THETHI, MREKULLIA E ALPEVE SHQIPTARE

0
252
Thethi ndodhet rreth 70 km larg Shkodrës, në zemër të alpeve shqiptare. Për vlerat e tij klimaterike dhe atë të biodiversitetit, Thethi është shpallur park kombëtar i mbrojtur nga shteti. Ai është gjithashtu edhe pjesë e projektit të përbashkët të “Parkut të Paqes”, që përfshin një rajon ndërkufitar të “Bjeshkëve të Namuna” midis tre shteteve: Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi.  Sipërfaqja e parkut kombëtar të Thethit përfshin një hapësirë prej 2630 hektarësh dhe shtrihet në një lartësi që varion nga 600 – 2570 metra mbi nivelin e detit. Këtu ka një mbulesë të dendur pemësh ku 90% e tyre përfaqesohen nga pyjet e ahut, por dhe pemë të tjera si frashër, shkozë etj.
Fauna e parkut përbëhet nga 50 lloje shpendësh, 10 lloje reptilësh dhe 8 lloje amfibësh. Këtu gjenden edhe lloje të ndryshme qukapikësh, shqiponja e artë, salamandra alpine si dhe një shumëllojshmeri fluturash shumëngjyrëshe. Në ujërat e lumit Shalë që gjarpëron në mes të Thethit, gjendet edhe trofta e mermertë.
Thethi shquhet për kontrastet e relievit, ujëvarave, bimësisë së dendur, livadheve e sidomos të ngjyrave të peisazhit mbresëlënës. Mjaft tërheqëse janë burimet e ujërave të Okolit.
Rruga për në Theth bëhet kryesisht nga segmenti Shkodër- Koplik- Bogë-Theth.
Deri në Qafën e Thorës ajo është e asfaltuar, më pas paraqitet mjaft problematike.
Në pjesën e paasfaltuar shkohet vetëm me makina të larta, fuoristradë, furgonë etj. Kjo rrugë bllokohet çdo vit nga bora dhe hapja e saj bëhet e mundur vetëm në muajt Prill e Maj. Udhëtimi për në Theth zgjat 3-4 orë. Këtu gjendet edhe “Kulla e Ngujimit”, element ky epik i jetesës shqiptare ku gjatë periudhës së gjakmarrjes strehohej gjakësi. Kjo kullë është sot monument kulture.
Kuzhina tradicionale e Thethit përbëhet nga fërliku (mish i pjekur), gatimi i troftës së përroit të Thethit si dhe nënproduktet e qumështit (djathrat e ndryshëm, gjiza, kosi i freskët, etj.).
Në Theth mund të organizohen aktivitete të shumta në natyrë, si: ngjitjet malore, speleologjia (turizmi i shpellave), kajakët në përroin e Thethit, peshkimi sportiv malor, sportet dimërore në shpatet natyrore me dëborë, biçikleta malore, etj.
Një nga pikat më të bukura në këtë mrekulli natyrore është ajo nga e cila vihesh përballë Okolit, Qafës së Pejës dhe ku majtas ngrihet madheshtore kalaja natyrore dhe Shtegu i Dhenve apo dhe Bregu i Bubës sipër lagjes Gjelaj.
Këto resurse i dallon çdo vizitor sa lë Grykën e Ndërlysës dhe ballafaqohet me mrekullinë e kanionit të Grunasit që është rreth 2 km i gjatë, 40 deri 60 m i thellë dhe vetem 2- 3 metra i gjerë.

Përveç kanionit, në Theth gjenden një numër i konsiderueshëm shpellash si Shpella e Harapit dhe Bira e Rrathëve, të cilat me përmasat e tyre dhe dukuritë interesante që mbartin brenda tyre si liqenet nëntokësore, galeri, sifone etj. janë tejmase të veçanta. Një bukuri natyrore të bjeshkëve të veriut shpalos në këtë zonë Ujëvara e Grunasit apo e njohur edhe si Ujëvara e Thethit me 25 m lartësi, ku së bashku me cirqet përreth dhe Mullirin e Blojës formojnë një nga vendet më interesante për t’u vizituar.

Por jo më pak tërheqës është edhe vendburimi i lumit të Shalës në Okol, burimet e të cilit nxjerrin 2,5 – 3 m kub ujë në sekond, që vë në punë një hidrocentral të vogël dhe 12 mullinj që shërbejnë për ujë të pijshëm, cilësia dhe pastërtia e të cilit është për t’u admiruar.
Thethi është park kombëtar që nga viti 1966. Lumi i Shalës që buron në Okol shquhet për peshkun karakteristik: troftën pikaloshe e kryemadhe, pa harruar edhe liqenin e akullt te Tërthores ku gjendet peshku triton alpin dhe shumë lloje të tjera.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here