Teatri është kalaja e fundit e lirisë!

0
290

2 vjet Ministër Kulture… 11 vjet Kryebashkiak i Tiranës… 7 vjet Kryeministër; dhe i bëri kujtesës së Tiranës, atë që nuk i bënë fashistë, nazistë e komunistë bashkë.

Hodhi në tokë, Kinema 17 Nëntorin. Fshiu nga faqja e dheut, Kinema Republikën. Asgjesoi Teatrin e Kukullave. La në mëshirë të fatit derisa u përmbyt, Bibliotekën Kombëtare. Zhduku me magji, Cirkun Kombëtar. Fali, Pallatin e Pionerëve.

Shk*rdheu Stadiumin Kombëtar, duke i hequr të vetmen pistë olimpike me parametra ndërkombëtare që kishim në republikë, për ta kthyer në qendrën e 157 tregtare të Tiranës e duke i vendosur atë simbolin fallik 30 katësh në cep (sepse as nuk e fsheh më, babëzinë dhe fodullizmin e vet).

Sot, ka në plan të shfarosë Muzeun Kombëtar, për të liruar vend për kulla të reja. Shtëpitë e fundit otomane të qytetit, po i rrafshon ditën për diell.

Dhe në krye të “listës së dëshirave” ka vendosur Teatrin Kombëtar, të cilit prej 20 vjetësh i ka në dorë fatin… por pasi nuk i ka ngulur një gozhdë të vetme “për shenjë” (as kur ishte ministër i kulturës, as kur ishte kryebashkiak i Tiranës e as sot që është kryeministër i vendit), vjen e na citon gaztorët e oborrit të vet, duke na treguar se godina është e amortizuar për mungesë mirëmbajtjeje dhe duhet shembur me patjetër, për t’u bërë me një teatër modern, me një tjetër qendër tregtare brenda, qendisur enkas për të.

E quajnë një herë dopolavoro e një herë kuti shkrepse, një herë haur asbesti e një herë kashtore… sepse e dinë mirë që vetëm duke i shembur emrin, mund të shembin më pas, godinën.

Por sot, nuk i ha më njeri që i ka dy pare mend, pallavrat e këtij artisti dështak. As të tijat e as të kryetarit të bashkisë, i cili po përdoret si masha e rradhës, jo pa vetëdije. Sjellja e këtij të fundit, me demek si danoç që e do teatrin dhe Tironën, është po aq fallco, sa dashuria që kam unë për Tërpanin.

Na kanë vendosur dhe këto çapa-çula gazetarucë që mbajnë poshtë vetes, të na mbushin mendjen se e vjetra është keq. Të gjorat vemje pa karakter. Edhe kur do ikin nga kjo botë, do kenë nëpër gojë aromën e jashtëqitjes së shefave, për sa shumë i kanë lëpirë b*thën.

Tirana është “Caput Mundi” i shqiptarisë. Është qyteti, që priti dhe pret akoma sot mijëra njerëz, me dyert dhe zemrën hapur; siç priti tim atë, kur ishte njëzet vjeç. Është qyteti ku ai u njoh dhe u dashurua me mamanë time.

Qyteti ku u linda dhe u rrita. Qyteti i fëmijërisë dhe adoleshencës time, mbushur plot me kujtime. Është qyteti ku u riiktheva plot mall, pas viteve të emigrimit. Qyteti ku lindi im bir.
TIRONA, PËR MU O’ DASHNI! TIRONA O’ SHPI!!

Nuk besoj se ka ndonjë qytetar të Tiranës që do ishte kundër ndërtimit të një teatri të ri (do na mjaftonte që këta “ustallarët”, të vidhnin një km rrugë më pak), por sot e di edhe im bir 10 vjeç, që e vetmja gjë që duan me shpirt, është të grabisin truallin, ndërkohë që për Teatrin, nuk ia u ndjen hiç.

Edhe pse personalisht projekti i Bjarke-s më duket më shumë si qendër tregtare sesa teatër, unë nuk kam tagrin të gjykoj a është i duhuri apo jo; sepse për këtë duhet një grup ekpertësh i përbërë nga arkitektë, urbanistë e artistë… por fakti që nuk e ndërtojnë në bulevardin e ri, të cilin e inaugurojnë me bujë çdo 2 km të shtruar me asfalt, tregon qartazi, që nuk ia u ndjen as për Teatër e as për art.

Shpikin lloj-lloj formule/PPP-je/VKM-je për ta shembur e për të grabitur truallin, por thelbi është i njëjti. Këta, janë KÇK-ja e vërtetë e Shqipërisë!

Ndaj mund të sjellin çdo artist “të pavarur”, çdo Vllahutin apo Soreca, që të na mbushë mendjen se e bëjnë për të mirën e qytetit, por tashmë edhe më symbylluri nga adhuruesit e tyre, e ka kuptuar çfarë rrace janë!
Pushtuesit e vërtetë, të këtij vendi!
BARBARË!

Sot Teatri Kombëtar, nuk është më thjesht një çështje godine.
Është memorja historike e Tiranës që njihnim. Është dëshmi kulturore dhe artistike. Është shpirti i kujtdo që ka shkelur në atë sallë, që nga artisti më i madh, deri tek spektatori më i vogël. Është mundi i atyre që janë përleshur, kanë duruar tallje e ofendime, kanë kaluar netë pa gjumë e ditë të tëra në diell e në acar, duke bërë roje.

Teatri është kalaja e fundit e lirisë!
Është beteja, midis kujt e do akoma me të vërtetë këtë vend dhe atyre që në vend të ulin kokën e të punojnë për shqiptarët, e trajtojnë këtë vend si çifligun e tyre.

Ndaj reago sot, ose mos u qaj kur të vijë rradha jote. Sepse është e sigurtë që po vjen!

Briken Fejzullai

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here