Përse nuk tërhiqen ujërat nga zona e NënShkodrës!?

0
161

Nga Ervis Krymbi

Që nga data 8 janar i gjithë territori i Shqipërisë është prekur nga reshje të dendura shiu, me regjim të çrregullt.

Po ashtu konstatohet se përmirësimi i situatës klimatike ka ndodhur për disa javë, deri para disa ditësh, por niveli i ujërave në zonat fushore ose sektorë të veçantë të saj nuk ka rënë, sidomos në zonën e NënShkodrës.

Kjo dukuri mund të argumentohet me ligjësitë e veprimtarisë së ujërave rrjedhës dhe ujërave sedentarë në një territor fushor.

Së pari prej shumë vitësh ujërat kanë përmbytur herë pas here fushën. Sic dihet ujërat sjellin me vetë sasira të pallogaritshme materialesh si në formë rrokullisje ashtu edhe në gjendje supensioni. Një pjesë e madhe e këtyre materialeve depozitohet nëpër fusha e sidomos në pjesët më të ulëta të territorit fushor që janë edhe pjesët më efektive për tërheqjen e ujërave duke i mbushur ato dhe duke i bërë gjithnjë e më të paafta.

Së dyti ujërat që përmbytin fushat kanë shumë energji dhe për këtë arsye ato kryejnë edhe veprimtari gërryese në relievin fushor, duke gërryer sidomos pjesë të ngritura të fushës, objekte të infrastrukturës, ledhe kanalesh, pjesë me më shumë pjerrësi. Me këto materiale bashkohen edhe materialet e kodrave që në kohën e shirave të vazhdueshme e intensive gërryejnë e zbresin poshtë shumë material inert. Rasti konkret është zona e Anës së Malit, ku shumë rrjedhje ujore zbresin poshtë duke komplikuar situatën.

Së treti duhet të kuptojmë se në kushtet kur territori fushor mbulohet me një shtresë uji që arrin disa metra dhe që qëndron ashtu për një kohë të gjatë, kjo shtresë uji e ngopur me material inert në gjendje suspensioni favorizon dekantimin e materialit në taban të fushës duke mbushur dhe ngritur nivelin sidomos të pjesëve të ulëta.

Nga të gjitha këto dukuri në fund të fundit rezulton një modelim jo i vogël i relievit të fushës e cila gradualisht bëhet më e sheshtë dhe me një diferencë më të vogël nga lindja në drejtim të perëndimit dhe për rrjedhojë më e paaftë për të tërhequr dhe përcjellë ujërat në det.

Gjithashtu duhet të theksojmë se pjesa fushore më afër detit e mbuluar me ujë transformohet në një pasqyrë ujore pothuaj të njëjtë me detin, ajo pjesë grumbullon më shumë ujë se sa përcjellë për në det.

Kjo është dukuri që po vërehet më qartë në krahasim me rastet e përmbytjeve të tjera në të kaluarën, pa mohuar rolin e mungesës së kapacitetit të plotë të të gjithë elementëve të infrastrukturës bonifikuese të fushës.

Duhet të theksojmë se kjo dukuri e mos tërheqjes së mirë të ujërave dhe të qëndrimit të ujërave për një kohë më të gjatë në territor është një tregues sinjifikativ për momentin historik të fillimit të proceseve kënetizuese.

Momenti pra është historik dhe situata kërkon projekte e zgjidhje konkrete ose do të gjendemi gjithmonë të pa përgatitur e me zgjidhje afatshkurtëra, siç ndodh rëndom.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here