“Messi nuk e bën kurrë këtë në stërvitje”; Semedo zbulon aftësinë “natyrore” të superyllit të Barçës

0
40

Nelson Semedo ka folur për aftësinë “natyrore” të Lionel Messit në goditjet e lira, duke këmbëngulur se superylli i Barcelonës nuk praktikohet kurrë në stërvitje me skuadrën në këtë “specialitet”. Saktësia Messit në këto situata të lojës, gjatë karrierës së tij 16-vjeçare në “Camp Nou”, e ka ndihmuar atë të bëhet “snajperi” më i mirë në historinë e Barçës.

Shumë nga lojtarët më të mirë punojnë shumë në stërvitje për përsosjen e goditjeve të lira, por Semedo pretendon se argjentinasi ka qenë gjithmonë “i përsosur”, kur bëhet fjalë për të zgjedhur cepin e rrjetës nga distanca e largët.

I pyetur se si është të stërvitesh me Messin në baza ditore, mbrojtësi luzitan, i cili aktualisht është huazuar te Wolves, tha për “The Telegraph”: “Wow. Në të vërtetë nuk kam shumë fjalë, që mund ta përshkruaj sa i mirë është ai. A e dini se çfarë e bën atë edhe më mahnitës? Unë kurrë nuk e kam parë të praktikohet në goditjet e lira gjatë stërvitjes, gjatë gjithë kohës që isha atje. Betohem se nuk e bëri kurrë!

Ne gjithmonë praktikonim gjuajtjet nga distanca, por Messi kurrë nuk u angazhua në një goditje të lirë. Për të, ishte thjesht e natyrshme. Njerëzit thonë se praktika të bën të përsosur. Leo nuk praktikohej në këtë drejtim, por ishte i përsosur!”

Messi ka shënuar 658 gola në 763 ndeshje për Barçën, deri më tani, duke përfshirë 49 gola nga goditjet e drejtpërdrejta (të lira apo standarte). 33-vjeçari, gjithashtu e ka gjetur rrjetën nga ky ”specialitet” gjashtë herë me Argjentinën, por aktualisht është i 11-ti në listën e të mëdhenjve të të gjitha kohërave, sa i takon të ashtuquajturit “top i vdekur”.

Ish-mesfushori i Lyon, Juninho, mban rekordin me 77 rrjeta, ndërsa legjenda e Brazilit, Pele, realizoi 70 gola nga goditjet e lira. Më pas vjen David Beckham, që shënoi 66 herë gjatë karrierës së tij. Messi është përpara rivalit të tij, Cristiano Ronaldo, megjithëse sulmuesi i Juventusit ka shënuar 47 herë nga goditjet e lira për klubin dhe kombëtaren portugeze, deri më sot.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here