Tërbohet Edi Rama, thërret Piperon, Manastirliun, Ahmetajn: E keni bërë kurbën si kur*en, stabilizojeni!

0
271

Drejtori i luftës, OSBE-së dhe i shtet-rrethimit, Edi Rama, i zemëruar në kulm, thirri sot në orën 15:00, urgjent në video call, Ministreshën e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliun, Ministrin e Tërmeteve, Koronavirusit dhe fatkeqësive që do të vijnë, Arben Ahmetajn dhe njëkohësisht mjekun e famshëm të ditëve të sotme, zotni Pëllumb Piperon.

Korespodenti i rubrikës tonë satirike, “Tej e këtej”, me shumë sakrificë dhe inteligjencë, mundi të hakeronte programin që mundëson videocallin dhe solli të zbardhur të gjithë bisedën e mëposhtme:

Edi Rama: Ju kam thirrur për kurbën! Ky është problemi më i rëndësishëm që ka bota sot. Kurba është pika nevralgjike e koronavirusit dhe këtë gjë kaq të rëndësishme, pra kurbën, ma keni kthyer si kur*ën, ulu, ngrihu, ulu, ngrihu, pa pikë kuptimi! Dje, 8-të të infektuar, sot 19-të, pardje 7-të, nesër ndoshta 27-të!
Profesor Pipero, ç’është kjo mor burrë?! A jeni në terezi?

Doktor Pipero: Po ja zoti kryeministër, virus shumë tekanjoz duket. Ka shumë mutacione… Nuk dimë si të sillemi! Ti e ke parë edhe vetë. Ç’themi sot, nuk e themi nesër. E gjithë bota po vuan. Sa më shumë lexojmë, aq më pak dimë për këtë virus. Kur ka vënë poshtë Amerikën, merre me mend ç’mund të na bëjë ne, kupton?

Edi Rama: Mirë mor profesor, mirë! Ogerta, si mendon ti, ç’do të bëjmë me kurbën?

Ogerta Manastirliu: Po mua ma hoqe të drejën e kurbës, zoti kryeministër. Të merret Pëllumbi, më ke thënë dhe unë ja lashë të gjithë kurbën në dorë profesorit.

Edi Rama: Lëre moj këtë muhabet ti! Të paskam hequr të drejtën! Si mund të të heq unë ty, të drejtën e kurbës?! Ti je e linjës dhe je përgjegjëse e parë për kurbën. Piperon e kemi për deklaratat, si burim i pavarur që është.
Arben ti si mendon?

Arben Ahmetaj: Ç’të të them unë shef? Kurbat në këtë botë, janë të shumëllojta, të shumëngjyrshme dhe të panumërta, por unë, të them të drejtën, këto kurbat e viruseve, as nuk i njoh, as nuk marr vesh. Pastaj, me gjithë këto detyra që më ke ngarkuar, si ministër për të gjitha fatkeqësitë edhe po të merrja vesh, nuk do të kisha kohë të thellohesha dhe të kontribuoja.

Edi Rama: Pipero, si mendon, si do ta vendosim stabilizimin e kurbës, se po bëhemi gazi i njerëzve profesor? Po botës, pse nuk i lëvizin kurbat si këtu te ne, hë Pipero, më thuaj?

Doktor Pipero: Po ja, mutacionet… Sa më shumë lexojmë, natën dhe ditën, aq më pak…

Edi Rama: Të lutem profesor, të lutem, ma bëre kokën mut me këto mutacione! Bota, pse nuk i ka kurbat kaq të lëvizshme po të pyes? Profesor, thirri mendjes, se me çmendeeeeee…!

Doktor Pipero: Lexova pak gjithë natën që shkoi, zoti kryeministër, se më duhej dhe për te Fevziu dhe mësova që bota ka tre lloje koronaviruse. Lloji i parë është A-ja, që shtrihet në Amerikë dhe Australi. I dyti është B-ja, që kishte për qendër Wuhanin dhe rreth e qark Hubein. Këtu zoti kryeministër, nuk e kuptoj përse shkencëtarët e Kembrigjit, e quajnë B dhe jo A, atë të Kinës, se në fakt aty lindi?! Por, ndoshta e kanë ngatërruar A-në me B-në, se edhe shkencëtarët, njerëz si ne janë, zoti kryeministër.
Të premten do ta cek pak tek Çani këtë problem, se është edhe ai doktori alternativ aty.

Edi Rama: Po lloji i tretë, kush është dhe ku shtrihet, se të thashë, që më çmende profesor?!

Doktor Pipero: I treti është C-ja, që shtrihet në Itali, Spanjë dhe Angli…

Edi Rama: Po ne, cili lloj na kap profesor, se ma hoqe trurin, po të them?

Doktor Pipero: Ne zoti kryeministër, ka mundësi të na kapë edhe A-ja edhe B-ja edhe C-ja, ndryshe nuk ka si shpjegohet gjithë kjo tronditje e kurbës. Ti e sheh vetë, lart e poshtë, poshtë e lart…

Arben Ahmetaj: Zoti kryeministër, unë them që profesor Pipero, t’i shpjegojë këto gjëra tek Fevziu dhe ne të bëjmë një punë tjetër, për stabilizimin e kurbës.

Ogerta Manastirliu: Cila është kjo punë tjetër Arben?

Arben Ahmetaj: Po ja, unë them të ndërpresim të gjitha testet nëpër Shqipëri dhe ti bëjmë në Sarandë. Atje, s’ka asnjë të infektuar dhe në këtë mënyrë, jo vetëm e shtrijmë kurbën në tokë, por mund ta tërheqim horizontalisht sa kohë të duam. Kështu bëjmë një rrugë e dy punë. Kuptoni?

Edi Rama: Pusho o idiot! Mos po rri natën zgjuar dhe sheh filmin me tigra në Netflix dhe më vjen mua këtu, me këto propozime paçavure? Ti bëjmë në Sarandë, thua ti dhe hajde dëgjo Sali Berishën pastaj! E çuan kurbën në Sarandë dhe e mbyllën, do të thotë. Edvin Kristaq Mafia urren veriun dhe nuk çon asnjë test atje, do thotë. Dhe për këtë gjë e besojnë, kupton Arben, se ka qenë edhe doktor?!

Arben Ahmetaj: Po ç’të them unë o zoti kryeministër? Ti vetë na pyet. Na thuaj ç’të bëjmë.

Edi Rama: Ç’të thuash ti? Ja ju them unë, ç’të bëni! Ngrini të tre menderet dhe m’u zhdukni nga ekrani, se më çmendët! Nesër në orën dhjetë, dua me shkrim planin e stabilizimit të kurbës! Kuptuat? Kuptuam, thoni!

/TPZ.al/Tej e këtej/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here