Ulja e temperaturave dhe nisja e reshjeve të dëborës në zonat veriore të vendit ka sjellë dhe bllokimin e Thethit, i cili vijon të jetë i izoluar prej disa ditësh.
Reshjet intensive të dëborës ditën e djeshme kanë bërë që trashësia e saj të shkoj deri në 1 metër.
Në këto kushte rruga e ‘Qafthores’ mbetet e pakalueshme, ndërkohë që banorët i bëjnë apel instancave shtetërore për marrjen e masava dhe zhbllokimin e rrugëkalimit.
Përmes një video-je të dërguar në redaksinë e FaxNeës, disa banorë shprehen se si pasojë e bllokimit të rrugës ata nuk mund të marrin shërbimin shëndetësor për personat të cilat e kanë të domosdoshëm. Reshjet e dëborës janë shoqëruar dhe me rëshqitje dheu të cilat e kanë bërë të pamundur qarkullimin në “Qafthore”.
Banorët bëjnë me dije se ka pasur dhe ndërprerje të energjisë elektrike.
“Shikojeni edhe vetë erdhëm deri këtu dhe rruga është e bllokuar dhe ka mbi 50 centimetra dëborë. Jemi të izoluar, rruga është e bllokuar, s’ka drita, ska doktorë”, shprehen banorët e fshatit.