BUJAR EMRIN KA BILBILI

0
564

Nga Ramazan Çeka

Kënga e Bujar Qamilit, lule e bukur në çdo stinë, nderi i qytetarisë shkodrane.

Bujar Qamili një zë i magjishëm dhe një thesar i këngës shqiptare vjen së shpejti me një projekt të ri në bashkëpunim me këngëtarin e mirënjohur gjakovar Shkelzen Jetishi, një zë tjetër i mrekullueshëm i këngës popullore kosovare.

“Ti pa fat e unë pa fat” është një duet lirik i komozuar e orkestruar nga maestro Gezim Mneri dhe me tekstin tim që bën fjalë për një dilemë dashurie që dy të rinj kanë për një vajzë.

E kënduar kjo këngë nga këta dy zëra të mrekullueshëm sjell për dashamirësit e këngës popullore ndoshta një risi ku lirika shoqërohet edhe me nota humori.
Ky projekt, pra realizimi i kësaj kënge si të thuash më frymëzoj që të rikthehem edhe një herë në një shkrim kushtuar “Mjeshtrit të Madh” Bujar Qamili, i cili për arsye personale e familjare na mungoj në Shkodër prej disa muajsh.

Kam bërë me dhjetra tekste këngësh apo shkrime publicistike për Bujar Qamilin, të cilat i lidhja më së shumti me aktivitetet e pafundme ku dhe e shoqëroja, dhe sërish më duket sikur nuk i kam thënë të gjitha ato çfarë meriton apo përfaqson ky kollos i këngës së pastër qytetare shkodrane e shqiptare.

Në të vërtetë për artistët duhet shumë art t’ua gdhëndësh kornizën, kurse për mjeshtrat e mëdhenj nuk të mjaftojnë as dhuntitë t’i analizosh përformancen dhe kontributin që japin në fushat e tyre.

I tillë është edhe “Mjeshtri i Madh” Bujar Qamili, i cili megjithëse në dominancë ka të mishëruar më së shumti këngën e ëmbël qytetare shkodrane, në repertorin e tij nuk mungojnë asnjëherë as këngët e trevave të tjera shqiptare, duke u dhënë atyre po aq dinjitet dhe vlera muzikore sa të gjithë artëdashësit e këngës ta duartrokasin dhe mirpresin si ikona më e vyer e muzikës mbarë shqiptare.

Jo rrallë e kam theksuar se falë bashkëpunimit dhe afrimitetit shoqëror që kam me të madhin Bujar Qamili e kam ndjekur dhe vazhdoj ta ndjek prej kohësh, këmba-këmbës në koncertet e tij recitale e jo vetëm dhe e them me bindje se emocionet e mëdha që marr nga ai, mbeten gjithnjë e më të veçanta e të paharruara jo vetëm për mua, por për të gjithë të pranishmit, çka kulmoi me koncertin që u bë i famshëm në gjithë boten shqiptare.

Është periudha e karantinës si rezultat i pandemisë covid 19 që paralizoi jo vetëm jeten e një qyteti, por jeten e gjithë globit. Njerëzit kërkonin një zgjidhje, kërkonin një rrugë për të dalë nga kjo gjendje, por në qytetin e Shkodrës këtë zgjidhje dhe rrugë e gjeti “Mjeshtri i Madh” Bujar Qamili me këngën e tij të bukur, me zërin e tij si melhem që shëron jo vetëm sëmundjet, por edhe zemrat e shpirtin.

Në një nga sheshet më të mëdha të qytetit që në Shkodër njihet me emrin e vjetër “Parrucë”, mbi asfalt u ndërtua skena, ku ky këngëtar aq i dashur improvizoi me repertorin e tij një koncert dhuratë, të cilin e pagëzoi po ashtu: “Dhuratë për Shkodren”.

Koncerti nuk pat nevojë për llozha e karrike sallash, pasi pallatet që rrethojnë sheshin u kthyen në një amfiteatër gjigand nga ku i madh e i vogël, nga dritare e balkone, sfiduan këtë situatë kaq të pazakontë, duke bashkuar zërin e tyre me këngën e bukur shkodrane që po u dhuronte atë pasdite Bujar Qamili.

Kamerat e TV1 Channel ndërkohë po e transmetonin live këtë koncert, për ta ndjekur gjithë banorët e Shkodrës, deri në Ameriken e Largët përmes ekranit të vogël dhe internetit.

U desh kjo performancë për të na dhënë të kuptojmë se sa e shtrenjtë është jeta, sa të varur jemi nga njëri-tjetri dhe sa shumë dashuri mund të marrim dhe japim falë shpirtit solidar që na karakterizon ne shqiptarëve e sidomos nga arti dhe artistët shpirtmëdhenj.

Falë bashkëpunimit të TVI Channel me të Madhin Bujar Qamili, koncerti “Dhuratë për Shkodren” pasqyroi kulturen shkodrane, e cila triumfoi edhe njëherë fort, duke demostruar me seriozitet dhe besim vlerat e saj kulturore edhe në kushtet e kufizimit të lirisë apo frikës së pandemisë.

Ky koncert falë zhvillimit të teknologjisë pati një shikueshmëri prej mijëra e mijëra spektatorësh virtual, të cilët e ndiqnin me emocion të shtuar në valët e TV1 Channel dhe faqen e tij zyrtare në fb, si dhe në shpërndarjet e shumta të bëra nga vetë gazetarët dhe punonjësit e këtij televizioni, apo artëdashës shkodranë ku me mijëra kanë qenë edhe komentet falenderuese dhe vlerësuese.

Kjo bëri që ky koncert të shpërndahet akoma më shumë e të vlersohet si kurrë më parë. Jehona e këtij koncerti nuk mund të kalonte pa marrë edhe vëmendjen e televizioneve lokale e kombëtare, deri edhe të institucioneve shtetërore, ku vlen të veçohet një status i Presidentit Meta në faqen e tij në fb, të shoqëruar me një video të realizuar gjatë koncertit.

Ajo që vlen të veçoj nga ajo natë e zjarrtë që çoi peshë zemrat e shqiptarëve anë e mbanë botës është se “Mjeshtri i Madh” Bujar Qamili premtoi për spektatorët e tij një tjetër koncert madhështor në stadium, premtim ky i bërë gjatë koncertit.

I bindur jo vetëm nga përvoja jetike, por edhe nga sa dëgjojmë përditë, shkodranët janë punëtorë, kërkuesë dhe novatorë në çdo fushë të jetës, ku jo më kot ka dalë shprehja,”po të jesh shkodran, të tana i ban”, por në veçanti arti dhe kultura kanë qënë ata ku Shkodra ka spikatur më së shumti, prandaj edhe i është vënë epiteti “djepi i kulturës”.

Tashmë muzika shkodrane njihet mirë dhe pëlqehet nga çdokush. Këngët e bukura shkodrane epike dhe lirike, dhe në veçanti jaret e famshme, ka kohë që kanë kaluar kufijtë e Shkodrës dhe janë bërë të njohura, duke u interpretuar dhe studiuar në Shqipëri dhe në botë. Kënga popullore shkodrane, e thënë me plot gojën, është një kala tjetër për këtë qytet.

Në themelet e kësaj kalaje ka gur tepër të çmuar si: Marije Kraja, Luçije Miloti, Naile Hoxha, File Gjeloshi, Ibrahim Tukiqi, Bik Mdoja, Xhevdet Hafizi, Shyqyri Alushi e tjerë e tjerë.

Por vitet kalojnë, brezat ndërrohen, dhe për këngën e bukur popullore shkodrane do të vinte një përfaqësues i ri, një gur tejet i çmuar, madje xhevahir, me një zë të ëmbël, të bukur, brilant e magjepsës: Bujar Qamili.

Më vjen natyrshëm të them se ashtu si me Shkodrën Zoti ishte treguar bujar edhe me Bujarin, këtë djalë të ri, të qeshur dhe shumë punëtor e tepër kërkues ndaj vetes. Nga grupi i estradës së fabrikës së cigareve do të ngjitej në skenën e Estradës Profesioniste të Teatrit “Migjeni” në Shkodër, e pastaj do të fluturonte duke përfaqësuar qytetin e tij në festivale kombëtare e ndërkombëtare e duke i sjellë atij çmime e trofe të shumta.

Bujari është pjesëmarrës në të gjitha festivalet e këngës popullore të organizuara nga R.T.SH.Nëpër vite ai do të ishte i pranishëm në shumë e shumë vende të botës, duke dhënë koncerte të suksesshme për shqiptarët, ku edhe mund të jetonte përfundimisht në këto qytete moderne, por asnjëri nuk ia mbushi syrin si Shkodra tij e dashur.

Vlerësimi më i lartë për të do të vinte në vitin 2010, kur Presidenti i Republikës së Shqipërisë i jep titullin e lartë “Mjeshtër i madh”. Vitin e kaluar në Tiranë në Pallatin e Kongreseve, në prani të 2500 spektatorëve, Bujar Qamili organizoi një koncert recital të titulluar “Këndo Bujar me t’bukrin za” si emblemë e këngës shkodrane dhe më gjërë ku shkëlqeu me një interpretim brilant.

Zëri dhe talenti i Bujarit i kapërcejnë kufijtë e këngës si interpretim dhe kjo e bën atë një artist që transmeton mesazhe njerëzore tek masa e gjërë e publikut. Bujari është një talent që ka arritur majat dhe ka befasuar gjithë publikun shqiptar e më tej, duke dhënë mesazhin se kultura dhe arti janë pasuri e përbashkët kombëtare.

Kënga dhe Bujari janë një unitet me vlera të mëdha dhe të çmuara. Ata janë jo vetëm pasuri e popullit por edhe mesazh shpirtëror që ka prekë zemrat e kaq shumë njerëzve. Me jehonën e madhe që ka marrë emri i tij si një mjeshtër i madh i këngës shqiptare, ai po tundë skenat e botës.

Jo me kot ka thënë edhe shkrimtari dhe dramaturgu i shquar profesor Fadil Kraja se “Bujari është një ndër talentët e rritur në Teatrin “Migjeni”, në duart e mjeshtrave: Mark Kaftalli, Nazmi Lishi dhe Luan Barova. Është një nga figurat më të pastra si njeri dhe si artist. Kam pasur kënaqësinë që kam bashkëpunuar me Bujarin”.

Edhe unë autori i këtij shkrimi kam pasur fatin të bashkëpunoj me këtë këngëtar të madh. Ndër këngët më të suksesshme për cilat unë mbaj autorsinë e teksteve janë “Dy bylbyla në një gem” me këngëtarin e mrekullueshëm nga Gjakova Shkëlzen Jetishi, kompozuar nga kompozitori Zaim Merkulaj, orkestruar nga maestro Luan Dagistani dhe si gjithmonë të pandarë me laureshen e Shqipërisë së Mesme këngëtaren e madhe Artiola Toska me këngën “Zemrën ta kam falë” me muzikë të kompozitorit tashmë të preferuar nga të gjitha trevat maestro Edi Balili.

Kjo ikonë e këngës popullore shkodrane, Bujar Qamili ka zënë rrënjë në repertorin e artë të këngës popullore shqiptare dhe jo më kot e kanë pagëzuar si “bilbili i këngës popullore”.

Edhe pse kohët kanë ndryshuar, në muzikë kanë hyrë rryma të reja, shumë shqiptarë e adhurojnë këngën e Bujarit dhe do të donin ta shihnin më shpesh në festivale dhe evente të ndryshme të pasqyruara edhe nga media.

Bujari i qëndroi besnik kësaj kënge të bukur popullore, e cila ka dalë nga populli dhe ai e ruajti këtë thesar të çmuar.

Në përgjithësi të gjithë shqiptarët e duan dhe e vlerësojnë shumë për interpretimin që ai iu bën këngëve popullore dhe që vazhdimisht në koncerte, recitale ose show është ndër të vetmit këngëtarë që nuk i mungon spektatorit me daljet e tia në televizion ose skenë, të cilat ai i bëni çdo vit. Gjithë jeten e tij i këndoi luleve, dashurisë dhe qytetit të tij dhe kjo e bën atë kaq të dashur për publikun.

Bujar Qamili është një ndër artistët që në karrieren e tij arriti gjithçka nëpërmes zërit të tij të mrekullueshëm dhe interpretimit brilant.

Ai është vlerësuar me shumë çmime:
1-Këngëtari më i votuar me çmimin e publikut.
2-Fitues i diskut të artë.
3-Dy herë fitues i Festivalit të Interpretuesve të Këngës Popullore.
4-Fitues i Maratonës së Këngës Popullore.
5-I pranishëm në të gjitha koncertet tek “100 këngët e shekullit”.
6-Dy herë pjesëmarrës në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, ku përveç qytetit tij ka qenë pjesëmarrës edhe me Ansamblin Shtetërorë të Këngëve dhe Valleve Popullore.
7-Bashkia Shkodër i ka dhënë titullin e lartë “Mirënjohja e Qytetit”.
8-Në vitin 2006 Presidenti i Republikës së Shqipërisë i dha titullin këngëtari i urdhërit “Naim Frashëri i Artë”.
9- Në vitin 2010 Presidenti i Republikës së Shqipërisë e nderoi me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.

I bindur në gjykimin tim dhe po aq i mbështetur edhe nga vlerësimi i artëdashësve, duke iu referuar edhe statistikave, mund të them se është shumë e vështirë të gjesh një këngëtar në moshën e Bujarit me këtë karrierë artistike kaq të suksesshme, ndaj si mik dhe bashkëpuntor, i uroj jetë të gjatë e shumë të begatë.

Suksese në karrieren artistike dhe jetëgjatsi në aktivitetet e tij muzikore. Zëri dhe zemra e tij mbajn të gjallë prushin në zemrat e artëdashësve shkodranë e mbarë shqiptar.

Mars 2021

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here