Kush është Helga Sallaku, kandidatja për deputete e listës së Partisë Demokratike?

0
1796

Helga Sallaku, është një vajzë e lindur dhe e rritur në qytetin e Shkodrës, 36 vjeçe, e martuar me dy vajza. Është pedagoge e me kohë të plotë në degën e Informatikës, pranë departamentit të Matematikës dhe Informatikës, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.

Tek Helga spikasin disa elemente formimi, të cilat i gjen të ndërthurura shumë mirë në personalitetin e saj, si: intelektualizmi ndër vite, të qenurit eksperte në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, aftësitë në mësimdhënie, të qenurit njohëse dhe eksperte e pushtetit vendor si dhe aftësitë në drejtim dhe menaxhim biznesi.

Helga është bijë e Shkodrës, vjen nga një familje qytetare, e cila i ka trashëguar ndjenjën e lartë të përgjegjësisë, përkushtimin në punë dhe angazhimin politik të djathtë.

Është shkolluar në shkollat më të spikatura të Shkodrës, “Branko Kadia”, “At Pjetër Mëshkalla” dhe është diplomuar në Universitetin “Luigj Gurakuqi, në degën Informatikë, duke pasuar me studimet pasuniversitare në Universitetin e Tiranës nga ku ka përfunduar studimet për titullin e Masterit të Shkencave në “Informatikë | Sisteme Informacioni”.

Megjithatë, formimi intelektual për Helgën nuk ndalet këtu, pasohet nga dhjetra çertifikata e diploma në fushën e informatikës, të mësimdhënies dhe të programeve të qeverisjes vendore tashmë prej 15 vitesh, të cilës së sëfundmi i është shtuar edhe titulli i Ambasadores së Shkencës në rrjetin akademik dhe shkollave evropiane, si një ndër 8 përfaqësueset e Shqipërisë.

Po aq sa formimi i saj, e larmishme për Helgën është edhe eksperienca 15 vjeçare në punë. Ka nisur punën si mësuese e lëndëve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në vitin shkollor 2006 -2007 në gjimnazin elitë të Shkodrës “28 Nëntori”, në vitet 2007-2008 ka punuar specialiste e TIK në Këshillin e Qarkut të Shkodrës, duke pasuar me drejtimin e sektorit TIK në bashkinë e Shkodrës për 13 vite, 2008-2021, periudhë e rëndësishme e zhvillimit të saj profesional dhe institucional si rezultat i kontributit të saj në implementimin e të gjithë sistemeve të dixhitalizuara të informacionit në bashkinë Shkodër para dhe pas hyrjes në fuqi të Reformës Territoriale.

Është vlerësuar nga ASPA (Shkolla Shqiptare e Administratës Publike) në vitin 2014 për kontribute të veçanta në zhvillimin e qeverisjes elektronike, si dhe është angazhuar nga disa organizata të rëndësishme ndërkombëtare që veprojnë në Shqipëri si eksperte e pushtetit vendor për replikimin e praktikave të mira në bashki të tjera të vendit tonë.

Paralelisht, është e angazhuar edhe në biznes, në zhvillimin te dy startup-eve të susksesshme në Shkodër, në fushën e formimit profesional dhe në zhvillime software.

Fakti që Helga sot listohet si kandidate për deputete e Partisë Demokratike, në zgjedhjet parlamantare të 25 prillit, lidhet po ashtu edhe me kontributin dhe rrugëtimin e saj në këtë parti. Që në vitin 2003 i është bashkuar strukturave te FRPD Shkodër, duke qenë aktive në fushatën e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005.

Më pas ka qenë gjithmonë pjesë e stafeve teknike të fushatave parlamentare dhe lokale si dhe komisionere e Partisë Demokratike në zgjedhjet e tjera për pushtetin qendror dhe atë vendor. Në vitin 2021, Helga është zgjedhur Kryetare e Lidhjes Demokratike të Gruas në ZAZ4 në Shkodër, ç’ka për të përbën një detyrë mjaft të dashur dhe interesante.

Ne këto zgjedhje Helga dëshiron që me formimin e kualifikimin e saj profesional, si dhe me vendosmerinë, inteligjencën dhe delikatesën e një vajze shkodrane që e karakterizon, të dhurojë kontributin e saj maksimal për fitoren e Partisë Demokratike.
Ne listën e kandidatëve për PD në Shkodër, Helga Sallaku pozicionohet e 12-a.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here