KOLË GURASHI DHE KËNGA QYTETARE SHKODRANE

0
508

Kolë Gurashi është përfaqësuesi më tipik i ruajtjes, i përhapjes, rinovimit e pasurimit të këngës qytetare shkodrane, sepse pa të, njohuritë tona për këngëtarët dhe krijuesit e tyre, të afërt apo të largët, do të ishin shumë të kufizuara. Ai punoi tërë jetën e tij të gjatë, për lulëzimin dhe evidentimin e këngës qytetare shkodrane.

Kolë Gurashi u lind më 14 janar 1880. Qysh i vogël tregoi interes të shtuar për këngën qytetare shkodrane dhe interpretimin mjeshtëror që i bënin asaj këngëtarët më në zë të kohës, midis të cilëve më vonë përmenden më të njohurit, si:

Sait Hoxha, Osja i Falltores, Mark Krajani,
Palokë Kurti, Hila i Files, Tare Hoti, Tahir Kastrati, Shtjefën Jakova, etj., etj., për të cilët ai do të na lërë shënime me vlerë, që pjesërisht janë botuar dhe një pjesë mbeten në dorëshkrim, por gjithsesi janë burimet kryesore nga ku marrim të dhëna të rëndësishme për ta dhe për të tjerë më të vjetër me të cilët ka filluar reformimi i ahengut shkodran, siç shprehet vetë Kolë Gurashi.

Ai luajti rolin kryesor në krijimin e teksteve të reja poetike dhe zëvendësimin e teksteve
të vjetra, të mbushura me barbarizma. Kolë Gurashi i dha përmbajtje të re shumicës së këngëve që këndoheshin atëherë dhe që kanë mbetur sot e kësaj dite, duke u përfshirë në reformimin e ahengut shkodran për
t’i kënduar dashurisë së pastër, luleve shumëngjyrëshe e plot aromë të Shkodrës, natyrës së bukur e njerëzve të mirë.

Duke vazhduar punën e nisur më herët nga Kasem Xhurri e Palokë Kurti me shokë, ai i dha ngjyrë shkodrane shumë krijimeve të bukura. Në studimin e tij “Ahengu Shkodran” (së bashku me Gjush Sheldinë) dhe në vazhdim të tij në
botimin e artikullit “Të dhëna biograke mbi disa këngëtarë popullorë” në vjetarin “Shkodra”, 1962,1963 e 1964, flitet për një plejadë të tërë krijuesish, interpretuesish dhe ekzekutuesish të këngës qytetare shkodrane.

Kolë Gurashi na la të shkruar gjithë renditjen e ahengut dhe të këngëve të dasmave, sipas rregullave të përcaktuara mirë dhe të çelësave muzikorë për plot 330 këngë, duke treguar në shumë raste autorët apo
prejardhjen e tyre.

Në studimin e tij, Kolë Gurashi përfshin një gamë të gjerë të krijimtarisë muzikore dhe etnografike të qytetit tonë, si për ahengun, për vlerat muzikore që përdoreshin në kohë të ndryshme, për vallet shkodrane dhe vjetërsinë e ndarjen e tyre, për zakonet e fejesës dhe martesës në Shkodër në besime të ndryshme, veshjen e qytetarëve shkodranë, vallet si dhe një fjalor turqisht, arabisht e persisht, për fjalët e përdorura në këto këngë.

Përveç këtyre, në sajë të punës së madhe dhe voluminoze që ka bërë Kolë Gurashi, ne sot kemi një vëllim të plotë të teksteve të këngëve shkodrane, ku duket edhe kujdesi me të cilin i ka mbledhur këto këngë. Të gjitha materialet e mbledhura dhe të krijuara nga Kolë Gurashi meritojnë studim të hollësishëm dhe një vlerësim të plotë.

Një punë e tillë u bë nga studiuesi i folklorit tonë prof. Selami Tabaku në librin “Shkodra e baballarëve” ku përveç teksteve të këngëve të krijuara apo të mbledhura nga Kolë Gurashi, në hyrje të librit ka botuar një studim pak a shumë të plotë të krijimtarisë së Kolë Gurashit në këtë fushë, nën kujdesin e të birit të tij, piktorit Ndoc Gurashi.

Është ndër të parët që e ka përdorur me shkathtësi harmonikun e dorës. Edhe pse në moshë të thyer, ai la, në studion e Radio Tiranës, në vitin 1952, një numër të madh inçizimesh të këngëve qytetare shkodrane, për të mbetur përjetësisht i gjallë repertori i tij shumë i pasur. Edhe në këtë drejtim ai meriton vëmendje të veçantë.

Përveç studimeve në fushën e këngës, përveç poezive të shumta të këngëve shkodrane, përveç 74 inçizimeve në Radio Tirana, Kolë Gurashi ka lënë edhe vepra në artet e tjera si në pikturë, ku spikat vepra “Ahengu Karakteristik Shkodran” dhe riprodhimi i “Dasmës shkodrane” të Idromenos, veshjet shkodrane, natyra e qetë “Drandofilet”, etj., si dhe një autoportret. Megjithëse i ka bërë në moshë të thyer, në to mbizotërojnë ngjyra të gjalla e të ndezura, plot jetë dhe kolorit.

Edhe në fushën e dramaturgjisë, Kolë Gurashi na ka lënë disa vepra si melodrama dhe drama. E gjithë kjo krijimtari, në një mënyrë a në një tjetër është e lidhur me vetë këngët shkodrane, duke treguar edhe një herë se shpirti i tij prej artisti të gjithanshëm ishte i lidhur në mënyrë të pandashme me këngën qytetare shkodrane.

Të gjitha njohuritë e tij në këto fusha, shërbyen më vonë në inskenimin e grupit artistik të Shtëpisë së Kulturës të shfaqjes “Dasma shkodrane” në vitin 1947, të regjisorit Andrea Skanjeti, ku Kolë Gurashi dha një ndihmesë të madhe në përgatitjen e saj, veçanërisht në anën etnografike.

Jeta dhe vepra e Kolë Gurashit është një shembull i pakrahasueshëm i dashurisë së
përhershme dhe të gjithanshme për artin popullor në përgjithësi dhe për këngën qytetare shkodrane në veçanti.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here