“Pushtimi” i Kapitolit, ngjarje që nuk ndodhte prej vitit 1814

0
32

Katër persona mbetën të vdekur nga përplasjet në protestën e zhvilluar ditën e djeshme nga mbështetësit e Donald Trump. Qytetarët u futën në Kapitol për të ndërprerë procesin e konfirmimit si president të demokratit Joe Biden.

Protesta u organizua pas thirrjes së Trump, pasi sipas tij, zgjedhjet e nëntorit u vodhën. Ngjarjet e ditës së djeshme u cilësuan nga liderët botëror si sulm ndaj demokracisë. Këto ngjarje shokuan botën, pasi një gjë e tillë nuk kishte ndodhur që nga viti 1814.

Në atë kohë ishin trupat britanike që i vunë flakën godinës pas sulmit në Uashington DC, gjatë asaj që njihet si Lufta e vitit 1812. Godina asokohe ishte në ndërtim e sipër dhe falë materialeve që po përdoreshin arriti të ruajë formën.

Përgjatë 200 viteve parardhëse, ka pasur edhe sulme të tjera. Gjatë një varrimi në janar 1835, një bojaxhi i papunë, Richard Lawerence, u përpoq të qëllonte presidentin Andrew Jackson, por pistoleta nuk funksionoi.

Gjatë Luftës I Botërore, një profesor i quajtur Eric Muenter, vendosi një bombë në dhomën e pritjes së Senatit, e cila shpërtheu gjatë natës, pa shkaktuar viktima. Ai kishte vrarë gruan e tij vite më parë dhe më vonë u arrestua pasi donte të vriste bankierin JP Morgan.

Në vitin 1954, katër separatistë portorikanë u futën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe qëlluan ndaj kongresmenëve, duke plagosur pesë prej tyre.

Në mars të vitit 1971, një grup i ekstremit të majtë “Weather Underground”, bombardoi Kapitolin në shenjë proteste për veprimet ushtarake amerikane në Laos, duke shkaktuar qindra mijëra dollarë dëme, por pa vrarë askënd.

Në nëntor 1983, një bombë u vendos në shenjë proteste ndaj impenjimit të ushtrisë amerikane në Grenada dhe Liban. Bomba shpërtheu por nuk pati viktima./ Opinion.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here