“Janë perla”, Rudina Magjistari komenton gafat e saj dhe sulmon njekësit: Jeni thjesht ca paçavure për të vrarë kohën

0
150

Moderatorja, Rudina Magjistari, ditët e fundit ka qenë në qendër të vëmendjes së mediave, por dhe të faqeve satirike në rrjetet sociale për shkak të gafave të saj. Sot Magjistari ka reaguar sot duke sqaruar laspuset e saj.

Në një reagim në mediat sociale, moderatorja shkruan se ata që i kanë kapur gabimet janë dashakeq. “Uroj t’ju hyjë ndonjë gjë në kokë nga këto, se po s’hyri në kokë do hyjë në këmbë… Jeni thjesht ca paçavure për të vrarë kohën”, shkruan ndër të tjera Magjistari. Më tej ajo thotë se gafat e saj janë perla dhe shton ky është stili saj unik i të bërit televizion, këtu e gati 30 vjet.

REAGIMI I PLOTE

Kaq i rrallë është spontaniteti në këtë vend, natyralja, e vërteta, sa habiten kur e ndeshin. Dhe i duket se ç’gjëmë ka ndodhur! Mesa duket ka aq shumë falsitet e injorance, sa të jesh vetvetja dhe të bësh një televizion natyral, siç ka qenë filozofi e imja gjithë jetën, duket si herezi. Në vend që të kenaqeni e të shijoni një komunikim joskematik, protestoni se sa poshtë ka rënë televizioni. Po turp, s’ju vjen?! I quani gafa, po nga ato të gjithë bëjmë e të gjithë qeshim me njëri-tjetrin. Kurse unë do ti quaja perla more të uruar, sepse na e rrëmbejnë një buzëqeshje gjatë ditës. Sigurisht, ndryshe nga tuajat, apo edhe nga ata që bëjnë një program një dite të vetme në javë dhe kanë kohë ta krasisin siç duan, ato të miat kane më shumë vizibilitet. Sepse gjërat janë të lidhura: orët televizive në transmetim, intensiteti, publiku, audienca, shtrirja në vite e programit, dhe sidomos po të kthehet në objektivin tuaj, sigurisht që duken shumë.

Nqs s’e keni kuptuar akoma, unë BISEDOJ me te ftuarin kur e intervistoj, sepse nuk jam dhe s’dua aspak te bej gazetaren e lajmeve. Dhe te qenurit spontan është tek unë nje kriter i rëndësishëm i zhvillimit të programit. Kush ka punuar me mua, e di mirë sa s’më pëlqen ti parapërgatis situatat në program, por insistoj që gjithçka të ndodhë në mënyrë origjinale direkt në transmetim. Dhe ky është stili im unik i të bërit televizion, këtu e gati 30 vjet. S’po merrem pastaj me rastet, kur unë vetë i ngacmoj të ftuarit me humor dhe ata “të mprehtët”, që janë mësuar vetëm me standardin e humorit të hungërimave, e quajnë si lajthitjen e rradhës.

E di që shumë prej jush, do thonë “po c’merresh me ta”! S’ia vlen! Po ja, që duhet ta shkruaj pikërisht për ta. Që të lexojnë e të kuptojnë, se televizioni në fund fare është ARGETIM, përveçse INFORMIM dhe EDUKIM. Dhe jam krenare që programi im i përmban denjësisht të gjitha këto. Shumë prej jush kanë mësuar pafund nga ky program, ku është prekur çdo lloj teme e dhënë këshilla e mësime në të gjitha format me shumë përkushtim dhe kjo mua më përmbush. Pavarësisht, se është dëshpërues fakti se jeni bukëshkalë e të paedukuar. Ju dashakeqë, që kujtoni se po bëheni interesante, uroj t’ju hyjë ndonjë gjë në kokë nga këto, se po s’hyri në kokë do hyjë në këmbë… Jeni thjesht ca paçavure për të vrarë kohën.

(A.B. Dosja.al)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here