryeministër i Shqipërisë. Radiot e para patën disa probleme të vogla, por ato nuk ndikuan aspak në uljen e vullnetit për të prodhuar.

Përkundrazi, Mehmet Shehu u kërkoi teknikëve që të merrnin model radiot italiane për të bërë më pas modele të ngjashme. Pas këtij takimi me kreun e qeverisë së asaj kohe teknikët e URT-së nisën të mbledhin pjesët e nevojshme nëpër magazinat e vendit.

Në Shkozet apo në magazinat e komunales kishte shumë pajisje për radio e televizorë. Ato ishin pjesë të mira kineze, jugosllave, gjermane etj. Specialistët e teknikët i adaptonin pa shumë vështirësi, nisur edhe nga përvoja e fituar si dhe mendimi i kualifikuar.

Radiot të gjitha u emërtuan “Durrësi 1”, Durrësi 2” e kështu me radhë, por edhe “Iliria”. Elektrifikimi i vendit akoma nuk kishte përfunduar, prandaj teknikët vendosën të prodhonin radio me bateri. Ato ishin 30 cm dhe kishte shumë kërkesa.

Bateritë i prodhonte ushtria vetëm për uzinën e vogël me amperazh e voltazh të ndryshëm. Radio kishte rëndësi të madhe edhe politike për kohën, prandaj qeveria ishte e interesuar ta mbështeste linjën e prodhimit kryesisht të radiove me bateri.

Me ardhjen e Lulzim Topçiut në këtë uzinë të vogël puna njohu hov cilësor. Përveç radiove u prodhuan edhe televizorët e parë në vitin 1968. Të gjitha pjesët ishin të magazinave të vendit, ndërsa materiali nga importi do të niste të vinte në vitet ‘70.

Të 120-130 televizorët e parë u pëlqyen shumë, kurse teknikët e inxhinierët filluan të shohin mundësitë e modifikimit të mëtejshëm të tyre.

Topçiu jo vetëm që e njihte mjaft mirë specialitetin, por ishte edhe njeri me botë të thellë duke u bërë shumë aktiv e i besuar tek të gjithë. Uzina dhe ecuria e saj është e lidhur ngushtësisht me emrat e mësipërm.

Vit pas viti aty nisën të vijnë teknikë e inxhinierë që kishin mbaruar shkëlqyeshëm studimet e larta. Bashkim Kopliku, Adrian Qereshniku, Vladimir Shehu (djali i kryeministrit Mehmet Shehu), Dhimitër Vrahoriti u bënë zëri më novator për të ndërtuar një uzinë moderne për kohën dhe për të futur linja të rregullta prodhimi të radiove, televizorëve, amplifikatorëve, magnetofonëve, stabilizatorëve etj. Nga Shijaku vinte për të punuar në uzinë edhe Mustafa Gjonku. Ai kishte shumë dëshirë të bënte amplifikatorë, qendra zëri….

Duke parë punën me pasion të Gjonkut, mjeshtri i prodhimit, Ali Çitaku, vendosi që amplifikatorët të emërtoheshin “Erzeni”. Në këtë kohë nisi edhe importi i pjesëve si llampa, rezistenca, kondesatorë apo elemente të ndryshme.

Përgjithësisht furnizimet bëheshin në ish-Jugosllavi, Itali, Hungari. Qeveria shtonte herë pas here fondet për uzinën. Ali Çitaku shkonte vetë jashtë shtetit dhe mbikqyrte furnizimet.

Kohë pas kohe shkonin jashtë në uzina të ndryshme të prodhimit të televizorëve dhe radiove teknikë e inxhinierë të tjerë nga ku merrnin modele të ndryshme. Në fillimet e veta prodhoheshin jo më shumë se pesë radio në muaj për të shkuar deri tek 50 të tilla.

Pasi u ndërtua Uzina e Radiove dhe Televizorëve prodhimi ditor shkonte në 300 copë në muaj. Me futjen në linjë të prodhimit të amplifikatorëve, stabilizatorëve dhe magnetofonëve u pa e nevojshme zgjerimi i objekteve.

Të gjitha shkollat e ndërmarrjet nisën të furnizoheshin me qendra zëri e radio. Me pjesët që merreshin në Nish, Jugosllavi u prodhua televizori “Rozafa”, kurse me atë të linjës rumune televizori “Adriatiku”.

Përmirësimi i linjave bëri që të prodhohej edhe televizori me ngjyra “Blaupunkt” në vitin 1980, prodhim gjerman. Specialistët dhe inxhinierët në Durrës ishin aftësuar të prodhonin çdo markë televizori.

Pasi gjetën pjesë teknikët prodhuan televizorin “Riviera”, “Rozafa” të njëjtë me PHILIPS-n italian e BLAUPUNKT-in gjerman. Për shkak të kërkesës së madhe në treg u rrit edhe sasia e prodhimit, e cila shkoi deri në 9000 radio në vit dhe 6000 televizorë.

Një radio shitej mesatarisht 5 mijë lekë, televizori bardhë e zi 45 mijë lekë dhe ai me ngjyra 60 mijë lekë. Televizorët jepeshin vetëm me autorizim. Uzina arriti që të prodhojë edhe bobina për transformatorët e tensionit të lartë dhe një hap i tillë u cilësua si sukses për kohën.

Marrë nga portali i Durrësit: Durreslajm.al