Zbulohet çfarë përfiton Shqipëria nga finalja europiane e besuar nga UEFA

0
25

Futbolli është padyshim sporti më i preferuar dhe mënyra sesi rrjedhin ngjarjet janë të njëjta me jetën e përditshme, duke pasur ngjashmëri të mëdha. Asgjë nuk ndodh rastësisht dhe gjithçka ndodh për një arsye. Ekipet që e ngrenë trofeun në fund dhe janë më të suksesshmet janë ato që kanë investuar më tepër para, për të korrur frytet e punës. Ndërkohë edhe sa i përket Kombëtareve është shumë e vështirë që të gjesh një shtet të varfër ekonomikisht dhe që të ketë arritur suksese të mëdha në arenën ndërkombëtare.

Pra gjithçka rrjedh në një bazë logjike dhe me një efekt zinxhir. Kjo është arsyeja kryesore se përse kualifikimi i Shqipërisë në Europianin e Francës ngjalli dyfish më tepër lumturi te tifozët. Ishte momenti më i mirë për t’i treguar Europës se shqiptarët nuk janë ata që trumbetojnë mediat.

Në asnjë mënyrë tjetër ky zë nuk mund të ngrihej dhe dëgjohej në masë, ndërsa mbërritja e Shqipërisë në Europian solli shumë më tepër sesa arritja sportive, për përmirësimin i imazhit të një vendi që gjithmonë bie në qendër të vëmendjes mediatike në shtetet e huaja vetëm për anën e errët, mes prostitucionit dhe drogës.

Jo më kot edhe kryeministri Edi Rama do i cilësonte lojtarët e Kombëtares si ambasadorët më të mirë të Shqipërisë, pasi bënë më tepër punë se të gjithë ambasadorët të mbledhur bashkë që kanë pasur Qeveritë shqiptare. Megjithëse kjo meritë e madhe u harrua për t’i kthyer në lojtarë që hanë gol gjithmonë në fund e duke u përsëritur si një shembull që nuk duhet ndjekur. Por kjo është një tjetër temë për t’u trajtuar dhe një tjetër veçori e jona negative për t’u përmendur, harresa.

Fatmirësisht sukseset e Shqipërisë në aspektin futbollistik nuk mbarojnë këtu. Vetëm pak ditë më parë është mësuar dhe zyrtarizuar nga ana e UEFA-s se finalja e “Conference League” do të zhvillohet në Tiranë, “Air Albania”. Por çfarë fitojmë nga ky organizim? Ende pa nisur turneu, media nga anembanë botës dhe përtej Europës i kanë bërë jehonë faktit se finalja e kompeticionit më të ri europian do të zhvillohet në Shqipëri.

Pra edhe ata njerëz në vende të ndryshme të botës që nuk e dinin ende se ekzistonte një shtet i vogël diku në Ballkan, kanë nisur të krijojnë një ide mbi Shqipërinë falë fuqisë së futbollit. Sigurisht që bëhet fjalë për finalen e një kompeticioni që vjen në radhë të tretë si rëndësi, por nuk duhet të harrojmë…”PËR HERË TË PARË”.

Për herë të parë për Shqipërinë që pret një finale europiani dhe për herë të parë për Europën që luhet një kompeticion i tillë. Vëmendja dhe kureshtja është e jashtëzakonshme për të parë mënyrën sesi do të shkojë ky kompeticion dhe padyshim për emrin e fituesit, që do të shënohet si i pari në histori që e e ngre “Conference League” në qiellin e “Air Albania”.

Pavarësisht se disa prej ekipeve pjesëmarrëse do të jenë skuadra që nuk kanë qenë më parë pjesë e “Champions League”,finalistet do të jenë emra të njohur në futbollin europian. Kjo do të sjelli shumë vizitorë dhe tifozë që njëkohësisht do vijnë në Shqipëri për herën e tyre të parë. Në këtë mënyrë do të prekin edhe bujarinë e mikëpritjen e shqiptarëve, për të hedhur poshtë të gjitha paragjykimet mbi një vend që goditet shpeshherë me “penë”, ku rasti më i freskët ishte incidenti me Maguire gjatë pushimeve të tij në Greqi.

E gjithë kjo vëmendje është kaq e madhe aq sa zilia shpërtheu menjëherë në Greqi, atje ku zëvendës ministri grek i sportit kritikoi rëndë Federatën për shkakun se nuk paraqiti asnjë kandidaturë të vetme për finalen e “Conference League”. “Jeni krenar tani? E mori Shqipëria finalen”, ishte mënyra sesi u shpreh deputeti grek.

Pra Shqipëria e cila paraqitet si e pafuqishme dhe që nuk mund të ndërtojë asgjë madhore, por që me rritmë të shpejta është duke u ngjitur për t’i treguar botës anën tjetër. Kjo do të jetë njëkohësisht edhe pikënisja e një ere të re për futbollin dhe vendin tonë, për të treguar se edhe ne mund të organizojmë në përsosmëri evente që kanë interesin e një mase të madhe të njerëzve. Ky është vetëm fillimi që pas një vlerësimi të mirë, Shqipëria kërkon që të sjellë të tjetër finale të rëndësishme për ta bërë Tiranën një rrugë që shpeshherë do të kalohet edhe nga europianët.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here