Rama jep lajmin e rëndësishëm: Ja sa doza vaksinash ka siguruar Shqipëria, vijnë javën e tretë të Janarit

0
62

Kryeministri Edi Rama ia ka dalë që të nënshkruajë marrëveshjen me vaksinën Pfizer duke thënë se ka siguruar 500 mijë doza për Shqipërinë. Në një komunikim live ka deklaruar se të parat do të vijnë në javën e tretë të muajit Janar, dozat e tjera në Shkurt dhe më pas çdo muaj me radhë derisa të plotësohet shifra.

Qendra e parë vaksinimit në Shqipëri do të jetë në stadiumin Air Albania në Tiranë ku të parët që do të marrin dozat janë stafi mjekësor, mësuesit, policët dhe më pas moshat e thyera.

Edi Rama: Në prag të ndërrimit të viteve, Shqipëria ka siguruar zyrtarisht 500 mijë dozat e para të vaksinës nga kompania Pfizer. Shoppingu im në New York ka mbaruar me sukses. Kemi dakordësuar me akt normativ për autorizimin e kontratës, sipas marrëveshjes së konfirmuar zyrtarisht nga Pfizer. Sasia e dakordësuar do të paguhet menjëherë në bazë të termave dhe procedurës tip të kompanisë Pfizer me të gjitha vendet pa përjashtim. 10750 dozat e para të Pfizer do të mbërrijnë në fillim të javës së tretë të janarit.

30 mijë e 250 doza të tjera do të vijnë në Shkurt dhe të tjerat me radhë muaj pas muaji në bazë të planit të vaksinimit. Kjo është nisja më e mirë e mundshme e këtij viti vendimtar të zbrapsjes përfundimtare të këtij armiku të padukshëm, por padyshim, ky nuk është fundi i përpjekjes sonë për të garantuar që asnjë dozë e vaksinës të mos mungojë deri në fund.

Ju bëj me dije se kemi garantuar ditët e fundit edhe gatishmërinë e dy vendeve partnere për një total prej 9 mijë dozash në gjysmën e parë të janarit. Nuk mund ti përmend emrat sepse sot, nuk e dimë nëse dinamika e re e krijuar nga marrëveshja zyrtare me Pfizer do të ndikojë ose jo në finalizimin e këtyre operacioneve solidariteti nga ana e dy qeverive mike, të cilat nuk na lanë vetëm në këto kohëra egoizmi dhe cinizmi të frikshëm për kontinentin ku jetojmë, ku ende nuk dukej drita jeshile që u ndez mbrëmë.

Njëkohësisht me dy shtete të tjera po negociojmë me një sasi tjetër vaksinash nga Pfizer dhe Astra Zeneca. Besoj që shumë shpejt do të kemi qartësi për rezultatin e këtyre negociatave. Pa dyshim do ju informojmë menjëherë nëse dhe kur të materializohen. Jam falënderues se asnjëri nga këto vende nuk hyjnë në më të pasurit e Europës, por kanë pasur bujarinë ti konsiderojnë seriozisht lutjet tona.

E kemi kapërcyer besoj hendekun që hapi në mes të Europës vendimmarrja absurde, e papranueshme moralisht, e pakuptueshme politikisht dhe e pajustifikueshme logjikisht e BE.

Sigurimi i vaksinës pa pritur që BE-ja të kujtohej për ne ishte një sfidë marramendëse. Me c’po shohim e dëgjojmë, është një sfidë e madhe më vete. Ministria e Shëndetësisë ka ndërtuar planin për vaksinimin. Qendra e parë e vaksinimit do të jetë në Tiranë, në stadiumin Air Albania.

Vaksina do të jetë falas dhe jo e detyrueshme, por pa dyshim është e këshillueshme për të gjithë si lufta e madhe për familjen, shoqërinë, shtetin. Sic e kemi thënë, vaksinimi do të nisë me bluzat e bardha, mësuesit, policinë në terren, moshat mbi 70 vjec e më pas do të vijojë me moshat më të reja.

Më në fund kam arritur të fle dhe munda të jap sot në ditën e parë të Vitit të Ri këtë lajm për armatimin që do të asgjësojë armikun e padukshëm. Qoftë prova shembullore që më të keqen e kemi hedhur dhe më e mira është para nesh.

(A.M/Faxweb.al)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here