Fëmijët t’i lëmë pa shkollë, mjafton të vemi në dasma! Si do ta ruajmë distancën kur kërcejmë pogonishte?

0
96

Shkruan Xhon Metaj:

U arrit marrëveshja me ministrin që këtë vit të kemi dasma. Sa lajm i mirë, të festojmë dhe të gëzojmë pas situatës së vështirë nga koronavirusi.

Vetëm se do festojmë të ndarë, do ulemi larg njëri tjetrit dhe do “këputemi në mes” nga zgjatja kur të trokasim gotat për t’i ururar çiftit “Jetë të lumtur”.

E zgjidhëm edhe këtë problem, por problemin e arsimit nuk po e zgjidhim dot. Për fëmijët nuk paskemi një plan se si t’i çojmë sërish në bankat e shkollës për t’u dhënë dije.

Fëmijët rrezikojnë nëse shkojnë në shkollë, por prindërit e tyre nëpër dasma janë të mbrojtur, sepse në dasma ka alkool, dhe alkooli e zhduk koronavirusin.

Por le të kthehemi te mënyra e organizimit të dasmave, pasi vërtetë është menduar që të ruhet distanca, por ata që paraqitën projektin te ministri kanë menduar vetëm për dasmat që bëhen me anë të agjencive të organizimit të dasmave, ndërsa për ata që nuk kanë mundësi të paguajnë nga 10, 20 apo 30 mijë euro nuk është menduar.

Nuk është mënduar për ata njerëz që duan të bëjnë një dasmë modeste, me aq sa kanë mundësi, por i gjithë plani ishte për dasmat luksoze, ku pasanikët me gratë e tyre që 1 në 2 fjali e kanë “jam në dietë” të shijojnë frutat e detit, shampanjat e shtrenjta dhe të hedhin milionat kur të kërcejë nusja.

Këtyre nuk iu pëlqejnë më ato dasmat me mish dhe patate, ajo pjata me domate, trangull dhe gjizë, nuk iu pëlqen më rakia, por e kanë rritur “piacën” aq shumë sa as nuk po i kujtojnë më dasmat tradicionale.

Po meqënëse e paskan bërë gati planin për ruajtjen e distancës sociale në dasma, çfarë masash janë marrë kur të kërcejnë dasmorët? Si do ta kërcejmë pogonishten? Në distancë 1 metër? Po Napolonin në distancë do e kërcejmë?

Po nusja me dhëndrin do ulen bashkë në tavolinë apo do jenë të ndarë nga 2 metra distancë?

Lokalet dhe stafet e tyre që organizojnë dasma në qytete të vogla, dhe po flasim për dasma të njerëzve me ekonomi mesatare, e kanë të detyrueshme që të punojnë dhe të fitojnë, por në planin që ministri Klosi aprovoi dukej se ishin shumë pak të përfshira.

Nga ky plan përfitojnë vetëm restorantet, kameramanët, DJ-të e lidhur me agjencitë e organizimit të evenimenteve, ndërsa pjesa tjetër do të jenë sërish të papunë.

Rreziku i infektimit në dasma është shumë herë më i madh se rreziku i infektimit të fëmijëve në shkollë, por po mendohet më shumë për lekët se sa për fëmijët dhe për arsimin. Lexova diku diçka që më mbeti në mendje:

“NËSE INDUSTRIA E DASMAVE ËSHTË 200 MILION EURO, ARSIMI ËSHTË I PAÇMUESHËM”.

Zgjidhni njëherë problemet me arsimin, se dasmat presin, sidomos kur po kërkohet që të përfitojnë vetëm disa individë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here