Sot mbyllen llogaritë, zbret në fushë grupi i “Ferrit”

0
120

Edicioni i 16-të i kampionatit europian të futbollit mbërrin në ditën e fundit të raundit hapës dhe katër ndeshjet përmbyllëse të fazës së parë, do të krijojnë edhe tablonë e plotë për pjesën e mbetur të aktivitetit më të rëndësishëm të Kontinentit të Vjetër, në rang përfaqësuesesh. Franca dhe Suedia e garantuan vendin e tyre në fazën me eliminim të drejtpërdrejtë që të hënën në mbrëmje, kështu që këto dy përfaqësuese do të luajnë në sfidat e fundit për të përcaktuar thjeshtë pozicionin përfundimtar në grupet respektive.

Në letër spikat sigurisht dueli Francë – Portugali, me dy skuadra përfaqësuese që renditen në pesë vendet e para të klasifikimit të përgjithshëm të FIFA-s. Kampionët në e botës në fuqi janë të kualifikuar për në fazën e “knock-out”-it, ndërsa portugezët në krahun tjetër janë pothuajse me një këmbë në raundin tjetër, duke patur parasysh golavarazhin, si dhe sasinë e golave të shënuar në dy ndeshjet e para.

Blutë kanë dominuar përgjithësisht përballjet mes tyre, duke fituar 4 nga 6 sfidat kompetitive. Ekipi i drejtuar nga veterani Fernando Santos shkon i qetë në takimin përmbyllës, sepse duke bërë llogaritë kampionëve në fuqi të Europës, iu duhet që të humbasin këtë duel me tre apo më shumë gola diferencë, për t’i dhënë lamtumirën përpara kohe këtij aktiviteti.

Ukraina e Andriy Shevchenkos numëron 3 pikë dhe ka një golaverazh 4-5, ndërsa Portugalia ka vërtet vetëm 3 pikë në klasifikimin e veçantë të vendeve të treta, por me një golaverazh dukshëm më të mirë 5-4.

Dy trajnerët kanë në dispozicion futbollistët më të mirë për këtë takim, me përjashtim të Joao Cancelos që mungon te Portugalia, pasi është infektuar nga virusi Covid-19, ndërsa në anën tjetër mungon sulmuesi i Barcelonës, Ousmane Dembele.

Portugali-Francë do të luhet në orën 21:00 në “Puskas Arena” dhe do të drejtohet nga kryesori i mirënjohur spanjoll Mateu Lahoz. Blutë kryesojnë 19-6 me fitore bilancin e përgjithshëm të 27 sfidave ndërmjet tyre, madje 5 nga ato 6 fitore luzitanët i kanë regjistruar në takime miqësore. Po në të njëjtën kohë Gjermania do të presë Hungarinë në “Allianz Arena” dhe është e qartë që “mannschaft”-i niset si favorit për të kaluar mes 16 ekipeve më të mirë të këtij europiani.

“Panzer”-at rrezikojnë të mbeten jashtë vetëm nëse humbasin ndeshjen, ndërkohë ka edhe një skenar tjetër tepër befasues, sidoqoftë pak të mundshëm: nëse Gjermania dhe Portugalia munden në sfidat e fundit, atëherë kampionët në fuqi do ta mbyllnin aventurën e tyre në vendin e fundit në Grupin F, pikërisht falë bilancit negativ në përballjen direkte me Gjermaninë.

Nëse Portugalia ka humbur 11 nga 13 sfidat e fundit me Francën në të gjithë kompeticionet, në këtë takim bilanci është shumë më i ekuilibruar dhe “nationalelf” ka fituar vetëm 3 nga takimet e fundit me Hungarinë. Bëhet fjalë për 3 fitore, 2 humbje dhe 4 barazime në 47 vitet e fundit.

Më herët do të mbyllin përfundimisht llogaritë edhe ekipet e Grupit E. Polonia duhet të mundë patjetër në Saint Petersburg, Suedinë, në orën 18:00, ndërkaq po në të njëjtën orë Sllovakisë i nevojitet patjetër barazimi ndaj Spanjës, që ka favorin për ta luajtur takimin përmbyllës sërish në stadiumin olimpik të Sevilles, “La Cartuja”, sidoqoftë është e qartë që vendasit do të luajnë për 3 pikët, sepse një barazim në duelin Spanjë-Sllovaki i kombinuar me një sukses të Polonisë në takimin me Suedinë, flak jashtë në mënyrë të pamëshirshme pikërisht skuadrën e Luis Enrique-s.

B.T (Dosja.al)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here