14 JANAR 1990: TENTATIVË PËR RRËZIMIN E BUSTIT TË STALINIT NË SHKODËR

0
57

Përpjekja e parë për shembjen e simboleve të dhunës dhe izolimit në Shqipërinë komuniste.

Dhjetori është muaji i lindjes së diktatorit rus Stalin. Në vitin 1950, të gjitha aktivitetet e shtetit shqiptar të kohës iu kushtuan pikërisht atij.

Vetë Enver Hoxha, duke shfaqur haptas servilizmin karshi udhëheqësit të tij shpirtëror filloi të përhapte masivisht kultin e Stalinit në Shqipëri. Kështu në Shqipëri do vendoseshin pa fund emra të Stalinit, buste e monumente.

Me 5 nëntor të vitit 1951 u përurua në Tiranë monumenti i Stalinit, sipas vendimit që kishte marrë Kuvendi Popullor në mbledhjen e 11 janarit të vitit 1951. Po ashtu në shumë qytete të Shqipërisë filloi vendosja e busteve të tij.

Pak kohë më pas, në qendër të qytetit të Shkodrës u vendos po ashtu një bust, fillimisht prej betoni, pastaj prej bronxi. Në janarin e vitit 1990, disa të rinj shkodranë dhe jo vetëm ideuan rrëzimin e bustit në qendër të qytetit.

Nuk bëhej fjalë vetëm për një tubim apo protestë, por gjithashtu ishte menduar të mbahej një fjalim, me tematikë politike dhe ekonomike. Datat 11 dhe 14 janar do mbesin gjatë në kujtesën e shkodranëve.

Në këto dy ditë Rin Monajka, Dedë Kasneci, Gjergj Livadhi, Nikolin Thana, Flamur Elbasani e shumë të tjerë, do ta paguanin shtrenjtë iniciativën e tyre. Ata të gjithë u arrestuan në natën mes 13 dhe 14 janarit.

Kështu me 14 janar u zhvillua një protestë e heshtur, në të cilën morën pjesë mijëra qytetarë shkodranë. Organizatorët ishin të mbyllur në “birucat” e Degës së Brendshme, ku u torturuan nga hetuesit dhe operativët e Sigurimit.

Busti qëndroi në shesh deri në gjysëm e vitit 1990, ku u hoq në mënyrë tinzare gjatë natës, nga vetë operativët e Sigurimit.
Koha tregoi se sado gjatë të vazhdojë një regjim, ai një ditë do të bjerë dhe kur ra regjimi diktatorial në Shqipëri, u pa qartë se e gjitha kishte qenë një butafori.

Ai që deri dje paraqitej si një hyjni, nuk kishte qenë kurrë miku ynë, as mbështetësi dhe udhëheqësi i popullit shqiptar. Thjesht ka qenë një diktator i çmendur dhe i mjerë.

Burimi: Vendi i Deshmise dhe kujteses

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here