FSHF: Ndeshja me Anglinë në rrezik, policia nuk garanton marrjen e masave

0
218

Ndeshja e futbollit, Shqipëri-Angli, e programuar për të dielën në orën 18:00, rrezikon të luhet për shkak se Policia e Shtetit nuk merr përsipër marrjen e masave për organizimin e ndeshjes.

FSHF ka publikuar shkresën që drejtori i Policisë së Tiranës Rebani Jaupi, i ka dërguar federatës, ku shpreh shqetësimin për bizneset përreth ambienteve të stadiumit “Air Albania”, për të cilat thotë se pengojnë punën e forcave të policisë për marrjen e masave. Lidhur me këtë aspekt, Policia e Tiranës nuk merr përsipër të garantojë sigurinë për ndeshjen e së dielës mes Shqipërisë dhe Anglisë.

Sakaq, FSHF kërkon reagimin urgjent të institucineve pasi anulimi i ndeshjes Shqipëri-Angli do të kishte pasoja katastrofike për imazhin e vendit tonë, ekipin Kombëtar dhe në përgjithësi për futbollin shqiptar.

Njoftimi

Sot në Federatën Shqiptare të Futbollit ka mbërritur një shkresë, me numër protokolli 2877, e datës 23.03.2021, nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, me firmën e Drejtuesit të Parë, Rebani Jaupi, e cila thekson se strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë nuk garantojnë marrjen e masave para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes Shqipëri-Angli, në datë 28 Mars 2021, ora 18:00.

Gjendur përballë situatës ku autoritetet shtetërore nuk kanë reaguar pas kërkesës së Federatës Shqiptare të Futbollit, të datës 17.03.2021, me numër protokolli 538, drejtuar Znj. Dallëndyshe Bici, Drejtuese e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe Z. Mariglen Qato, Drejtues i Inspektoriatit Urbanistik Vendor Bashkisë Tiranë, për lirimin e hapësirave në perimetrin e Stadiumit Kombëtar “Air Albania”, kërkojmë reagim urgjent të këtyre strukturave.

Anulimi i ndeshjes Shqipëri-Angli e parashikuar për t’u luajtur në “Air Albania Stadium”, do të kishte pasoja katastrofike për imazhin e vendit tonë, ekipin Kombëtar dhe në përgjithësi për futbollin shqiptar./Opinion.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here