Sot ditëlindja e Nexhmije Pagarushës, bilbilit të muzikës shqipe

0
49

Më 7 maj 1933, në fshatin e vogël Pagarusha, afër Malishevës, lindi Nexhmije Pagarusha, këngëtarja dhe aktorja e madhe shqiptare nga Kosova, shpesh e referuar si mbretëresha e muzikës shqiptare, shkruan KultPlus.

Veprimtaria e saj muzikore 50-vjeçare është aq e gjerë, sa që është vështirë të thuhet se cilit zhanër i takon.

Është e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera.

Kur flitet për Nexhmije Pagarushën, përdoren në një frymë shumë epitete si, Bilbili i Kosovës, Mbretëresha e Këngës Shqipe, Primadona e Melosit Popullor, e shumë epitete të tjera.

Repertori i saj interpretues është tejet i gjerë dhe i larmishëm. Veçohen këngët “Ani mori nuse”, “Kur më del në derë”, “Metelikun ta kam fal”, “Po të pres te dega e fikut”, “Mora testinë”, “Kënga e Rexhës” etj.

“Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj që ruan elemente folklorik të këngës.

Nexhmie Pagarusha ka ushtruar edhe aktivitet prej aktoreje, duke u paraqitur në disa skena të filmave “Tre vetë kapërcejnë malin”, “E kafshoja terrin”, “Fluturimi i Micakut”.

Pagarusha fitoi vlerësime si artiste në Kosovë dhe vendet fqinje për gamën e saj të veçantë vokale soprano, të cilën ajo e shfaqi duke interpretuar këngë të ndryshme popullore kosovare gjatë karrierës së saj, e cila zgjati 36 vjet, nga viti 1948, në debutimin e saj në Radio Prishtina, deri në vitin 1984, në koncertin e saj të fundit në Sarajevë.

Më 2012, u dekorua me “Nderi i Kombit” nga presidenti i Shqipërisë.

Nexhmije Pagarusha vdiq më 7 shkurt 2020 në moshën 86-vjeçare. / KultPlus.com

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here