JARET SHKODRANE, MREKULLIA DHE E VEÇANTA E MUZIKES SE NJE QYTETI

0
304

Kënga qytetare Shkodrane është pjesë e trashigimisë shpirtërore.Kënga qytetare Shkodrane është një thesar me vlera artistike kombëtare. Repertori i saj është shumë i pasur dhe i larmishëm, e lindur në një ambient e në rrethana të caktuara historike.

Të kësaj natyre janë “Jaret” e famshme e aq të njohura të Shkodrës jane sa te veçanta po aq me vlere.

Jaret kane një stil të veçantë dhe një formë më të zhvilluar ku shpirti ashikut shkodran, dashurinë e fshehtë e shprehte vetëm nëpërmjet këngës .

Për interpretimin e kësaj tip kënge, arie të vërteta, thelbësore është që duhet të njihen domosdoshmërisht shumë mirë disa nga karakteristikat themelore të saj si frymëmarrja shumë e gjerë e melodisë, e cila vjen si pasojë e shtrirjes shumë të gjerë, që fillon që nga regjistri i ulët vokal deri te notat e larta, akute, të cilat do t’i ëndërronte t’i kishte edhe një këngëtar lirik.

Tipari i dytë është pasuria e jashtëzakonshme melizmatike – zbukuruese e melodisë, , me nota zbukuruese, me rrëshqitje zanore marramendëse, si edhe grupete prej katër, pesë, e gjashtë notash etj. Tipari i tretë është ndërtimi strukturor i melodisë së këngës, i cili është tej mase i pasur. Melodia e këtyre “arieve”, ka një shtrirje shumë të gjerë, që arrin jo vetëm në dy oktavë e më lart, por në shumicën e rasteve, edhe i kalon ato, që e dallon këtë lloj kënge nga ndërtimet e tjera dhe prandaj nuk mund të quhet thjesht folklorike.

Shkallëzim tingullor i jareve, me larmi të tejskajshme, prodhon këtë diversitet tingullor, për pasojë, edhe emocional gjithë ngjyrësh. Dukuri krejtësisht e veçantë kjo, që u jep jareve mundësi të pakufishme shprehjeje emocionale, ndjesive, mendimeve, ideve, në përcjellje mesazhesh, nivele shprehshmërie nga më të këndshmet, përfshirë brenda botëkuptimit, psikologjisë dhe veçorive psiqike të popullit të këtij qyteti, si rrafsh gjithëpërfshirës i psikologjisë mbarëkombëtare.

Mendoj se, shkakun parësor të kësaj dukurie, e ka luajtur instrumenti muzikor Sazeja, vegël që i ka dhënë emrin vetë orkestrinës që ka shoqëruar jaret, në grupet e ahengxhinjve të qytetit të Shkodrës. Është i njohur në popull termi Sazet popullore dhe vazhdohet të kuptohen me këtë term, këngëtarët dhe orkestrina popullore. Në të vërtetë, Sazeja është vegël kordofone, me tela, ndër veglat kryesore të ahengut qytetar shkodran, instrument që përballon melodi me diapazon shumë të shtrirë, me tastierë që ndahet në 17 perde vetëm brenda oktavës së parë të saj.

Jaret, tashmë përcjellë nga këngëtarët dhe orkestrinat në stad të ri shoqërues dhe interpretues, ka kohë që kanë hyrë në shtëpinë e tyre të re, në orkestrën me instrumente të temperuar dhe aty krijuan fole, lëshuan rrënjë, morën jetë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here