Tinka Kurti, “Bota” më çoi te Noja, ja pse e pranova rolin e 97 në kinema

0
42

Shqipëria e sotme, por me plagët e komunizmit vjen në filmin “Bota”, një prodhim kinematografik që sjell dhe aktoren e njohur Tinka Kurti. Personazhi i gjyshes shënon për aktoren rolin e 97 në filma, dhe ajo shprehet se i erdhi si një dhuratë e bukur.

Tregon se është ndjerë mirë me rolin, edhe pse ka një dramë të madhe në jetën e personazhit. Në intervistën dhënë për gazetën, aktorja e cila sot ka një vend nderi në filmin dhe teatrin shqiptar, tregon se ka mirëpritur çdo rol, dhe aktori gjithmonë duhet të japë më të mirën për realizimin e tij.

Por të flasësh me aktoren e njohur “Nderi i Kombit”, ke shumë se çfarë të marrësh për kinemanë shqiptare dhe filmat e Kinostudios. Ndërsa flet për filmin ndër vite, ajo pohon se nuk mund të mohohet kinemaja e para ’90, ka qenë një punë e bërë me sinqeritet dhe dashuri, dhe rezultati sot janë filmat që nuk harrohen. Edhe pse mban mbi supe më shumë se 80 vite, aktorja tregon se energjinë për profesionin e gjen tek dashuria që ka për aktrimin dhe premton të tjera projekte në vijim.

-Me filmin “Bota” ju shënoni rolin tuaj të 97 në kinemanë shqiptare. Këtë herë personazhi juaj, gjyshja Noja, ka marrë shumë vëmendje në publik. Ju si aktore, si ndiheni me këtë rol?

Për mua roli në këtë film është si një dhuratë e bukur, e shtrenjtë. Kam pasur fatin në filmin “Bota” që të bashkëpunoj me artistë të mrekullueshëm. Ishte e rrallë, por në kaq filma sa unë kam xhiruar deri tani u bëra dhe me mbesë në film, pra këtë herë jam me rolin e gjyshes, Noja, një personazh që ka një dramë në jetën e saj. Gjatë karrierës sime shumë vjeçare, jo të gjithë kanë qenë role kryesore, por kanë qenë personazhe të ndryshme. Unë e quaj veten krenare, sepse në karrierën time nuk nënvlerësoj asnjë rol. Gjithmonë sa herë që marr një rol, qoftë dhe një rol i cili nuk ka qenë kryesor, unë e dua njëlloj, si të interpretoja një rol të madh. Unë jam gjyshe vetë në jetën time jashtë kinemasë, dhe ndaj me këtë rol u kënaqa shumë. Por dhe aktorja e re, Flonja Kodheli ishte shumë e mirë.

-Aktorja Flonja Kodheli vajza e artistes së njohur Justina Aliaj. Vlerësimi juaj pas artistes Justina vjen dhe për të bijën?

Flonjës ia njoh familjen, nënën e saj Justina Aliaj, një artiste shumë e mirë. Por dhe Flonja ishte një vajzë e thjeshtë dhe aq e mirë sa më mahniti. Unë në karrierën time si aktore kam lozur me Justinën, në teatrin e Shkodrës, e cila siç ju pohova është një aktore e talentuar dhe këngëtare shumë e mirë, dhe u gëzova shumë që dhe në këtë film ishte dhe Flonja me rolin e saj. Me atë karakterin e saj aq të mirë dhe aq e thjeshtë, ajo më hyri në shpirt.

-Gjatë prezantimit që iu bë filmit për në Festivalin e Karlovy Vary-t, në Çeki, nga regjisorja u pohua se jo vetëm si premierë botërore është shumë e rëndësishme për filmin, por dhe e quajti sfidë përballjen me publikun shqiptar?

U gëzova shumë që ky film do të jetë premierë botërore në një prej festivaleve më të njohur të filmit në botë, por dhe për mua është shumë e rëndësishme premiera e filmit në Shqipëri. Besoj se publiku do ta mirëpresë këtë film, i cili sjell një histori dhe ngjarje që besoj tregojnë shumë.

-Edhe pse në një moshë që mbani mbi supe afër 82 vite, spikasni për energjinë që keni në jetën artistike?

Më pyetët kush më mban kaq energjike në profesionin tim si aktore? Më mban pasioni që kam unë për punën time, për profesionin tim. Unë nuk jam poete dhe as nuk mund të pretendoj që jam poete e shkëlqyer, megjithatë me disa vargje kam bërë një poezi të vogël. Në këto vargje unë them:Të dua o profesion, sa dua djalin tim E ti nuk ke të drejtë që më qorton, se të dy janë gjaku dhe shpirti imNgrihem në mëngjes dua djalin ta takoj,në mos tjetër me të në telefon të komunikojTi ku je se numrin më nuk ta di se ke ndërruar dhe shtëpi

Se do të vija tek ti, se edhe ty të kam fëmi… Kështu i them unë profesionit tim, aktrimit. Kjo është ndoshta dashuria që më ka mbajt afër me këtë profesion, sepse po shkoj 82 vjeç.

-Keni një jetë të gjatë artistike, dhe kur keni qenë vetëm 14 vjeçe ju jeni ngjitur në skenë. Por përballë kësaj krijimtarie kaq të vlerësuar në kinemanë shqiptare, ku erdhi dhe roli më i fundit në filmin “Bota” që është i 97 në karrierën tuaj, cili ka qenë më i vështirë për ju si aktore?

Rolet gjithmonë i kam vlerësuar, dhe ndër vite kam lozur karaktere dhe personazhe të ndryshme. Por mendoj se është Nënë Pashakoja në filmin “Yjet e netëve të gjata”. E them këtë sepse unë kam qenë një vajzë shkodrane, grua shkodrane, isha 38 vjeçe atë kohë dhe duhej të luaja një nënë të moshuar, me djem korçare që ishin vërtetë nga Korça, dhe atë kohë mu duk një guxim i madh i të ndjerit Viktor Gjika. Por i jam shumë mirënjohëse, faleminderit prej tij, sepse ai më ka ndihmuar shumë që unë ta përballoj atë rol. Por siç e kam pohuar, dhe këtë e them me shumë sinqeritet, unë si aktore sa herë e shikoj atë film them: “sa borxhlije i jam asaj nëne të vërtetë”.

-U shprehet se në karrierën tuaj keni role nga më të ndryshimit, sot kur po shkoni në moshën 82 vjeçare, në një shikim që ju i hidhni karrierës suaj, me cilin personazh je ndjerë më mirë si aktore?

Kjo është shumë e vështirë të thuhet. Aktori nuk ka të drejtë të thotë, ku është ndjerë më mirë. Vetëm spektatori, publiku, është ai që di të gjykojë më mirë. Unë vetë nuk mund ta them se ku jam ndjerë më mirë, ndaj është spektatori ai që më gjykon.

-I takoni një brezi artistësh, regjisorë dhe aktorë, që me filmat e tyre kanë zënë një vend shumë të vlerësuar në kinemanë shqiptare. Si një aktore që keni spikatur me talentin tuaj që me filmin e parë artistik të metrazhit të gjatë, “Tana”, më 1958, pse filmat e Kinostudios qëndrojnë ende në publik, edhe pse kanë kaluar shumë vite, dekada?

Nuk mund të mohohen filmat tanë të atyre viteve, do të ishte krim të mohohej filmi jonë. Ne si artistë të gjithë kemi qenë shumë të sinqertë në punën tonë. Sigurisht që mund të kemi pasur defekte në interpretim të rolit, në kamera, por megjithatë ajo ka qenë një krijimtari që meriton vlerësim. Unë shikoj të tjerët në filma dhe më pas kthehem tek unë. Jam kritizerja më e madhe e vetes sime, por mendoj që filmat tanë kanë vlera të mëdha për kinemanë shqiptare.

– Gjatë konferencës së prezantimit të filmit, u pohua se publiku shqiptar nuk shkon shumë në kinema. Duket sikur ka humbur interesi i duhur?

Kjo është e vërtetë, por megjithatë nëse nuk shkon shumë në kinema, sot kohët kanë ndryshuar, dhe televizionet kanë marrë shumë vëmendje, duket sikur kinemaja është në shtëpi.

-“Bota” është filmi juaj i parë artistik me metrazh të gjatë që mban emrin e një regjisoreje të re, e cila ndërsa deri tani ka sjellë disa filma për publikun, kjo është hera e parë që prezantohet me një film artistik me metrazh të gjatë. Pas një eksperience të madhe që ju keni me filmat, çfarë vlerësoni tek kjo regjisore?

Për mua Irisi është me shumë talent, shumë e kujdesshme. Por vlerësoj shumë dhe punën që bënte bashkëshorti i saj në film, Thomas Logoreci. E vlerësoj sepse ai rrinte me kamera, kontrollonte çdo gjë me shumë kujdes. Të dy janë shumë të mirë në punën e tyre.

-Si do të kalojë ky sezon për ju?

Mund tu them se jam shumë e angazhuar, por është shpejt për të bërë deklarata për projektet. Më vonë do të filloj të jem në film pas filmi, ku do të jetë dhe film artistik me metrazh të gjatë. Ndërkaq që gjatë këtyre ditëve kam qenë dhe në Festivalin e Filmit në Sarandë.

-Në fund të kësaj bisede ku ju u përqendruat më shumë në filmin dhe kinemanë shqiptare, po teatri. Çfarë mund të na thoni për teatrin dhe angazhimin tuaj?

Kam dhe një projekt në teatër, është një vepër që është shkruar nga dramaturgu Fadil Kraja, i cili në veprën e tij ka shkruar për mua një rol për moshën time. Besoj se sapo të mbaroj këto angazhime që kam me filmin do të jem me vëmendje në teatër. Teatri është pak më i bukur se filmi. Ke spektatorin afër, që të duartroket, por dhe në rast se bën një gabim të nesërmen e rregullon atë se je sërish në skenë, ndërsa në film kjo nuk ndodh. Por filmin dhe teatrin i dua të dy njëlloj, nuk kam ndjerë lodhje si aktore, por kam marrë vetëm kënaqësi. Arti nuk ka se si të të lodhë.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Burimi: www.sot.com.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here