‘Vota e 25 prillit’/ Meta paralajmëron ‘2 mars’ të dytë: As në ëndrra se keni parë ç’do ndodhë! Vaksinat? Rama po bën ndarje klasore, fokusi tek pandemia (MESAZHET E FORTA)

0
48

Mesazhe të forta sot nga presidenti Ilir Meta. Numri një i shtetit sulmoi kryeministrin Edi Rama duke e akuzuar për keqmenaxhim të pandemisë dhe të shpërndarjes së vaksinave anti-COVID. Meta u ndal edhe tek zgjedhjet duke u shprehur se askush nuk duhet të prekë votën, duke paralajmëruar se shpejt do të publikojë edhe një plan.

Më pas komentoi, largimet nga LSI drejt Partisë Socialiste dhe ftesën e Damian Gjiknurit për të shkuar bashkë në Vlorë, duke e sfiduar atë dhe Ramën.

Presidenti Ilir Meta me tone të ashpra ka paralajmëruar një “2 mars” të dytë, kur më shumë se 2 muaj na ndajnë nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Në një konferencë për shtyp, Meta sulmoi ashpër kryeministrin Edi Rama për keq-menazhim të situatës së pandemisë së koronavirusit, sigurimin dhe injektimin e vaksinave të Pfizer dhe “vjedhjeve” që po bëhen, sipas tij, me tendera sekretë dhe tunele imagjinare.

Gjatë fjalës së tij, Meta ka komentuar deklaratën e kryeministrit Rama se nga të moshuarit do të vaksionohen fillimisht personalitetet, duke e akuzuar për ndarje klasore. Ndërsa bëri edhe njëherë thirrje për blerje të pajisjeve mjekësore, duke kërkuar që fokusi i vetëm në vend të jetë menaxhimi i pandemisë dhe rimëkëmbja e ekonomisë.

Batuatave të Ramës sot nga Vlora, kreu i shtetit i është kundërpërgjigjur me një sfidë, duke kërkuar një takim me qytetarët e kësaj zone. Po ashtu paralajmëroi se shumë shpejt do të sjellë me fakte se investitorët e huaj që sipas numrit një të qeverisë do investojnë në Vlorë, nuk janë “arabë” por persona të tjerë që fshihen pas tyre.

Megjithatë Meta ka zgjedhur që të mos japë detaje të tjera. Më pas fokusi ka kaluar tek zgjedhjet parlamentare të prillit, që janë më pak se 64 ditë larg.

Numri një i shtetit u shpreh se kishte informacione zyrtare për ndërhyrje duke “premtuar” se shumë shpejt do të publikonte një plan parandalimi, ndërsa bëri një thirrje specifike për efektivët e Policisë që të mos përdoren nga Policia.

Ai shtoi se efektivët i kishte mbrojtur gjithmonë por në rast të një 2 marsi të dytë, nuk do të ndalonte furinë e popullit.

“Në ëndrrën më të keqe nuk e kanë menduar se çfarë do t’u ndodhi nëse preket një votë e shqiptarëve,”-tha Meta.

Më pas, kreu i shtetit është ndalur tek komentet e Ramës se “do të dërgojë LSI-në për skrap”, duke e falenderuar se po i merr të gjithë “llumin” që ka pasur në partinë e themeluar. Ndërsa shtoi se ka shumë problem faktin sesi Rama me sjelljen e tij do të trefishojë rezultatin e LSI-së në zgjedhje.

(k.m/dosja.al)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here