Mëngjes i trishtë/ Covid-19 i merr jetën studiuesit dhe aktorit të njohur Valter Gjoni

0
30

Valter Gjoni, studiuesi dhe aktori i mirënjohur shqiptar nuk jeton më. Ai është ndarë nga jeta në moshën 66 vjeçare pasi nuk e ka fituar dot betejën me Covid-19.

Valter Gjoni ka shërbyer për më shumë se 40 vite në Bashkinë e Tiranës. Një reagim për të ka ardhur nga kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili shkruan: Valteri ynë gojëmjaltë e zemërbardhë nuk e mundi dot këtë flamë të pabesë. I shërbeu qytetit tonë me dashuri përditë për 4 dekada, duke lënë sot një boshllëk të pangushëllueshëm për familjen dhe mijëra kolegë e miq që e njohën dhe e deshën si kujtesa historike e Tiranës.

Biografi

Valter Gjoni, ka lindur më 4 tetor në Tiranë në vitin 1954, është arsimuar në nivel parauniversitar, po në Tiranë. Në vitin 1978 përfundoi studimet universitare pranë Akademisë së Arteve në degën e artit dramatik, dhe po në këtë vit fillon veprimtarinë e tij profesionale si aktor dhe regjisor në Trupën Artistike të Ushtrisë, në Teatrin Popullor (Kombëtar), pranë kinostudios “Shqipëria e Re”dhe Radio Televizionit Shqiptar.

Ka ne biografinë e tij artistike 60 role në teatër dhe estradë, 8 role ne kinematografi, ka realizuar 5 filma dokumentar etj. Në vitin 1987, krahas studimeve pasuniversitare për titull shkencor të nivelit të parë, përfundon edhe studimet e specializimit në degën e gazetarisë, pranë Fakultetit të Shkencave Politike e Juridike. Gjoni ka kryer edhe kualifikime në disa vende si Francë, Holandë, Danimarkë, Finland,Itali, Greqi etj.

Ai është autor i shumë artikujve kulturor, artistik, problematik, informativ e historik në gazeta, revista, emisione televizive dhe botime të veçanta. Pas një përvoje pune intensive në institucionet e artit dhe medias të Tiranës, në vitin 1991 e në vijim, emërohet pranë Bashkisë së Tiranës, ku përmbush një sërë detyrash, si drejtues i sektorëve që lidhen me artin, kulturën, ceremonialin e qytetit dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Së fundmi, ai ka qenë Drejtor i Protokollit në Bashkinë e kryeqytetit.

Duke gërshetuar përvojën e tij administrative, gazetareske dhe artistike jashtë funksioneve të tij zyrtare, autori ka realizuar rreth 25 ekspozita dhe 10 botime tematike për vlerat historike, kulturore dhe njerëzore, kryesisht për Tiranën. Valter Gjoni mban disa tituj nderi të vendit dhe ndërkombëtare, ku titulli më i lartë është Kalorës i Urdhrit të Meritës së Republikë Franceze, Urdhrin “Naim Frashëri” i Republikës së Shqipërisë, titullin “Bene Merit” i Republikës Polake, Dekoratat bashkiake; “Mirënjohje e Qytetit të Tiranës”, “Simbol i Qytetit Tiranës” dhe nga shoqëria civile titulli “ Fisnikëria Tiranase “ e shoqatës Tirana.

VALTER-GJONI-1-700x394.jpg

download.jpg

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here