Do t’i them Babës

0
79

Nga Elona Caslli

Këto rrudha nuk janë asgjë. Edhe flokët e thinjur nuk janë asgjë. Stomaku që zgjerohet nga ushqimi i vjetër dhe kyçet me vraja që më janë enjtur nuk janë asgjë. Truri im i errësuar nuk është asgjë.

Unë jam ende ai djali që dëgjonte zërin e mamës në atë kamp internimi, ku roja më rrihte pa mëshirë dhe unë ndieja currilin e gjakut në shpinë dhe me kokën e ulur i thoja rojes- Do t’i them babës sa të vijë. Baba do të vijë një ditë dhe unë do t’i them se më ke rrahur. Baba do të vijë një ditë dhe unë do t’i rrëfej gjithçka dhe baba ka me ta tregu qejfin ty.

Baba nuk erdhi kurrë. Baba ishte nis në një rrugë pa kthim dhe koka ime mbeti gjithmonë e ulur.

U rrita kokëulur. Dukej se mbi kokën time peshonte e gjithë rëndesa e botës dhe unë nuk e mbaja dot. Heshtja ishte mikesha ime e vetme. Me të zgjohesha dhe ngrysesha. Me të jetova shumë vite derisa për një çast e braktisa.

Fola. Më dhanë të drejtën e fjalës dhe mendova se isha i lirë. U deha nga fakti se mund t’i shaja me zë të lartë, ata që dikur më kishin rrahur. Atë çka i kisha thënë vetes, tanimë mund ta bërtisja në sy të të gjithëve. Ishte aq i bukur ai iluzion sa mendova se në të vërtetë e preka lirinë.

Por, jo! Qe thjesht një iluzion që zgjati shumë pak! Sa hap e mbyll sytë kuptova gjithçka!

Ata që dikur më kishin rrahur, tani më flisnin për lirinë dhe për demokracinë! Ishin pa uniforma, por unë i dalloja. Dallohen ata. Ata dallohen gjithnjë.

Na kishin zhvendosur në një kamp më të madh, ku secili kishte banesën e tij. Na trajtonin si kuajt.Për t’i gëzuar kuajt mjafton t’i lidhësh me një litar më të gjatë. Kështu ndodhi dhe me ne. Na zgjatën litarin dhe ne pandehëm se qemë të lirë. Nga kampi në banesë ndryshoi veçse gjatësia e litarit.

Në të gdhirë të 17 majit na e shkurtuan litarin. Nga banesa na rikthyen në kamp. Ata që dikur më kishin rrahur dhe më pas më kishin folur për lirinë, kishin veshur prapë uniformën.

U riktheva në kohë. Dëgjova zërin e mamës përtej trotuarit që thërriste: Mos ma rrih djalin. Ktheva kokën. Mamën nuk e pashë

Ndieva çizmen e policit të ngjeshur mbi fytyrë dhe thashë- Do t’i them babës se prishët Teatrin. Do t’i them babës se më rrahët. E baba do t’jua tregojë qejfin.

Mbi gërmadhat e Teatrit ndiej ende currilin e gjakut mbi shpinë dhe kokëulur pëshpëris me vete- Babë, ku je?!

Post Scriptum- Vehap Kola thotë se –

Hëna është buka që Baba pjek ndër yje, çdo muzg para se të shtrohet sofra.

I ngre sytë, shoh hënën dhe një zë prapa kurrizit tim thërret- Çojini të gjithë nëpër banesa!

Nga kampi në banesë rritet veçse gjatësia e litarit.

/Ora News.tv/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here