Kërkohet një Mjeshtër i Vogël!

0
72

Nga Besart Jacaj

Presidentët e Shqipërisë, pas viteve 2000, përveç se kanë tundur deri në shkundje krahu flamujt e partive nga kanë “pjellë”, do të mbajnë gjatë mbi shpinë edhe një mëkat akoma më të rëndë, dhënien e titujve pa kriter për artistë e amatorë në këtë vend.

Dekretet e krerëve të shtetit, në këtë rast, i kam parë si plumba automatiku që kanë vrarë drejt e në zemër kulturën e një vendi, që artin e ka “si ujin e pakët” për t’u mburrur.

Një ndër shumë format institucionale me të cilat ne si vend nderojmë artin dhe artistët e tij, titulli “Mjeshtër i Madh” është dhënë më kollaj se një të pamunduri statusi i invalidit a një të moshuari e drejta për pension.

Këta tituj janë bërë aq qesharakë sa të ngjajnë me tregtarët e domateve që kur afron mbrëmja, e shesin mallin e tyre me çmim më të lirë, thjesht për të mos e kthyer më në shtëpi.

Njëjtë si presidentët! Ata zakonisht i kanë shpërndarë dekoratat në vitin e parafundit ose të fundit të mandatit dhe kështu kanë shlyer çdo borxh për “talentet e partisë” (artistë me bindje politike të caktuara) pavarësisht kritereve, ku si për çdo gjë të padrejtë në Shqipëri, nuk mbyllet njëri sy, por të dy.

E pabesueshme për t’u besuar, “Mjeshtër i Madh” në vendin tonë janë komedianë humori me jo më shumë se 15 vite eksperiencë (në televizion) dhe që në teatër kanë shkuar vetëm për të protestuar kundër shembjes së Kombëtarit.
Nëse disa janë nderuar pa e nisur mirë karrierën, disa të tjerë, as më vonë as më herët se… pas vdekjes!!!

Duke mbështetur idenë se “kiameti për mua bëhet atë ditë që vdes”, nuk arrij kurrsesi ta kuptoj se çfarë një artisti në çdo fushë të jetës mund t’i duhet një titull i tillë kur nuk jeton më. Megjithëse, dakord, artistët e mëdhenj i urrejnë titujt!

Më vjen ne mend biseda më një artiste të njohur shkodrane që edhe pas shumë vitesh karrierë ende nuk e kishte marrë titullin dhe kur e pyeta a i vinte inat, më tha: Kur e shaf kush e ka marrë aa? Ja, ia rritte dreqi neren (presidentit), s’e du hiç!

Nuk e di si ndihen (kudo qofshin) Kadri Roshi a Violeta Manushi (etj. etj. etj) që këta tituj i kanë marrë afër ose pas vdekjes. Sidomos kur janë nderuar njerëz që karrierën e kanë ndërtuar me paruke grash e tollumbace në formë cicash.

Mund të mos marr vesh fare si janë këto punë, si jepen titujt, si ndahen çmimet, por di të them që është mbushur vendi me mjeshtra të mëdhenj.

Andaj në fund, modesisht ju lutem, më njoftoni edhe mua po takuat (ndonjëherë) një mjeshtër të vogël!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here