Ngazëllimi popullor për plazhin si në kohën e Enverit

0
83

Nga Mentor Kikia

Unë e kam ende në kujtesë, dhe nuk do ta harroj kurrë, derisa të më zërë skleroza, një skenë tek plazhi i Gjirit të Lalësit. “Pronari” i plazhit ngriti me shkelma një burrë me fëmijën e tij, që u ulën në rërë me çadrën e tyre, sepse ai ishte plazh privat. Si pasojë e lejeve abuzive të dhëna nga bashkitë, në kundërshtim me VKM-ra e ligje për respektimin e hapësirave publike e private, në plazhet e vendit nuk ekziston më koncepti “publik”. Kjo histori bëhet refren i denoncimit të medias dhe qytetarëve çdo sezon veror. Por askush nuk ka dëgjuar, madje çdo vit jepen leje të reja për kioska dhe hapësira me qera(aty ku ka mbetur ende ndonjë zgiq). Sepse çdo kryetar i ri qeras me të tilla leje kontribuesit e tij politik e financiarë.

Një deklaratë e kryeministrit Rama, për të mos rinovuar asnjë leje për vendosje shezllonesh në rërë, përveç hoteleve, shkaktoi një ngazëllim të madh popullor. “Plazhin do tia kthejmë popullit. Të shkojmë në plazh si qëmoti, me çadra tona”0 tha Rama. Mllefi i shumë njerëzve, edhe i imi, ndaj atij “pronarit”, bëri që qytetarët në rrjetet sociale të duatrokasin çlirimin e plazheve më në fund.

Por, me gjithë urrejtjen për atë “pronarin”, unë kur të shkoj në plazh një fundjavë, dua të shtrihen në shezllon. Kur të mos kem para, dua të shtroj peshqirin e të shtrihem në rënë. Përse u dashka që në plazhet tona të ketë, ose vetëm shezllone, ose vetëm rërë? Përse të mos ketë hapësira të alternuara, publik- privat? Kush ka nge dhe dëshirë shtrihet në shezllong, kush nuk ka, shtrihet në rërë. Jemi një vend me bregdet thuajse të gjithë të shfrytëzueshëm dhe mund të krijojmë alternativa.

Por, në pamundësi për të zbatuar ligjet e vendimet që miratojmë, ne shkojmë tek moratoriumet. Dikur, nuk ndalonim dot skafet e drogës, e ndaluam të gjitha gomonet. Nuk ndaluam dot kontrabandistët e drurit, e ndaluam edhe prerjen e shkurreve. Nuk ndalojmë dot hedhjen e qeseve në natyrë, ndalojmë fare përdorimin e qeseve. Nuk ndalojmë dot babëzinë e pushtetit që jep me qera bregdetin, ndalojmë fare shezllonet tani.

Ju që po gëzoni kaq fort, mendoni se shezllongu nuk është “luks” dhe si i tillë nuk është shfaqe e huaj. Por është alternativë.

Jo Z.kryeministër, unë nuk dua që të shkoj në plazh si në kohën “tonë”, kur pasi zgjoheshin në pikë të mëngjesit të kapnim trenin e parë, kur rrinim 10 vetë në një çadër, e pasi digjeshim e përcëllohesim, lyheshim me kos të thartuar.

Në vend të këtyre revolucioneve populiste, qeveria të zbatojë kriteret dhe të krijojë hapësira edhe publike edhe private.

Rërë kemi, edhe det kemi.

Unë zgjedh vetë ku të shkoj, sipas qejit dhe mundësisë!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here