Rama nuk paguan Beketin, arbitrazhi nis konfiskimin e pasurive të shqiptarëve në botë

0
54

Françesko Beketi duket se i ka fituar të gjitha betejat në Arbitrazh me qeverinë shqiptare, pavarësisht se autoritetet e mohojnë.

Këtë fakt e ka konfirmuar edhe e përditshmja austriake, Der Standard, e cila thotë se asetet e shtetit shqiptar nëpër botë kanë nisur të sekuestrohen për shkak se qeveria shqiptare ka refuzuar të paguajë gjobën e arbitrazhit, prej mbi 100 milionë euro, për biznesmenin italian, Françesko Beketi.

Der Standard thotë se vetëm selitë diplomatike nuk mund të konfiskohen, ndërsa për pjesën tjetër firmat ligjore kanë të drejtë për të nisur procedurën e konfiskimit. Këtu përfshihen llogari bankare, apo lloje të tjera pasurish.

Sipas gazetës, një email i pazakontë ka mbërritur nëpër disa banka dhe kompani energjetike austriake. Një firmë ligjore u kërkon të dinë nëse kanë ndonjë aset apo pretendim nga Republika e Shqipërisë.

“Arsyeja është një arbitrazh që investitorët italianë sollën në vitin 2015 kundër Shqipërisë dhe e fituan. Gjykata ndërkombëtare e arbitrazhit në Qendrën për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve u dha atyre rreth 100 milionë euro kompensim në prill të vitit 2019. Për shkak se qeveria në Tiranë refuzon të zbatojë këtë vendim të arbitrazhit, pasuritë shqiptare, që nuk mbrohen nga konventat diplomatike, mund të konfiskohen tani në të gjithë botën”, shkruan gazeta.

Mësohet se në Austri, një firmë ligjore ka ndërmarrë përsipër mbledhjen e mbi 25 milionë eurove pasuri për Françesko Beketin.

Përfaqësuesi i kësaj firme thotë se të tilla procedura janë të rralla. Sipas gazetës, krahas Austrisë, të tilla procedura po zhvillohen edhe në shtete të tjera. Qeveria shqiptare pretendon se çështja është në apel, por borxhi është i detyrueshëm të paguhet, shkruan gazeta.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here