Pas “furtunës” në opinionin publik, Mira Kazhani dorëhiqet nga UKT

0
27

Gazetarja Mira Kazhani, është dorëhequr nga detyra që mbante në ndërrmarjen e UKT.

Lajmin e ka bërë të ditur portali newsbomb.al.

Kazhani ka qenë në qendër të vëmendjes ditët e fundit, për shkak se u zbulua se ajo punonte në UKT, ndërkohë që drejton edhe një portal.

Në një shkrim të saj në portalin që drejton, “Tirana Post”, Kazhani shprehet se do të bënte tre apo katër punë të tjera, nëse do të ishte e nevojshme,  sepse këtë gjë nuk ja ndalon ligji dhe nuk ka shkelur asnjë parim.

Kazhani thotë se rroga si gazetare nuk i mjafton dhe ka nevojë të kryejë edhe punë të tjera, për të përballuar jetën.

Lajmi se Kazhani ishte punësuar në ndërmarrjen e UKT-së me një pagë prej 83 mijë lek, bëri mjaft bujë edhe për faktin se UKT është një ndërmarrje në varësi të Bashkisë së Tiranës, ndërkohë që Mira Kazhani drejton një portal, ku raporton shpesh edhe për punët e Bashkisë së Tiranës dhe veprimtarinë e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Kryebashkiaku Erion Veliaj, ka reaguar pas lajmit të publikuar se dy gazetaret Mira Kazhani dhe Bieta Sulo, ishin të punësuara në UKT.

Veliaj tha në një studio televizive, se UKT-ja merr eksperiencën e këtyre specialisteve në media dhe gjen më të mirat në treg.

“Përsa i përket një kompanie, siç është UKT-ja, e cila është një nga kompanitë më të mëdha në qytet, ndoshta pas OSHEE,  e cila ka nevojë gjithmonë për të marrë këshilltarë, specialistë mediash, konsulentë, për të marrë audit, për të marrë ekspertë kredie. Pra më të mirët që ka tregu, kjo është një gjë që ndodh tipikisht. Kolegët e zotit Lela në Britani, kolegët e tij në Boston, punojnë rregullisht për kryetarët e bashkisë. Kështu që një kompani e qytetit merr eksperiencë dhe kërkon nga specialistë të medias, për mënyrën se si do të komunikojë reforma të caktuara, për mua ka rëndësi bilanci.”, shprehet Veliaj ndër të tjera në emisionin “Real Story

Në një tjetër reagim në rrjetet sociale, kryebashkiaku Erion Veliaj, ka shpjeguar se Mira Kazhani dhe Bieta Sulo kanë punuar si “eksperte të jashtme për strategjinë e komunikimit në UKT”.

Ai thotë se ndihet i keqardhur për sharjet dhe akuzat dhe se ky është një mësim i mirë për UKT-në dhe Bashkinë e Tiranës, për të dhënë sqarime dhe për të qenë më transparentë në të ardhmen.

Reagimi i plotë i Veliajt:

Tre ditët e fundit kam vërejtur me keqardhje shumë sharje dhe akuza në adresën tonë, për shkak të dy zonjave që punojnë në fushën e komunikimit publik, Bieta Sulos dhe Mira Kazhanit, të cilat për një kohë janë kontraktuar si eksperte të jashtme për strategjinë e komunikimit, nga kompania e UK Tiranë.

Bieta Sulo ka kontribuar në UKT nga data 6 prill 2018 deri në datën 20 shtator 2018; pra, gjithsej 5 muaj, gjatë një periudhe kur ende nuk kishte nisur projektin e saj të ri me emisionin e pasdites e të kish suksesin për të cilin anatemohet sot. Pas përfundimit të marrëveshjes kontraktuale për komunikimin publik të kompanisë, ajo nuk ka më asnjë marrëdhënie me UKT-në.

Ndërsa, Mira Kazhani ka shërbyer si këshilltare mediash pranë UKT-së për një mandat, një praktikë që është ndjekur prej vitesh nga ndërmarrjet sh.a në Shqipëri – e ku disa prej atyre që sot u hidhen në fyt nga ekranet dhe portalet e tyre, i kanë pasur vetë këto pozicione. Për këta të fundit nuk do humbisja asnjë sekondë, por ia detyroj këtë shpjegim atyre që janë helmuar nga kjo histori mediatike, që ka marrë dhenë edhe në rrjetet sociale. U kërkoj ndjesë për shqetësimin, edhe pse në asnjë sekondë nuk kam dhe nuk kemi menduar asgjë tjetër, përveçse si të bëjmë sa më mirë punën!

Kjo vlen si një mësim për UKT e për vetë Bashkinë, që të mos gjendet herë tjetër as nën presionin e kujtdo mëkatari që hedh gurë në emër të shenjtërisë, po as në pozitën e sikletshme të nevojës për të dhënë shpjegime pas “aksidentit”. Mungesa e sqarimeve të dhëna në kohën e duhur për angazhimin e dy njerëzve të jashtëm në funksion të nevojave të caktuara, nuk duhet dhe nuk do të përsëritet më.

Nga ana tjetër, edhe procesi i marrjes në punë të ekspertëve të jashtëm, siç bëjnë të tëra kompanitë e institucionet e botës për nevoja të caktuara, do të vazhdojë, por duhet e do të jetë edhe më transparent për publikun. Ndjesë edhe njëherë, të gjithë atyre që janë ndikuar negativisht nga kjo histori, por jo ndikuesve të paskrupullt, të cilët thjesht kanë hyrë në një borxh më shumë me publikun e me të vërtetën!

Ju uroj një fundjavë të qetë plot mirësi.

/TPZ.al/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here