Teatri s’kishte kambë me ik, s’kishte zâ me bërtit! E prap, kishte ma turp se ne…

0
70

Nga Ada Halilaj

Urrejtja dhe neveria janë ndjenja që s’kisha provu ndonjëherë.
Deri sot.
Deri sot, kur sa hapa sytë, mësova për shembjen e Teatrit Kombëtar me urdhën të qeverisë, në orët e para të mëngjesit.

E shembën pa dal drita, si hajdūtat, si krīmīnelët e si vrāsësit frikacakë që janë.
E shembën nën qiell të errët, ndërkohë që në jastekët e tyre gjumi s’pati asnjë lëkundje.
E shembën me ma pak dhimbje se kur shembin kalanë e rërës së fëmijëve që kanë ,me pushime në një bregdet në anën tjetër të botës.

Ky asht shteti pra, dorën e të cilit kena në fyt tash 30 vjet e prap ne duart tona i mbajmë në xhepa.
Ky asht shteti që të vrēt natën e të qan ditën e ne prap ia besojmë lotin.
Ky asht shteti që disa herë ka ndërru ftyrë por jo ves e ne prap ia kena hap rrugën.
Ky asht shteti që meritojmë, sepse t’ju vijnë mirë a t’ju vijnë keq, nuk jena ma të ndershëm se ai.

Ne nuk ishim Teatri.
Teatri s’kishte kambë me ik.
S’kishte zâ me bërtit.
S’kishte zemër me luftu.
S’kishte gjak me vlu.
E prap , edhe pse ndërtesë me mure e bojë,
kishte ma zor se ne.
Kishte ma turp se ne.

Ne nuk ishim Teatri.
Ne ishim thjesht teatër.
Falas. I trishtë. Shërbëtor. I pafuqishëm.

Pse na u ligështu kaq fort shpirti sot?
Mos ndoshta Teatri na kujtoj veten e shembja e tij na ktheu mbrapsht tana shembjet e tjera që kena mbi shpindë e s’dimë pse na dhemb.
Shembja e fjalës së lirë, përshembull.
Shembja e dinjitetit.
Shembja e krenarisë.
Shembja e protestës.
Shembja e demokracisë.

Nejse.
Koha s’ka me mbajt mend Teatrin.
Koha ka me mbajt mend ne përballë rrënojave të tij.

E mbasi të qani, mos guxoni me harru se kush ju bani me qa.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here