Muzeu Historik i Shkodrës, ku ruhet një trashëgimi historike e jashtëzakonshme

0
407

Të shkosh në Shkodër e të mos vizitosh Kalanë e Rozafës, Urën e Mesit, Fototekën e Marubit dhe të mos kthesh në Muzeun Historik të Shkodrës “Oso Kuka”, ku ruhet një thesar i vërtetë artefaktesh deri në tët mijë vjeçare do të kesh një boshllëk sa i përket njehjes së historisë dhe kulturës së kësaj perle shqiptare

Nga Rexhep Rifati

Gjatë shtegtimeve të  ija nëpër Shqipëri, thuaja se zakonisht vizitoi Shkodrën edhe atë për shumë arsye, sepse përherë joshin jo vetëm pamja e qytetit por edhe vendasit shumë të çiltër e bujar. Por kur dua të mësoj sado pak histori për të kaluarën e kësaj perle të kulturës shqiptare, vizitoi zakonisht Muzeun Historik, të vendosur në banesën e patriotit të famshëm shqiptar Oso Kuka, ngase ky objekt përmban një kompleks muzeor që rrallë e gjen në ndonjë qytet tjetër shqiptar.

Historiku i muzeut

Nga vet faqja e këtij muzeu mësojmë se në vitin 1996, Muzeu Historik i Shkodrës u transferua në banesën monumentale të restauruar (shtëpi karakteristike shkodrane që mban emrin “Oso Kuka”), ku ndodhet edhe sot  Po ashtu mësojmë se Muzeu Historik i Shkodrës ka nisur të organizohet që në vitin 1947, nën emërtimin “Muzeu Popullor” dhe mori formë të plotë në vitin 1949. Ai u vendos në qendër të qytetit, në një ndërtesë monumentale të shekullit të XIX-të, vlerat e së cilës ia shtonte “Kulla e Sahatit” pranë tij.

Muzeu fillimisht u ngrit mbi bazën e koleksioneve të vjetra të kuvendeve të Jezuitëve dhe Françeskanëve themeluar që nga fundi i shekullit të XIX, si dhe nga koleksionet e familjeve shkodrane. Më pas ato erdhën duke u shtuar përmes dhurimeve, blerjeve, gjetjeve te rastit dhe gërmimeve arkeologjike. Gjatë viteve në vazhdim ngrihen edhe muze e shtëpi-muze të tjera, duke formuar një rrjet muzeor prej 7 qendrash muzeore në qytetin e Shkodrës. Me reformat e thella që u ndërmorën në fillim të viteve 1990, sidomos me kthimin e pronave të ish-pronarëve, shtëpitë ku ishin ngritur muzetë u privatizuan e rrjeti muzeor u shpërbë, duke mbetur në funksion vetëm Muzeu qendror ku u grumbulluan të gjitha objektet muzeore të qendrave të mëparshme.

Muzeu Historik i Shkodrës është një muze lokal dhe bën pjesë në rrjetin e institucioneve kulturore në vartësi të Bashkisë së qytetit. Ai përbëhet nga Muzeu qendror (i vendosur në shtëpinë e Oso Kukës) dhe ai i Kalasë “Rozafa”.

Në funksion të promovimit të historisë dhe i traditave kulturore

Funksioni i tij është promovimi i historisë dhe i traditave kulturore lokale e kombëtare tek qytetarët e komunitetit brenda e jashtë vendit. Megjithatë gjatë gjithë jetës së tij ka kryer edhe veprimtari kërkimore në nivel lokal, duke aktivizuar bashkëpunëtorë të shumtë, specialistë e dashamirës të kulturës. Brenda qytetit ai bashkëpunon me sukses me Universitetin “L. Gurakuqi”, bibliotekën “Marin Barleti”, Galerinë e Arteve dhe Teatrin “Migjeni”, si dhe me institucione të tjera simotra në Shqipëri e në rajon.

Muzeu organizon periodikisht aktivitete komemorative, konferenca e seminare me tematika të ndryshme. Aktualisht boton revistën “Kumtari” dhe ka ndërmarrë botimin e 10 vëllimeve me materialet e seminarit “Shkodra në shekuj”, ku përfshihen studime në fushat e historisë, arkeologjisë, etnologjisë, folklorit, gjuhësisë, letërsisë e arteve.

Muzeu përbëhet nga seksionet e mëposhtme: në atë të etnografisë, arkeologjisë, të artit pamor dhe bibliotekën, kjo e fundit shërben si fond i studimeve shkencore qe kryen stafi punonjës në veprimtarinë e tij.

Fondi etnografik

Ky sektor ka një fond prej rreth 1230 objektesh që u përkasin shek. XVIII – XX. Ato janë prodhime artizanale të qytetit të Shkodrës dhe të zonave gjeo-etnografike të pellgut të tij: Dukagjinit, Malësisë së Madhe, Shllakut, Postrribës, Zadrimës, Anamalit, Krajës si dhe të krahinave të Pukës e të Mirditës.

Një pjesë e tyre janë prodhuar nga individë të familjeve qytetare ose fshatare, kurse pjesa tjetër janë prodhime të mjeshtërve të punishteve artizanale të qytetit të Shkodrës, duke ndjekur traditën shekullore vendase, por edhe me elementë të rinj, të ndikuar nga kontaktet me kultura të huaja, në kohë të ndryshme.

Materialet e përdorura për punimin e tyre janë kryesisht të burimit vendas, por janë përdorur edhe materiale importi, kryesisht në prodhimet qytetare e më tepër në kohë të vona, me futjen në treg të materialeve të industrializuara.

Në fondin e Muzeut gjenden afro 50 vegla muzikore tradicionale si lahuta, çifteli, fyej, zumare, saze etj. Në këtë sektor ka dhe objekte të importuara kryesisht nga Italia e Turqia, sidomos pajisje e orendi të shtëpisë qytetare shkodrane: llampadarë, vazo, enë kuzhine e tryeze.

Fondi arkeologjik

Në nëntor të vitit 2002 u përurua Pavijoni i Arkeologjisë në Muzeun Historik të Shkodrës, fryt i bashkëpunimit me Universitetin e Firences (Itali). Sipas një projekti të përbashkët, duke shfrytëzuar hapësirat e katit përdhes të ndërtesës, të përbërë prej dy sallash, me elementë arkitekturorë tradicionalë e me vlera origjinale të punimit të gurit e drurit, gërshetuar me panelet metalike ekspozuese, realizohet kombinimi i konstruksioneve të traditës me ato moderne. Ndriçimi individual i objekteve të vendosur brenda kubeve prej qelqi, i vë në pah ato dhe krijon një mjedis të vërtetë lashtësie.

Fondi arkeologjik përmban rreth 500 objekte, vetëm 200 prej tyre janë të ekspozuar, ndërsa pjesa tjetër ruhet në fond. Objektet arkeologjike muzeale të këtij sektori përfaqësojnë të gjitha periudhat historike, nga Neoliti, 6000 vjet P.K. deri në Mesjetën e vonë shek. XVI. Ato kanë një shtrirje gjeografike që përfshin krejt pellgun e Shkodrës. Një pjesë e mirë e tyre vjen nga gjetje të rastit, por ka edhe objekte që vijnë nga gërmimet arkeologjike të ekspeditave të kryera në këtë territor.

Në aspektin funksional objektet mund të klasifikohen si: vegla pune, enë të përdorimit shtëpiak e të transportit, objekte kulti, armë luftarake, stoli, objekte varrezash, objekte arkitekturore, monedha e medalje. Një pjesë e tyre janë me vlera të spikatura artistike, ndërsa përsa i përket materialit të përdorur, ato janë të punuara në strall, gurë, mermer, kockë, qeramikë, metale, qelq etj.

Ndër to ka objekte të prodhimit lokal, por edhe të ardhura përmes shkëmbimeve tregtare me vende të ndryshme të botës.

Artet pamore

Piktura realiste në Shkodër, që shpërtheu fuqishëm gjatë Rilindjes Kombëtare, lidhet historikisht me këtë hallkë pre-nacionaliste të zinxhirit të historisë sonë (mesi i shek. XVIII deri përpara mesit të shek. XIX) dhe që mund të konsiderohet si lindja e pikturës romantike. Në fillim të viteve ’30, Shkodra kishte padyshim bilancin më të pasur për kontribut në pikturën realiste në Shqipëri. Artistët shkodranë e kishin themeluar atë dhe për më se gjysmë shekulli, njëri pas tjetrit, e kishin udhëhequr zhvillimin e saj. Kontributi i tyre është aq i spikatur, sa kemi të drejtë të flasim për një traditë shkodrane, të shkollës të pikturës realiste shkodrane.

Një nga themeluesit e kësaj shkolle ishte Kol (Nikollë) Idromeno, i cili njihet si piktori më i shquar realist romantik e më pas, kritik në Shqipëri. Në punimet e shumta të tij me temë biblike, të realizuara në disa kisha të rrethinave të Shkodrës (Ulqin, Salç, Shirokë, Vau i Dejës, etj.), të tilla si Freskat e Kishës Ortodokse të Shkodrës, 1881 (ku shquhet për vlerat sugjestive fragmenti Ferri), figurat janë dhënë me trajtë plastike realiste, të shkëputura tashmë nga stili post-bizantin tradicional. Madje fabula fetare shfrytëzohet nga autori për të goditur ashpër veset dhe plagët e shoqërisë së kohës. Kompozimi i tij i njohur “Dy rrugët”, 1892 (vaj 1, 96 m x 1, 69 m, Gal. Art. Shkodër) materializon me dashuri botën reale, jetën e vërtetë të qytetit dhe krahinës së tij, ndërsa vizioni i botës së përtejme, Ferri dhe Parajsa, në dy ekstremet e tablosë, është i turbullt, pa theks, pa trajtë dhe gati i pandjeshëm.

Në themel të pikturës realiste romantike shqiptare, krahas Kol Ideromenos u vendosën dhe artistët e tjerë shkodranë si Ndoc (Andon) Martini ,  Andrea Kushi, Simon Rrota, Zef Kolombi, Kel Kodheli, Vladimir Jani etj. Peizazhi me ndjenjën e çiltër të dashurisë, gati naive, për natyrën dhe portreti i njeriut të thjeshtë, të varfër, i shoqëruar me kritikë realiste për kohën, u bënë tema karakteristike të piktorëve shkodranë të gjatë periudhës post-romantike.

Biblioteka

Biblioteka e Muzeut Historik të Shkodrës që në themelimin e saj u ka shërbyer jo vetëm punonjësve të brendshëm, por edhe bashkëpunëtoreve të tij e studiuesve të tjerë të jashtëm. Ajo ka arritur të sigurojë një fond relativisht të pasur që mbulon të gjitha fushat e Albanologjisë, por edhe literaturë të autorëve shqiptarë e të huaj, në shumë gjuhë të botës, duke numëruar rreth 15.000 tituj.

Librat më të vjetër i përkasin shekullit XVII, ku mund të përmendim librin “Dottrina Christiana” të P.Budit (1618), libri “Istoria di Giorgio Castrioto detto Scander – Begh” i G.Biemm-it (1742) etj. Një vend të veçantë zënë koleksionet e librave, revistave e gazetave periodike që nisin nga fundi i shekullit XIX.

Fondi prej mbi 2000 vëllimesh i bibliotekës të familjes “Pipa” dhuruar Muzeut Historik të Shkodrës, ia ka rritur edhe më shumë vlerat kësaj biblioteke. Sidomos me koleksionet “Albania” të F.Konicës dhe “Shejzat” të E.Koliqit.

Në vazhdim të procesit të dixhitalizimit dhe rritjes së shërbimeve ndaj publikut online dhe të interesuarve në fushën e studimeve historike, Arkivi i Muzeut Historik Shkodër, fillon prezantimin e disa materialeve ne format digjital me fotografi dhe citim përshkrues si: dokumente, objekte historike dhe vepra arti. Kjo mënyrë pune do jetë e vazhdueshme në funksion të së cilës mirëpresim edhe sugjerime të mundshme, thuhet në Vazhdim në shkrimin e konceptuar nga Anelmo Spahija, siç figuron në ueb faqen e muzeut.

Vizitorë të shumtë nga brenda dhe jashtë

Do theksuar se ky është ndër muzetë mjaft të vizituar në Shqipëri, si nga turistë shqiptarë nga trojet etnike ashtu edhe nga mërgimtarë e turistë shtetesh të ndryshme Siç mësojmë për specialistët e Muzeut, numri gjithnjë në rritje i vizitorëve vendës dhe të huaj ka ardhur për shkak të vlerave historike dhe etnografike që ky muze mbart brenda tij.

Interesi ndaj këtij muzeu ka ardhur duke u shtuar nga viti në vit, si rrjedhojë jo vetëm e grumbullimit të materialeve të shumta me vlera historike, por edhe në sajë të organizimit të punës për një prezantim dhe ekspozim sa më të mirë të tyre. Për promovimin e Muzeut, drejtuesit e tij vazhdimisht organizojnë aktivitete të ndryshme me vlera, historike e kulturore. Ndaj edhe me këtë rast dua të falënderoj personelin e këtij muzeu i cili gjatë çdo vizite timen me shokë qoftë nga Kosova e Maqedonia apo edhe nga Zvicra, na kanë pritë me përzemërsi duke na ofruar informacione të bollshme dhe duke na mundësua fotografimin për popullarizimin e vet përmbajtjes së këtij muzeu bashkë me vlerat e mëdha që ruan.  E veçanta tjetër që më ka ra në sy është ekspozimi i herëpashershëm i fondeve të shkrimtarëve , historianëve dhe personaliteteve të shquara shqiptare, për të cilat në shkrimet tjera.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here