Piktori Genti Tavanxhiu vjen me “Damnàtio Memoriae”, një ekspozitë me karakter dramatik

0
193

Nga Julia Vrapi

“Damnàtio Memoriae” titullohet ekspozita personale e artistit të njohur Genti Tavanxhiu, që hapet këtë mbrëmje në qytetin e Shkodrës. Një ekspozitë e veçantë e artistit ndërkombëtar Genti Tavanxhiu, i cili rikthehet në vendlindjen e tij me mesazhe të forta.

Ekspozita hapet këtë mbrëmje tek “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës”, ku do të prezantohen rreth 20 vepra në pikturë të punuar prej tij gjatë këtyre muajve të fundit. Si piktor Genti Tavanxhiu thotë se punimet e tij janë në pëlhurë, si dhe në letër akrelik.

Artist i vlerësuar brenda dhe jashtë vendit, Genti Tavanxhiu shprehet se këtë herë ekspozita e tij është me karakter të theksuar dramatik. “Janë ekspozuar rreth 20 punime në pikturë, një pjesë pëlhurë dhe tjetra në letër me akrilik.

Ekspozita ka karakter te theksuar dramatik. Ajo do hapet me datë 29 qershor në orën 19:00 dhe do jetë tërësisht e promovuar nga Bashkia e Shkodrës dhe zyra e Kulturës, në bashkëpunim me “Vendin e Dëshmisë dhe Kujtesës”.

Për mua është hera e parë në Shkodër me një ekspozite personale në një institucion dhe gjithashtu për herë të parë ndryshe i shfaqem publikut, me një profil të tillë me karakter të theksuar dramatik dhe politik”, tregon piktori.

Më herët për ekspozitën e tij artisti i njohur Genti Tavanxhiu ka pohuar se “Damnàtio Memoriae”, është thellësisht e ngjyrosur me nuancat e dramës, të cilat në raste të tilla pa dyshim lënë në memorien kolektive një trandje!

“Ekspozita përfaqet në trajta të mitizuara, sikur t’i përkiste një periudhe të dyshimtë të zhytur në pluhurin e harresës, por aq e pranishme në qeniet tona sa e pashmangshme. Fjalë të shoqëruara me shikime, që në qasje direkte kërkojnë shtrirje në memorie dhe duhet të jenë të kapshme duke kallur ndrojtjen!

Materializimi i tyre ka qenë përherë thuajse tabu dhe po ashtu paraqitet ende sot në shfaqjen makabre në “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës”. Hapësira të tilla tashmë janë të vendosura në qytete të ndryshme të Shqipërisë, që me gjithë natyrën ushtarake bartin në vetvete dhe viktimat e ilustruara me mëshirë dhe tmerr nga fakte dhe dorëshkrime, foto e dokumente të ndryshëm”, pohon Tavanxhiu.

Ndërhyrja dhe prania artistike

Pikturuar me ngjyra, herë në letër e herë në beze, me një penel aq drithërues sa dhe ngulmues, figurat dalin nga hija e errët për t’u fiksuar si shejza në një natë pa hënë! Piktori shprehet se arsyeja qëndron në faktin metafizik, shkëputur nga “Pallati i ëndrrave” të Kadaresë, ku përshkruhet skena në të cilën Macja e Zezë ka rrëmbyer hënën.

“Një mace e zezë kishte kapur në gojë hënën dhe vraponte e ndjekur nga zhurma. Gjithë udhës nga ikte, dukeshin gjurmët e hënës së plagosur”. Përmbushja e materializuar në letër thërret artistin për të skalitur tiparet e egërsirës me tri këmbë, personifikuar me Sfinksin Eris të Marsit.

Sfinksi mbillte sherr ngado dhe vraponte ta përhapte sa më shpejtë atë”, pohon piktori. Në vijim të materialit për ekspozitën vjen skema e burg-terrorit në Shkodër dhe shtjellimi artistik. Piktori thotë ndër të tjera se përballja me një situatë të këtillë, sa dramatike aq dhe mizore, në mendjen e artistit do ndriçojë një rrugëtim.

“Ai do të shëmbëllehet i frikshëm në imazhe të shpërfytyruara, të përziera, forma që dalin nga thellësia e një mjegulle të zymtë, të verbër, të shurdhër, memece, por me instinkte të arkaneve primordiale! Me veprat kryesisht në pikturë, shpreh një koncept personal rreth përshkrimit të natyrës së errët që ka bartur ky vend dhe ilustrimin tërthorazi të figurës së xhelatit, duke përçuar edhe një herë qasjen sëbashku me tmerrin dhe tronditjen e pësuar nga regjimi në fuqi asokohe ndaj bashkëkombasve”, shprehet piktori Genti Tavanxhiu. Ekspozita, që çelet këtë mbrëmje do të qëndrojë deri më 30 gusht për vizitorët.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here