Shiroka, dobësia e shkodranëve…

0
534

E gjendur vetëm katër kilometra larg qytetit të Shkodrës, në bregun e Liqenit të Shkodrës dhe rrëzë malit të lartë të Taraboshit, pika turistike e Shirokës është padyshim një nga joshjet më të veçanta që të ofron një fundjavë për të qenë pranë saj.

Dikur, që para çlirimit ajo ishte pika turistike dhe plazhi më i populluar për shkodranët. Pas viteve ’90 ajo pothuajse u braktis, por ka dy vjet që po merr përsëri gjallërinë dikurshme.

Shumë shkodranë nostalgjik shkojnë vazhdimisht atje. Një fundjavë në Shirokë kalohet shumë këndshëm, se, përveç klimës dhe ajrit të pastër që filtrohet nga freskia e liqenit dhe pishat e Taraboshit, ka brenda saj edhe kënaqësinë e të shijuarit të një dreke në lokalet e shumta që janë ndërtuar vitet e fundit në hapësirën turistike të kësaj zone.

E këto lokale, që të shoqërojnë që prej momentit që ke lënë pas Urën e Bunës dhe deri në qendrën e zonës së Zogajve, atje ku mbaron hapësira turistike e bregut të liqenit të Shkodrës, këtë vit kanë qenë të mbipopulluara.

Sot Banorët e Shirokës të thonë që pjesa më e madhe e frekuentuesve të këtij plazhi përdorin biçikletat për të mbërritur deri aty, mundësi që e krijon afiniteti i plazhit me qytetin.

Ndërkohë, krahas pushuesve që mbërrijnë me automjete private. Të kënaqur për rikthimin e plazhit të Shirokës, janë edhe vetë qytetarët shkodranë. Sipas tyre, me këtë ritëm pozitiv që po merr përmirësimi i infrastrukturës.

Shiroka shumë shpejt do të jetë një plazh i mirëfilltë, duke i plotësuar kërkesat e shumta që një kategori qytetarësh shkodranë dhe më gjerë ka për këtë pikë turistike.

Përveç vlerave të padiskutueshme që të servir, Shiroka ka shansin që është gjeografikisht shumë pranë qytetit, çka i jep mundësi komunitetit ta frekuentojë më lehtësisht dhe pa shpenzime ekonomike, siç mund të ndodhë me plazhet e tjera larg qytetit, si Velipoja dhe të tjera të kësaj natyre.

I gjithë ky fluks vizitorësh që ka filluar të frekuentojë Shirokën, pa tjetër që ka dhënë ndikimin në fushën e biznesit, investimet e të cilit vitet e fundit në këtë zonë kanë ardhur në rritje.

Kjo është Shiroka e vërtetë, asaj po i rikthehen miqtë e saj të vjetër. “Shiroka po kthehet në identitet dhe shpresojmë të ecë me këto ritme”, shprehën administratorët e lokaleve, duke theksuar se janë shumë të kënaqur nga frekuentimi i madh që po i bëjnë vizitorët, vendas dhe të huaj.

E bukur, por…edhe grep peshku

Shiroka nuk është e bukur në verë, ajo është e bukur në çdo stinë. Është kjo arsyeja që aty disa herë janë hedhur fonde për investime.

Shiroka shërben si karem për peshkuar dhe për të kamur më tej peshqit e mëdhenj. Për liqenin e Shkodrës vetëm të deklaruara si “derdhje” fondesh dhe donacionesh janë mbi 20 milionë euro.

Por harxhimet më të mëdha janë drekat e darkat e shoqatave ambientaliste. Normalisht duhet të kishte lidhje liqenore me tranzit varkash të sigurta transporti udhëtarësh si me molon e Shkodrës dhe Shirokë, Zogaj dhe Vir Pazar, por edhe Han të Hotit.

Duhej të kishte edhe lidhje me “Bregun e Ranës” në anën tjetër të liqenit që dikur kishte kamp për fëmijët, por ato…janë vetëm në letra!

Filip Shiroka

(Lindi më 1859 në Shkodër dhe vdiq më 1935 në Bejrut, Liban – shkrimtar, rilindës shqiptar)

Shko dallëndyshe!…

Udha e mbarë, se erdh prendvera,
shko dallendyshe tue fluturue,
prej Misirit n’dhena tjera
fusha e male tue kërkue;
n’Shqypni shko, pra, fluturim,
shko në Shkodër, n’gjytet tim!

Shndet prej mejet të m’i falesh
saj’ shpis’ vjetër ku jam le,
me ato vende rreth t’përfalesh
ku kam shkue kohën e re;
atje shko, pra, fluturim,
fal me shndet gjytetit tim!

Shko n’at shkollën ku jam msue
me shokë t’mi, shokt e fmnisë,
shko n’at Kishë ku kam urue
t’parën Uratë Perendisë,
atje shko, pra, fluturim,
fal me shndet gjytetit tim!

Me ato male, me ato kodra,
me ato prronje rreth t’përfalesh;
n’ato fusha qi m’ka Shkodra,
të lulzueme, aty t’ndalesh,
tue këndue me ambëlcim:
fal me shndet gjytetit tim!

Dhe kur t’mrrish në Fushë t’Rmajit,
dallendyshe ulu me pushue;
kam dy vorre n’at vend t’vajit,
t’nans e t’babs qi m’kan mjerue:
qaj me za t’përmallshëm shqim
nji kangë tanden gjith vajtim!…

Mbreti Zog dhe Shiroka

Shiroka ka hyrë në vëmendje si vend pushimi që në fillim të shekullit të 20-të. Në vitin 1911 është ndërtuar rruga automobilistike.

Kush e kujton Shirokën e viteve të mëparshme, ka nostalgjinë e një prej plazheve më në zë të Shkodrës, aty ku gjatë stinës së verës vërshonin me qindra e mijëra pushues ditorë, ndërkohë që shumë të tjera qëndronin të sistemuar me kabina, hotele e shtëpi private që ofroheshin për pushuesit afatgjatë.

Përpos miniplazheve që prej kthesës së Urës së Bunës, e përgjatë vijës së bregut të liqenit të Shkodrës, qendra e Shirokës ishte zona më e lakmuar e këtij plazhi, e cila me një hapësirë të madhe sistemonte një numër shumë të madh plazhistësh, mes tyre edhe kampin e fëmijëve, që kishte për rezidencë ish vilën e Zogut.

Një kënaqësi tjetër e asaj periudhe ishte edhe udhëtimi me traget dhe motobarka të tjera nga Ura e Bunës për në Shirokë, e cila i jepte një tjetër larmi pushimeve në Shirokë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here