Tërmet në Top Channel/ Ben Blushi mbyll programet, “Portokalli’ drejt largimit në këtë televizion

0
348

Vazhdon tërmeti në Top Channel, por jo vetëm për shkak të koronavirusit. Rënia e audiencës, sidomos e programeve informative që janë kthyer në altoparlantë qeveritarë, po shoqërohet me të tjera probleme. Një e përditshme publikoi një mesazh të drejtorit Ben Blushi, ku paralajmërohej mbyllja e disa programeve për shkak të situatës.Në mesazhin e fshirë më vonë thuhet se këto emisione do të pushojnë prodhimin: Dilema, E Diell, Dua, Top Show, Portokalli, Take me Out, Procesi Sportiv.Në mesazhin e Blushit thuhet se ky kufizim kërkon një adaptim formule edhe për Open, Fiks Fare, Wake Up, Shqipëria Live, Pop Culture.

“Si do paguhen stafet artistike dhe teknike të të gjitha programeve që do pezullohen në kushte karantine? Kini parasysh se kompania prej një jave nuk po shet sepse klientët nuk reklamojnë pothuajse asgjë në kushte karantine. Pra duhet t’ju them të gjithëve të përgatisni stafet, sepse në javët që do vijnë deri në lehtësim të gjendjes së jashtëzakonshme, kompania do detyrohet të rishikojë politikën e pagave deri në anulim të një numri prej tyre,” thuhet në mesazh.

Situata bëhet e vështirë sidomos për programin ikonik të Top Channel, Portokalli.Mbrëmjen e pardjeshme programi “Portokalli”, një ndër më të ndjekurit u transmetua në një version ndryshe, të xhiruar nga shtëpia.Burimet thonë se aktorët janë ofruar te televizione të tjera, për të nisur një tjetër program, ndoshta me emrin ‘Mandarina’. Burimet shtojnë se më pranë një marrëveshje duket televizioni Ora. Kjo nuk do të ishte hemorragjia e parë nga ky program televiziv, por nëse ndodh tani, mund të jetë goditja fatale për të.

Portokalli nisi jetën këtu e 17 vjet më parë dhe ishte program ku u investua dhe u bazua shumë ringritja e Top Channel. Aktorët dhe producentët e shihnin shumë të lidhur Portokallinë me emrin e themeluesit të TCH, Dritan Hoxha.Kujtojmë se vetëm para disa ditësh, një nga aktorët e mbetur në këtë program, Gaz Paja, tha se është i hapur për t’u larguar.

“Ne jemi si futbollistët, vëlla, nëse dikush na ofron diçka më të mirë pse jo. Unë jam njeri besnik si natyrë, por në një moment kur nuk më ofrohen të gjitha gjërat, sigurisht që do të shikoj punën time. Për momentin jam mirë tek ‘Portokalli’, nëse televizoni ku jam aktualisht nuk vazhdon në linjat që kam nisur unë, shoh shtëpinë time dhe nuk ma ndjen fare. Sepse pazaret i kam bërë me një burrë tjetër që fatkeqësisht nuk është më. Unë jam në ‘Portokalli’, por nuk përjashtoj mundësinë të jem kudo”, tha ai në një intervistë në Vizion Plus.

/ SYRI.net/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here