“Aman, mos më fol për politikë”!

0
39

Mëkati më i madh për ne shqiptarët është indiferenca. Ne kemi vite që përgjithësisht nuk jemi më të interesuar të dimë se si funksionon vendi ynë, se cila është gjendja e tij ekonomike, ose nëse gjërat po bëhen mirë apo jo.

Ne e kemi çuar në shkallën më të lartë thënien “Aman, mos më fol për politikë”, përveçse në mediat sociale, ku të gjithë jemi shkencëtar politik dhe arrijmë të lexojmë gjërat më të pabesueshme që mund të bëjë mendja njerëzor.

Mendoj se 97% e popullsisë, dhe unë iu referohem të gjithë shqiptarëve në përgjithësi, nuk kanë lexuar asnjë rresht të Kushtetutës dhe nuk janë të interesuar për atë që thotë ajo.

Nëse kthehemi, tek e famshmja periudhë “tridhjetë vitet e fundit”, në këtë vend është kryer një varg gjërash që pa frikë mund të përkufizohen si skandaloze. Por ne gjithmonë kemi qenë indiferentë.

Na prekin të ardhurat, askush nuk del të protestojë.

Kanë tridhjetë vjetë që na vjedhin, por në rrugë nuk del askush. Kemi parë si na është vjedhur vota, por nuk protestojmë. Sigurisht, në rrjetet sociale gjejmë dhe përdorim fyerjen më të rafinuar madje edhe memen më origjinale. Por e gjitha kjo pasqyron vetëm një gjë: indiferencë.

Mendimi i shqiptarit ka qenë gjithmonë ky: nuk mund të protestojë se humbas vendin e punës, nuk mund të protestojë se humbas një kontratë qeveritare, nuk mund të protestojë se mund të ndodhë që ata të më bëjnë diçka, ose, më qesharakja, nuk mund të protestojë sepse i kam ca miq në pushtet të cilët mund të më ndihmojnë kur të kem nevojë.

I shtojmë indiferentizmit edhe egoizmin e pikërisht me këto ne kemi recetën perfekte për katastrofën e sigurt. Indiferenca jonë për të shkuar për të votuar ka arritur nivele sipërore.

Ku ishin shqiptarët kur duhet të ishin duke votuar? Në plazh, ose në shtëpi të zemëruar me njërën nga palët politike. Kur nëpër biseda më pyesin se si u katandisëm kështu, përgjigjia ime është “A shkove për të votuar?”

Të mos shkosh të votosh do të thotë: “Lërini të tjerët të zgjedhin për mua” ja kjo pra është indiferenca. Edhe në zgjedhjet e 26 prillit, shumë prej nesh do të gjejnë justifikimin për të ndenjur sërish indiferentë duke mos votuar, disa do t’ia hedhin fajin pandemisë, disa se ishin pa qejf, disa se ishin shumë të zënë, e disa më keq akoma se nuk kishin kë të votonin dhe në fund do ta mbyllim me shprehjen “Zoti e bëftë më mirë”, por robi që lamë të na drejtojë do t’ia heq këtë të drejtë edhe Zotit.

Demokracia nuk është për popujt indiferentë. Demokracia është për popujt e guximshëm, të cilët kërkojnë të arsimojnë veten e tyre, të cilët i njohin ligjet e tyre dhe si funksionon sistemi i tyre i qeverisjes, të cilët kërkojnë të jenë qytetarë të mirë, të përkushtuar ndaj vendit të tyre, jo ndaj një partie politike dhe që janë mjaft të pjekur për të mos i bërë lajka askujt, por të kërkojnë që qeveria dhe nëpunësi publik të përmbushë detyrat e tij.

Demokracia është për ata popuj të cilët dinë të votojnë me kokë dhe jo me stomak. Të gjithë duam një vend më të mirë, por a është një vend më i mirë ai ku ne kërkojmë përfitimin tonë personal me koston e indiferencës ndaj nevojave të të tjerëve, ku qytetari qëndron indiferent kur shteti vidhet nga pushteti, kur pandemia bën kërdinë dhe pushteti bën show, kur për 4 vjetë pushteti fle dhe zgjohet disa muaj përpara votimeve dhe shqep gjithë rrugët e mundshme për të treguar se po punon?

Jo, unë mendoj se ky vend ku ne jetojmë nuk është vendi ku unë do kisha dëshirë që të rritej fëmija im. Prandaj le të mendojmë të gjithë për këtë. E ardhmja, jo vetëm e fëmijëve tanë, por e shumë njerëzve është në atë fletëvotim të quajtur votë.

Unë nuk mbroj asnjë parti. Por, vetëm një herë, ju lutem, le të dalim nga indiferenca jonë, të edukojmë veten, të kemi një kokë të ftohtë dhe të votojmë për veten, për fëmijët tanë, për vendin tonë.

(Dosja.al)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here