“Kur Shkodra hapte dyert me prit njerez te medhenj te kultures dhe artit”

0
90

“Dikur Shkodra rrânte me pritë e me pa njerëz të mëdhaj të kulturës dhe artit: Asdrenin, Lasgushin, Tefta Tashkon dhe në krye të mikpritësave ishin figura të kalibrit të Át Gjergj Fishtës, Ernest Koliqit etj.

Me 9 shkurt 1938 erdhi në Shkodër, shkruente Nush Topalli prej shtyllave të “Cirkës”, mbas 23 vjetësh, shqiptari i madh dhe atdhetari Aleksandër S. Drenova: “Asdreni, i njoftun çë prej kohnave të Rilindjes Kombëtare”.

Shoqnija “Rozafat” tue interpretue dëshirën e gjithë rinisë shkodrane organizoi në sallën e kinemasë nji koncert kur morën pjesë zojusha Tefta Tashko, soprano, e zojusha Lola Aleksi, pianiste. Poeti Át Gjergj Fishta e hapi këtë shfaqje. Poeti Asdren, vijon artikullshkruesi, na gazmoi pse solli edhe poetin e Tosknis Lasgush Poradecin, dy epoka që bashkohen.

Me ta qe edhe shkrimtari ynë Ernest Koliqi.
Pak ditë ma vonë edhe vetë Asdreni prej shtyllave të “Përpjekjes shqiptare” të Branko Merxhanit shkruente plot mirënjohje me fjalë zemret: “E pashë prap Shkodrën që po ringjallet, i a ndjeva rrahjet e zemrës së saj, dikur të përvuajturë, të rrahë përsëri po me atë ritëm që dëshëron gjithmonë…”

Marubbi e ka “shkrue” me dritën e artit të tij këtë çast të paharrueshëm.
Djepi i kulturës që ishte Shkodra kishte jetë.
Edhe sot djepi ka jetë, por jeta në vetvete asht nji koncept relativ kur nuk lakohet në mënyrë të njinjishme me kulturën.

Në këtë sens, jeta dhe kultura atje janë të dyzueme dhe presin me konvergue kushedi se ku, në nji pikë përpara… prandaj edhe ne shikojmë përpara, pse s’mund të rrijmë gjithmonë me krye mbrapa, se na mpihet qafa.

Marre nga Ardian Ndreca

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here