‘Ato 1 mln shuplaka që nuk i përmend më, do t’i kthehen në 3 mln shkelma’, Liçaj shpërthen te TK: Rama nuk i ndihmoi kurrë shqiptarët

0
110

Prishja e Teatrit Kombëtar është një nga debatet më të mëdha sot në sferën politiko-sociale. Pak ditë më parë qeveria e kaloi Teatrin Kombëtar në pronësi të Bashkisë, dhe kjo e fundit i kërkoi artistëve që të lirojnë godinën e Teatrit.

Sipas kryebashkiakut kjo është një temë e ezauruar dhe se Teatri i ri do të ndërtohet. Ndërkohë artistët dhe anëtarët e Shoqërisë Civile vijojnë rezistencën e tyre për të mos lejuar prishjen e Teatrit.

Ditën e sotme ata kanë zhvilluar një takim në selinë blu me kreun e PD-së Lulzim Basha, i cili deklaroi se do i mbështesë artistët në kauzën e tyre. Më herët ka dalë edhe një mesazh i cili ka qarkulluar brenda strukturave të PD-së, në të cilin komunikohej se Lulzim Basha do ta kalojë natën te Teatri Kombëtar.

E ndërkaq, artistët e qytetarët të ndryshëm janë mbledhur në sheshin e Teatrit Kombëtar. Një prej aktorëve, Neritan Liçaj, në fjalën e tij tha se artistët do rezistojnë deri në fund, pasi Rama “nuk ka forcë” të përballet me ta. Liçaj tha se Ramës, ato 1 milionë vota që ai i quajti shuplaka ndaj kundërshtarëve të tij politikë, do t’i kthehen në 3 milionë shkelma. Sipas Liçaj, këto vite qeverisje Rama nuk i ka mbështetur kurrë shqiptarët.

“Ai shkoi derë më derë të çdo shqiptari, jo për t’i ndihmuar, por për t’i kërkuar”, tha Liçaj.

Gjithashtu Liçaj tha se Rama është antishqiptar, pasi i nguli thikën pas shpine Kosovës, duke iu referuar “përplasjeve” që Rama ka pasur së fundmi me ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here