“Na lanë pa gjumë këta, lidhe qenin”, Avokati i Popullit nxin rolin e Policisë në shkatërrimin e Teatrit Kombëtar: Nga mungesa e identifikimit në uniforma, te orari i paligjshëm i ndërhyrjes

0
23

Avokati i Popullit pasi ka shqyrtuar sjelljen e organeve të Rendit gjatë ndërhyrjeve të kësaj të fundit më 17.05.2020 në operacionin për shkatërrimin e godinës së Teatrit Kombëtar, ka përpiluar një përmbledhje me rekomandime mbi sjelljen e Policisë së Shtetit.

“Nisur nga konstatimet e kryera gjatë hetimit administrativ të nisur nga Avokati i Popullit, u është kërkuar autoriteteve më të rëndësishme ligjzbatuese në vend si Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së përgjithshme që të ndërmarrin një sërë masash administrative dhe ligjore për të ndëshkuar një seri sjelljesh individuale apo të organizuara që u vërejtën në veprimtarinë e Policisë së Shtetit gjatë operacionit për shkatërrimin e Teatrit Kombëtar.

Institucioni i Avokatit të Popullit mbetet i dedikuar për të ushtruar me paanësi dhe profesionalizëm punën e tij si një monitorues i mënyrës sesi autoritetet shtetërore zbatojnë ligjet e vendit tonë, pa i tejkaluar ato, pa e tepruar në dëm të qytetarëve e në respekt të të drejtave të këtyre të fundit”, deklaron AP.

Një nga pikat kryesore që ngre AP, është ajo se pse Teatri duhej të shembej në kohë pandemie, dhe se aksioni nuk mund të trajtohej si rast emergjent.

“Policia e Shtetit nuk mund të veprojë si një “ushtar që bindet verbërisht” kur merr një kërkesë për mbështetje nga një institucion tjetër. Policia e Shtetit duhet të verifikojë nëse kërkesa e paraqitur është e plotë dhe ligjore dhe para kryerjes së veprimeve për mbështetje, të kontaktojë me drejtues të institucioneve që kanë paraqitur kërkesë, të shkëmbejë me ta informacione më të hollësishme dhe të vlerësojë situatën që mund të krijohet.

Detyra për të qenë më i vëmendshëm ndaj kërkesave të institucioneve që i jepet Policisë së Shtetit nga rregullat e përcaktuara në urdhrin e DPPSH, por vlerësojmë edhe nga arsyeja e mbarëvajtjes së punëve merr më shumë peshë gjatë gjendjes së emergjencës shëndetësore për shkak të virusit COVID-19.

Është i vërtetë fakti që institucionet shtetërore duhet të vazhdojnë veprimtarinë e tyre pavarësisht gjendjes së diktuar nga përhapja e virusit, por është po aq e vërtetë që institucionet duhet të vlerësojnë me maturi domosdoshmërinë e veprimeve që do të kryejnë dhe pasojat që vijnë/mund të vijnë nga kryerja e tyre. Ata gjithashtu duhet të vlerësojnë se cilat veprime duhet të kryhen e cilat jo, duke vënë në balancë nevojën për garantimin e jetës si një detyrë parësore e më pas zbatimin e kërkesave për ndihmë”, thuhet mes të tjerave në raportin e AP.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga ana e AP, është ai për numrin shumë të madh të punonjësve të Policisë që janë angazhuar në operacion, një pjesë e të cilëve janë mbajtur të fshehtë nga vetë Policia, dhe që i takonin Forcës Operacionale Lëvizëse.

”Pra një numër i konsiderueshëm personash, protestues dhe punonjës shtetërorë, do të gjendeshin pranë njëri-tjetrit në një kohë kur ishin në fuqi masat që parashikonin ndalimin e grumbullimeve masive dhe detyrimin për distancim fizik dhe zbatimi i rregullave të tjera në kuadër të masave të marra për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19.

 Në orët e para, pas fillimit të operacionit, janë shoqëruar në DVP Tiranë dhe komisariatet e Tiranës 33 persona, përkatësisht: 11(njëmbëdhjetë) persona në Komisariatin e Policisë nr.1; 4 (katër) persona në Komisariatin e Policisë Nr.2; 5 (pesë) persona në Komisariatin e Policisë Nr.3; 10 (dhjetë) persona në Komisariatin e Policisë Nr.4; 2 (dy) persona në Komisariatin e Policisë Nr.6; 1 (një) person në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë”, deklaron AP.

”Nga këqyrja e pamjeve filmike që mediat kanë fiksuar gjatë operacionit për shembjen e TK rezulton se një pjesë e punonjësve të Policisë së Shtetit nuk mbanin maska. Dinamika e ngjarjes ka sjellë mos respektimin e distancimit nga punonjësit e policisë me njëri-tjetrin, punonjësit e policisë me qytetarët protestues, si dhe protestuesit me njëri-tjetrin.

Jo vetëm dinamika e ngjarjes në rastin konkret, por çdo dinamikë e mundshme e saj, do të çonte në mënyrë të padiskutueshme në shkeljen e masave anti-COVID-19 në fuqi, ndaj për këtë arsye në vlërësimin tonë, do duhet të ishin vënë në balancë, shkelja me vetëdije e masave anti-Covid-19, apo shtyrja e kryerjes se shembjes së teatrit dhe mbështja e tij me anë të operacionit policor në një kohë të dytë.

Kjo edhe për vetë faktin se edhe sot, disa muaj pas shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, asnjë nga institucionet shtetërore të përfshira në procesin e shembjes së kësaj godine, nuk ka dhënë ndonjë arsye juridike, përse ky operacion u krye në kushtet kur vendi ynë ndodhej në kushte të pazakonta dhe se përse ishte domosdoshmëri shembja e TK në atë moment kohor“, thuhet më tej në raport.

Një tjetër shqetësim madhor i evidentuar nga AP është ai për orarin në të cilën është kryer operacioni, që ishte ai i orëve të para të mëngjesit. Sipas AP nuk ka asnjë argument ligjor se pse operacioni duhet të kryhej në orët e para të mëngjesit, ndërkohë që gjatë shoqërimit të disa prej personave protestues janë konsumuar elementë të dhunës.

“Pra, si rregull vendimet e marra nga administrata shtetërore ekzekutohen ndërmjet orës 07:00 – 19:00. Vlerësojmë se ky orar nuk është pëcaktuar në mënyrë rastësore nga ligjvënësi. 12 orët e paradites përkojnë me orarin biologjik të trupit të njeriut, kur ai është më i kthjellët edhe energjik për të kryer veprimtarinë e tij. Gjithashtu në këtë orar mund të ushtrohet më mirë parimi i transparencës së veprimtarisë së administratës (neni 5 i K.Pr. Administrative).

Një nga personat e shoqëruar në komisariat në orët e para të mëngjesit të datës 17.05.2020, gjatë kohës që ndodhej në makinën e policisë ka regjistruar në fshehtësi fjalët e punonjësve që e kanë prangosur dhe shoqëruar. Nga biseda e regjistruar kuptohet lodhja nervore e punonjësve, të cilët fajësojnë personat e ndodhur tek godina e TK se i kanë lënë pa gjumë dhe përdorin ndaj tyre fjalë fyese. Citojmë: “Na lanë pa gjumë këta …… lidhe qenin”, etj. 

Qoftë edhe formalisht nuk na është vënë në dispozicion një urdhër me shkrim i arsyetuar për kryerjen e operacionit në orët e natës sikurse parashikohet në nenin 171 të Kodit të Procedurave Administrative. Siç shpjeguam më lart Policia e Shtetit duhet të verifikojë nëse kërkesa e paraqitur për mbështetje është e plotë dhe ligjore. Nëse jo, i kërkon institucionit të interesuar ta plotësojë atë”, thuhet në raportin e publikuar nga AP.

Sa i takon pranisë së Forcave Operacionale, që mbajnë edhe armë në momentet e ndërhyrjes në TK, AP dekalron se: Vlerësojmë se ndërhyrja e FLO në rastet e parashkuara në shkronjën “ç” dhe “d” të nenit 135 të Ligjit Nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, për rivendosjen e rendit publik dhe ruajtjen e personave që u kërcënohet jeta për shkak të detyrës, duhet të bëhet vetëm në raste kur me të vërtetë ka informacion për një rrezik të shtuar, të diktuar nga pjesëmarrja e elementëve me rrezikshmëri të lartë dhe përdorimi i armëve.

Në të kundërt mund të kërkohet mbështetja e FLO në çdo grumbullim, protestë apo qëndresë të qytetarëve, sepse pothuajse çdo herë bëhen deklarata kërcënuese, ngrihen tonet dhe ka kundërshtim pasiv ose aktiv të punonjësve të policisë. Për t’u evidentuar është fakti që Policia e Shtetit nuk ka referuar për gjetjen e armëve te TK dhe në urgjencën e Spitalit Universitar të Traumës janë paraqitur 6 punonjës policie me lëndime të lehta, të cilat janë shkaktuar gjatë protestës që ka pasuar shembjen e godinës së TK. Protesta ka qenë e përmasave shumë më të vogla se ato të mbajtura nga subjekte politike dhe kur nuk është parë ndërhyrja e FLO.

Një tjetër pikë ku është ndalur Avokati i Popullit në raport, është dhe ajo e mungesës së numrave të identifikimit në uniformat e punonjësve të Policisë, që sipas raportit mund të jetë e qëllimshme, dhe mund ti shtyjë efektivët në përdorimin e akteve të shtuara të dhunës.

“Uniforma e policisë nuk është vetëm një veshje funksionale, ajo shërben edhe si simbol i pushtetit publik, për të ngjallur ndjenjën e sigurisë dhe kompetencës tek qytetarët. Prirja e krijuar në popullatë është që punonjësit e policisë me uniformën standard të shihen si më miqësorë dhe të besueshëm se ata që përdorin uniformë me motive kamuflazhi apo me një shfaqje luftarake. Ka një arsye jo të pabazuar për të besuar se, mbulimi i fytyrës me maskë operacionale apo me helmetë dhe mungesa e shenjave dalluese i shtyn punonjësit e policisë të kryejnë veprime të dhunshme, në tejkalim të detyrës së tyre.

Kjo shtysë vjen nga fakti i vështirësisë për të identifikuar punonjësin që ka vepruar në kundërshtim me ligjin apo urdhrat që ka marrë dhe për rrjedhojë edhe shmangia e tij nga përgjegjësia. Zgjedhja e drejtuesve të Policisë së Shtetit për të dërguar në fillim të ndërhyrjes te TK punonjës të forcave operacionale, me maskë dhe armë zjarri, punonjës të forcave shqiponja që mbanin në kokë helmetën e motorrit si dhe mungesa e numrit të identifikimit. 

Mungesa e identifikimit në uniformë krijoi imazhin e një policie të prirur për të dhënë një spektakël force, i panevojshëm pavarësisht fryerjes së rrezikut të pritshëm që u bë në media. Kjo qasje vë në provë të vështirë marrëdhënien midis policisë dhe komunitetit. Policia e Shtetit në përgjigje të kërkesës tonë, nuk ka dhënë shpjegime për arsyen objektive që ka çuar në mungesën e elementit të identifikimit në uniformën e punonjësve të Policisë së Shtetit, por është mjaftuar vetëm me konstatimin e faktit dhe premtimin se po merren masa për plotësimin sa më shpejt të jetë e mundur. 

Ne vlerësojmë se ky qëndrim nuk mund të jetë në asnjë rast justifikues për shkelje të ligjit, si dhe për uljen e garancive për zbatimin e ligjit për shtetasit. Për të shmangur problemet që lidhen me këtë element formal dhe për të treguar transparencë me publikun, rekomandojmë që nga strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit të bëhet një analizë e thelluar, duke trajtuar sa vijon: Sa është numri i përgjithshëm i punonjësve të Policisë së Shtetit që veprojnë pa numër identifikimi dhe prej sa kohësh? Në cilat shërbime? 

A po trajtohet me prioritet zgjidhja e kësaj çështjeje? (psh prokurimi në mënyrë të përshpejtuar vetëm për numrat e identifikimit, apo veçimi i këtij tenderi nga tenderat e tjerë), A duhet planifikuar ndonjë rradhë veprimi? (psh prioritare paisja me numër identifikimi e punonjësve të terrenit dhe më pas e atyre në zyra); A ka nevojë për zgjidhje provizore? (psh mundësia e çvendosjes së numrave të identifikimit, nga uniformat e mëparshme, në ato aktuale), etj.

Në përfundim të analizës së mësipërme, rekomandojmë që qëndrimet e Policisë së Shtetit, të bëhen publike për këtë çështje dhe në rast se rezultojnë punonjës përgjegjës për shkaktimin e kësaj situate, ndaj tyre të merren masat përkatëse.

Në se çështjes së mungesës së numrave të identifikimit, i shtohen edhe pretendimet për klasifikimin sekret të pamjeve filmike, apo edhe deklarata e Ministrit të Brendshëm16 arrijmë në konkluzionin se ka munguar vullneti për të hedhur dritë në mënyrë të gjithanshme, në lidhje me veprime eventuale në tejkalim të forcës në rastin konkret. Nga analiza e këtyre fakteve në përgjithësi, është e dukshme se në rastin në fjalë, nuk plotesohet parimi që duhet të udhëheqë drejtuesit e lartë shtetërorë, në lidhje me ushtrimin e forcës tej kufijve të lejuar, e konkretisht zero tolerancë ndaj veprimeve arbitrare17″, thuhet në raportin e AP.

Ndërkohë sa i takon përdorimit të dhunës dhe përdorimit të Sprajit nga ana e punonjësve të Policisë, AP konstaton:

Në rastet që do rendisim dhe analizojmë më poshtë çmojmë se ka patur përdorim të paarsyeshëm të forcës nga ana e disa punonjësve të policisë.

Menduh Zavalani, aktivist për mbrojtjen e TK, me profesion arkitekt, ka deklaruar se në orën 04:30 të mëngjesit të datës 17 maj 2020, ndodhej në sheshin mes Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Eksperimental, ku kishin mbetur rreth 25 vetë, duke përfshirë dhe disa gazetarë dhe kameramanë. Në këtë kohë ka dëgjuar një prej të pranishmëve në shesh të thotë “Erdhën! Erdhën!”. Pranë hyrjes së Teatrit Kombëtar ka parë një furgon pa drita, nga dera anësore e të cilit, kanë dalë me shpejtësi një grup burrash me maska që nisën të vrapojnë duke bërtitur drejt hyrjes anësore të TK.

Trupat me maska kanë ardhur në befasi duke bastisur hyrjen anësore dhe duke ushtruar terror me të bërtitura kërcënuese. Kur ndodhej përballë trupave me maska që po ushtronin dhunë verbale dhe fizike ndaj aktivistëve që ndodheshin aty pranë ai ka filluar të filmojë me aparatin celular. Trupat me maska i janë dukur si forca speciale policore. Ata nuk mbanin asnjë emër ose identitet të shkruar përpara, përveç fjalës “Policia” në kurriz. Disa prej tyre janë futur në sallën e TK. Një tjetër, i ndodhur përballë tij, ka kapur një vajzë shtatshkurtër duke e shkundur në kërcënim.

Kjo trupë me maska e ndodhur jashtë TK ka shtyrë dhe goditur disa aktivistë, ka përdorur sprajt drejt fytyrave të mbështetësve të teatrit. Sprajti e ka kapur edhe atë duke e detyruar të largohet për të rregulluar frymëmarrjen. Duke ecur në drejtim të një personi të dëmtuar, trupa policore e ka shtyrë nga pas. Aty është goditur fillimisht anash dhe ka bërtitur instiktivisht. Papritur ka marrë disa goditje shumë të forta në majë të kokës, në vesh dhe i ranë syzet, në fytyrë, në qafë, në brinjë e kurriz, duke e detyruar të kërruset. Në këtë çast ka humbur syzet optike dhe nuk mund të shihte.

Më tej është futur në një furgon, ku i ka kërkuar një të shoqëruari tjetër që ndodhej aty të fotografonte me celular lëndimet në vesh dhe buzë. Punonjësi i Policisë që i ka vënë re e ka goditur me grusht në kokë duke përdorur edhe dhunë verbale. Pas mbërritjes në Komisariatin e Policisë nr.3 është dërguar në 18 Nenet 115 dhe 117 të VKM Nr.750, datë 16.09.2015 “Për miratimin e Rregullores së Policisë së Shtetit”. 20 Spitalin e Traumës me autoambulancë ku është kontrolluar nga një mjek, ka bërë një grafi të kraharorit dhe skaner të gjithë trupit.

Pas skanerit i është konfirmuar verbalisht se kishte shembje në kokë, në kraharor dhe në trup, por jo nevojë për ndërhyrje. Mjeku i ka rekomanduar të trajtohet me antibiotikë dhe barna qetësuese. Një infermier i ka qepur plagën në vesh dhe i ka bërë injeksion tetanozi. Kur është kthyer në komisariat, oficeri i policisë gjyqësore i ka dhënë një vendim për të kryer ekspertim mjeko-ligjor. (Deklarimi i këtij shtetasi është dhënë në mënyrë të përmbledhur) Për verifikimin e ankesës së paraqitur nga shtetasi Menduh Zavalani kemi këqyrur pamjet e shfaqura në media ku janë fiksuar disa nga çastet e përshkruara më lart, pamjet që ka xhiruar vetë ankuesi, fotot e lëndimeve që ai ka shkrepur pas shoqërimit, është administruar akt ekspertimi mjeko-ligjor dhe formulari i raportit të shoqërimit.

Në pamjet filmike të medias dallohet çasti kur punonjës të policisë me veshje të zezë dhe maska operacionale mësyjnë drejt TK dhe bëhen gardh para njërës prej dyerve hyrëse të godinës. Shtetasi Menduh Zavalani, i veshur me xhup jelek ngjyrë portokalli të çelët, bluzë të kuqe me mëngë të shkurtra dhe pantallona në ngjyrë të errët ndodhet rreth një metër larg punonjësve duke filmuar me aparat celular. Në fytyrë duket të mbajë syze optike. Përreth tij, jo shumë larg njëri-tjetrit ndodhen edhe 6 shtetas të tjerë, të cilët vështrojnë të çoroditur.

Nga brenda godinës nxirret një djalë që mban duart lart. Një punonjës i policisë spërkat me sprajt në drejtim të dy vajzave që gjenden para gardhit policor. Mediat nuk kanë shfaqur se çfarë ndodh më pas. Në këtë situatë, në ndihmë na vjen filmimi i vetë ankuesit, i cili ka fiksuar më nga afër këtë çast edhe me zë. Pasi punonjësi i policisë spërkat me sprajt dhe disa të tjerë bëjnë thirrje “largohuni”, ankuesi tërhiqet disa metra larg duke u kollitur. Ndërkohë vazhdon të filmojë.

Para derës anësore të TK afrohen punonjës të tjerë të policisë që shpërndahen në drejtime të ndryshme duke thënë “pastroje vendin”. Aktivistë për mbrojtjen e TK janë larguar dhe situata duket e qetë. Këtu ndërpritet filmimi i ankuesit. Pamjet që na sigurojnë mediat për atë që ka ndodhur më pas janë të një momenti të dytë, jo larg në kohë me të parin. Një numër jo i vogël punonjësish të forcës “Shqiponja”, me helmeta motorri në kokë, po largojnë me forcë disa persona.

Shtetasi Menduh Zavalani duket i rrethuar nga dhjetëra punonjës të policisë, kryesisht të forcës “Shqiponja”, të cilët e tërheqin me forcë. Këto janë të vetmet pamje që kemi mundur të administrojmë për të kuptuar dinamikën e ngjarjes. Shtetasi Menduh Zavalani është shoqëruar në Komisariatin e Policisë nr.3. Punonjësi i forcës shqiponja që ka plotësuar formularin e raportit të shoqërimit ka shënuar se ky shtetas është shoqëruar për llogari të FNSH-së, por nuk ka dhënë shpjegime për arsyen e shoqërimit. 

Komisioni i Shqyrtimit të Kundërvajtjeve Administrative pranë Komisariatit të Policisë Nr.3, me vendimin nr.339, datë 18.06.2020, ka vendosur ndaj këtij shtetasi masën administrative gjobë, për shkelje të rregullave në kohën e pandemisë. Referuar informacionit të dhënë nga Komisariati i Policisë Nr.3, shtetasi Menduh Zavalani është proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësve të policisë” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në tubime të paligjshme”.

Sipas kërkesës së bërë nga oficeri i policisë gjyqësore, mjeku ligjor ka ekzaminuar shtetasin Menduh Zavalani duke marrë parasysh edhe të dhënat e marra nga Spitali Universitar i Traumës Tiranë. Mjeku ligjor ka arritur në përfundimin se: në trupin e shtetasit Menduh Zavalani janë vënë re tronditje të trurit e shkallës së parë, dërmishtje, ekimoza me lokalizime në kapakun e sipërm të syrit të majtë, në llapën e veshit të djathtë, në pjesën e jashtme të kanalit të veshit, në krahun e djathtë dhe të majtë, në pjesën e 21 jashtme të kërcirit të djathtë. Këto dëmtime janë shkaktuar me mjet mprehtës. Dëmtimet futen në kategorinë e dëmtimeve që shkaktojnë humbje të aftësisë për punë në masën mbi nëntë ditë.

Në përfundim të analizimit në tërësi të materialit të mbledhur vlerësojmë se ndaj shtetasit Menduh Zavalani është përdorur forcë e paarsyeshme. Pamjet tregojnë se situata në TK, kur ka nisur ndërhyrja e Policisë së Shtetit, ka qenë pothuajse e qetë. Ata pak aktivistë që qendronin brenda dhe jashtë TK duken të çoroditur dhe të tulatur dhe sillen rrotull si të mpirë, të rrethuar nga numër i madh forcash të policisë. Përshkrimi i ngjarjes së dhënë nga shtetasi Menduh Zavalani në deklarimin e tij përputhet me dinamikën e ngjarjes që shfaqet në pamjet që kemi administruar.

Ai nuk kryen asnjë veprim që mund të përbëjë rrezik për punonjësit e policisë dhe nuk shfaqet i dhunshëm. Largohet nga gardhi i vendosur nga forcat e policisë para derës së TK kur i kërkohet dhe nuk dëgjohet të bëjë thirrje për qëndresë. Është e vështirë të besohet se si një person me karakteristikat fizike të shtetasit Menduh Zavalani, i vetëm, të përbënte rrezik për punonjësit e policisë në mënyrë që të përligjen lëndimet e shkaktuara nga forca e ushtruar. Në pamje duket qartë se ai nuk bën rezistencë kur gjendet i rrethuar nga dhjetëra punonjës të policisë, të cilët nuk mund të identifikohen pasi mbajnë në kokë helmeta motorri dhe maskë operacionale.

Maltin Grabovaj aktivist për mbrojtjen e TK, me profesion arkitekt, ka deklaruar se, në datën 17.05.2020, rreth orës 12:00 ka qenë tek protesta që zhvillohej tek Teatri Kombëtar, sepse ishte kundër prishjes së godinës. Tek kryqëzimi i Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” me pedonalen, kur turma i është afruar kordonit të policisë dhe janë shtyrë me punonjësit e policisë, ai është gjendur ndërmjet protestuesve dhe policëve në pamundësi për t’u larguar. Punonjësit e policisë me veshje të repartit “Shqiponja” kanë filluar të kapin qytetarët që po shtyheshin me ta.

M.Grabovaj ka qenë një ndër ta, i cili është tërhequr brenda kordonit policor ku rreth katër-pesë policë e kanë goditur me grushta, shpulla dhe shkelma. Nga goditjet ai është rrëzuar në tokë. Dy punonjës policie e kanë kufizuar me duart pas trupit ndërsa dy të tjerë kanë vazhduar ta godasin me grusht e shpulla në fytyrë e kokë. Më pas është prangosur dhe dërguar në Komisariatin e Policisë Nr.1. Në datën 18.05.2020 Maltini ka kryer vizitë tek mjeku ORL në Spitalin Amerikan Nr.3. 

Pas ekzaminimit i është komunikuar se ka pësuar çarje të daulles së veshit të djathtë. (Deklarimi i këtij shtetasi është dhënë në mënyrë të përmbledhur). Për verifikimin e ankesës së paraqitur nga shtetasi Maltin Grabovaj kemi kërkuar ekzaminimin e tij mjeko-ligjor si dhe është administruar formulari i raportit të shoqërimit. Për këtë rast nuk kemi disponuar pamje filmike që të kenë fiksuar veprimet e punonjësve të policisë. Shtetasi Maltin Grabovaj është shoqëruar në Komisariatin e Policisë nr.1. Punonjësi i policisë së këtij komisariati që ka plotësuar formularin e raportit të shoqërimit ka shënuar se ky shtetas është ndaluar nga forca “Shqiponja” pasi ka marrë pjesë në tubim të paligjshëm.

Ky shtetas është proceduar në gjendje të lirë. Sipas kërkesës së bërë nga Institucioni i Avokatit të Popullit, mjeku ligjor ka ekzaminuar shtetasin Maltin Grabovaj duke marrë parasysh edhe të dhënat e marra nga Spitali Amerikan. Mjeku ligjor ka arritur në përfundimin se, në trupin e shtetasit Maltin Grabovaj janë vënë re çarje të membranës timpanike të djathtë dhe ekimoza në një të tretën e brendshme të krahut të djathtë dhe në këllkun e djathtë. Këto dëmtime janë shkaktuar me 22 mjet mprehtës.

Dëmtimet hyjnë në katogorinë e dëmtimeve të humbjes së aftësisë së përkohshme për punë në masën mbi nëntë ditë. Shtetasi Maltin Grabovaj është përfshirë në protestën që ka pasuar shembjen e TK. Për të siguruar perimetrin ku do të vepronte me mjete dhe punëtorë IMT Bashkia Tiranë, është krijuar një gardh policor. Në pjesën e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” përballë Ministrisë së Brendshme dhe Galerisë së Arteve janë grumbulluar dhjetëra qytetarë të zemëruar për prishjen e TK, të cilët kanë tentuar me forcë të çajnë gardhin policor.

Maltin Grabovaj rrëfen se është ndodhur në një çast ndërmjet protestuesve dhe policisë pa mundur të largohet. Në mungesë të pamjeve filmike apo dëshmive të tjera nuk mund të kuptojmë nëse qëndrimi i shtetasit Maltin Grabovaj ka qenë pasiv gjatë protestës apo nëse ai ka kryer veprime të dhunshme ndaj punonjësve të policisë. Ajo që provohet me siguri nga kategoria e dëmtimit dhe vendi i dëmtimit është se ka patur tejkalim të forcës nga punonjësit e policisë. Shtrëngimi fizik që ushtron punonjësi i policisë ndaj një shtetasi (prangosja ose kufizimi me duar nga pas) kryhet me teknika të tilla për të arritur synimin e ligjshëm duke minimizuar shkaktimin e dëmtimeve trupore.

Çarja e membranës timpatike tregon se ndaj tij është përdorur forcë e paarsyeshme. Maltin Grabovaj është me profesion arkitekt dhe i imët në trup. Kjo të bën të besosh se punonjësi ose punonjësit e policisë nuk janë ndodhur para një rreziku të atillë sa të detyroheshin të godisnin me forcë këtë shtetas në veshin e djathtë.

Alfred Lela, gazetar. Një episod nga protesta për TK që iu dha më zë në media ishte ai i gazetarit Alfred Lela. Pamjet filmike kanë dokumentuar qartë veprimet e tij dhe të punonjësve të policisë. Vetë Z. Lela nuk ka paraqitur ankesë në Institucionin e Avokatit të Popullit. Ankesën ai e ka bërë publike para mediave. Institucioni i Avokatit të Popullit, në zbatim të të drejtës së tij për të marrë në shqyrtim edhe raste me nismën e tij, kur ato janë bërë publike, ka analizuar veprimet e punonjësve të policisë me Z. Lela. Gazetari Lela ka qenë i pranishëm në protestën që ka pasuar shembjen e TK.

Pamjet tregojnë gazetarin Lela, i cili bashkë me disa qytetarë të tjerë qëndron pas kangjellave që ka vendosur bashkia në krah të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për të ndarë rrugën e këmbësorëve nga ajo e makinave. Në këtë çast, tre punonjëse të policisë mbajnë nga duart një shtetase në rrugën e makinave. 

Gazetari Lela kapërcen kangjellat dhe i afrohet punonjësve të policisë, kap nga duart njërën prej tyre dhe i drejtohet me fjalë. Menjëherë mbrapa tij vijnë një punonjës policie me uniformë dhe dy të veshur civilë, të cilët e kapin me forcë nga qafa gazetarin Lela, e tërheqin në drejtim të Ministrisë së Brendshme dhe e hedhin fluturimthi mbi kangjellat duke e shembur në tokë ku edhe prangoset. Edhe në këtë rast i referohemi parimit të proporcionalitetit kur përdoret forcë.

Masa për të shmangur rrezikun duhet të jetë në proporcion me shkallën e rrezikshmërisë, të drejtat dhe interesat që vihen në rrezik dhe/ose cenohen, si dhe nuk duhet të përbëjë kapërcim të kufijve të nevojës për situatën e paraqitur. Pamjet tregojnë qartë se veprimet e gazetarit Lela dhe rrethanat e këtij çasti nuk paraqisnin rrezikshmëri për punonjësit e policisë sa të justifikonin marrjen e tij me forcë duke e shtrënguar në qafë dhe mandej duke e shembur në tokë.

Një qytetar i pa identifikuar. Një rast tjetër i përdorimit të paligjshëm të forcës i bërë publik në media, i cili mendojmë se nuk ka nevojë për analizë të shtjelluar ligjore, është ai i një shtetasi që goditet me shkelm në kraharor nga një punonjës policie me maskë ndërkohë që gjendet i shtrirë kruspull përdhe duke mbrojtur fytyrën me duar dhe i rrethuar 23 nga një gardh policësh të tjerë. Pamjet kanë qarkulluar në internet dhe janë administruar nga ana jonë19 .

Përdorimi i sprajtit. Në pamjet filmike që kemi administruar janë fiksuar dy raste të përdorimit të sprajtit nga punonjësit e policisë. Rasti i parë është ai kur punonjësit e policisë me veshje të zezë dhe maskë mësyjnë menatë në godinën e TK dhe bëhen gardh para derës anësore. Para tyre ndodhen 7 shtetas, të cilët vështrojnë të çoroditur. Një punonjës i policisë spërkat me sprajt në drejtim të dy vajzave që gjenden më pranë tij. Njëra prej vajzave po mban në dorë celularin ndërsa tjetra qëndron mbështetur pas murit dhe duket e frikësuar. Në këtë çast afrohen katër qytetarë të tjerë.

Edhe ndaj tyre hidhet sprajt. Rasti i dytë i përdorimit të sprajt ka ndodhur gjatë protestës që ka pasuar shembjen e TK. Një djalë, i cili nga një media vendase identifikohet si gazetar, por që nuk mban ndonjë mjet identifikimi si i tillë, drejtohet me një kamera të vogël në dorë në afërsi të disa punonjësve të policisë që po kufizojnë përdhe një qytetar përballë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Në këtë çast, një punonjës i veshur civil spërkat me sprajt në drejtim të djalit që po filmonte. Bombola e sprajtit është një nga pajimet që mbajnë punonjësit e policisë.

Edhe kur përdor sprajt, punonjësi i policisë duhet të ketë parasysh parimin e proporcionalitetit që zbatohet kur përdoret forcë fizike. Punonjësi i policisë përzgjedh nivelin e nevojshëm të forcës ndërmjet mundësive të përshkallëzuara, që, ndër të tjera, përfshijnë bindje me fjalë, shtrëngim fizik, mjete goditëse, mjete me lëndë paralizuese, mjete me goditje elektrike, qen policie dhe armë zjarri20. Udhëzime të veçanta për përdorimin e sprajt parashikohen në Urdhrin nr.92, datë 06.02.2015 “Përdorimi i lëndëve lakrimogjene” të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Udhëzimet janë si vijon: 1. Punonjësi i policisë sipas kompletimit organik gjatë kryerjes së shërbimit mban me vete bombolën e sprajtit (me piper ose gaz) në anën e krahut dominant me qëllim që në rast se sulmohet nga një person apo grup personash të dhunshëm ta nxjerrë e ta përdorë lehtësisht. 

2. Punonjësi i policisë mund të përdorë bombolën (sprajtin) personal (armatim e pajisje në organikë) për vetëmbrojtje, pasi ka ezauruar më parë mjetet që përdoren sipas procedurës në rastet e përdorimit të forcës. 3. Ndalohet kategorikisht përdorimi i bombolave me gaz lakrimogjen në kundërshtim me rregullat e pa shkaqe të përligjura, për lojë në ambiente të mbyllura (makinë me kolegët, në dhomat e shoqërimit dhe vende të ngjashme të kësaj natyre). 

4. Në rast sulmi të dhunshëm e të befasishëm ndaj tij punonjësi i policisë e nxjerr shpejt dhe e drejton sprajtin në fytyrën e sulmuesit në distancë 30-60 cm me qëllim që të frenojë sulmin e të mposhtë rezistencën e personit që sulmon.

REKOMANDIMET E AP:

  1. Marrjen e masave të nevojshme nga strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit, për analizimin e thelluar, me objektivitet dhe profesionalizëm, të veprimeve/mosveprimeve të kundërligjshme, të trajtuar hollësisht në pjesën arsyetuese të këtij rekomandimi, të kryera nga punonjës të Policisë së Shtetit, si ndaj disa shtetasve që në datën 17.05.2020 kanë qenë në godinën e Teatrit Kombetar për të kundërshtuar prishjen e tij, ashtu edhe të protestuesve në ditën në vijim.
  2. Identifikimin dhe fillimin e ecurisë disiplinore, për ata drejtues apo punonjës të Policisë së Shtetit, që me veprimet/mosveprimet e tyre, nuk kanë garantuar jetën dhe shëndetin e popullatës (përfshi edhe punonjësit shtetërorë), duke mbështetur veprimtari/operacione, të cilat kanë përbërë në vetvete, apo kanë çuar në grumbullime masive, në kohën kur ishte shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore.
  3. Identifikimin dhe fillimin e ecurisë disiplinore, për ata punonjës të Policisë së Shtetit që kanë kryer veprime me të shoqëruarit në organet e policisë, për arsye se nuk kanë zbatuar detyrimin ligjor për mbajtjen e procesverbalit mbi veprimet e kryera me të shoqëruarit dhe dhënien e një kopjeje të tij, personave të shoqëruar, si dhe nuk kanë dokumentuar hyrjen e personave të shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë. 3. Identifikimin dhe fillimin e ecurisë disiplinore, për ata punonjës të Policisë së Shtetit që me veprimet e tyre kanë cenuar informimin e qytetarëve, duke penguar punonjësit e organeve të medias për të dokumentuar pjesë të ndryshme nga këto ngjarje.
  4. Identifikimin dhe fillimin e ecurisë disiplinore, për ata drejtues të Policisë së Shtetit, që nuk lejuan vënien në dispozicion të pamjeve filmike të kërkuara nga institucioni i Avokatit të Popullit, duke penguar kështu hetimin administrativ të nisur nga institucioni ynë.
  5. Marrjen e masave të nevojshme organizative dhe financiare nga strukturat qendrore të Policisë së Shtetit, për pajisjen e të gjithë punonjësve të policisë së shtetit, me mjetet mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19, në zbatim të akteve normative të miratuara me qëllim për të garantuar veprimtarinë ligjore të Policisë së Shtetit, gjatë periudhës së pandemisë dhe që ata të mos bëhen burim rreziku për përhapjen e tij. Të njëjtat masa të merren dhe respektohen edhe për shtetasit e shoqëruar/ndaluar/arrestuar në ambientet e policisë së shtetit, apo edhe gjatë transportit të tyre për në ambientet e mësipërme.
  6. Identifikimin dhe fillimin e ecurisë disiplinore, ndaj atyre drejtuesve të strukturave të Policisë së Shtetit, që nuk kanë marrë masat e nevojshme për pajisjen e disa punonjësve të policisë, të caktuar me shërbim tek ish godina e Teatrit Kombëtar dhe e atyre që ishin me shërbim në komisariate, si dhe të personave të shoqëruar, me maska mbrojtëse, doreza…

(E.K/Faxweb.al)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here